Ngjarje të parathëna për ditët tona
Ngjarje të parathëna për ditët tona
BIBLA parathotë se Mbretëria e Perëndisë do të sjellë paqe dhe lumturi të përhershme në tokë. (Danieli 2:44) Në lutjen «Ati ynë» ose në Lutjen e Zotërisë, Jezui i mësoi dishepujt të luteshin: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Në profecinë e njohur që u dha dishepujve në Malin e Ullinjve, Jezui paratha ngjarje dhe kushte konkrete që do t’i paraprinin ardhjes së kësaj Mbretërie. Së bashku, këto ngjarje përbëjnë një shenjë që do të ishte më se e dukshme për të gjithë ata njerëz me zemër të sinqertë që do t’i vëzhgonin. Sa nga aspektet e mëposhtme të kësaj shenje njeh personalisht?
Luftëra mbarëbotërore. Jezui paratha: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.» (Mateu 24:7) Para luftës së parë botërore që filloi në vitin 1914, konfliktet ishin zakonisht të kufizuara. Kjo luftë jo vetëm që përfshiu pjesë të konsiderueshme të globit, por edhe përshpejtoi zhvillimin e armëve më të tmerrshme që kishte parë ndonjëherë njerëzimi. Për shembull, avionët e saposhpikur u përdorën për të hedhur bomba mbi civilë. Armët e prodhuara në masë e çuan numrin e viktimave në shifra të paimagjinueshme më parë, pasi rreth gjysma e 65 milionë ushtarëve që morën pjesë në luftë ose vdiqën, ose u plagosën. E megjithatë, gjatë shekullit të 20-të, ky numër u rrit edhe më shumë. Sipas asaj që tha një historian, numri i ushtarakëve dhe civilëve të vdekur në Luftën II Botërore «do të mbetej përgjithmonë i pallogaritshëm». E luftërat vazhdojnë ende.
Përhapje e urisë. «Do të ketë mungesë ushqimi.»—paratha Jezui. (Mateu 24:7) Në vitin 2005, revista Science thoshte: «Ka 854 milionë njerëz në botë (rreth 14% e popullsisë) që vuajnë vazhdimisht ose përkohësisht nga kequshqyerja.» Në vitin 2007, një burim i Kombeve të Bashkuara raportoi se, në 33 vende, ushqimi nuk mjafton për gjithë popullsinë. Por si është e mundur kjo, ndërkohë që prodhimi botëror i drithit po rritet? Një arsye është se, toka dhe drithi që mund të përdoreshin për të ushqyer njerëzit, po përdoren për të prodhuar etanol. «Sasia e etanolit që duhet për të mbushur vetëm një herë një makinë fuoristradë të madhe, do të mjaftonte për të ushqyer një njeri për një vit të tërë»,—raporton gazeta afrikano-jugore The Witness. Edhe në vendet e zhvilluara, rritja e çmimit të ushqimeve i vë shumë njerëz para vendimit nëse duhet të blejnë ushqim për darkë apo të paguajnë për nevoja të tjera, si ilaçet ose ngrohja.
Tërmete të mëdha. Jezui tha: «Do të ketë tërmete të mëdha.» (Luka 21:11) Nëse mendon se tani më shumë njerëz se kurrë po bëhen viktima të tërmeteve, ke të drejtë. «Papritur po shohim një rritje të aktivitetit sizmik në mbarë globin,—tha sizmologu indian R. K. Çada në vitin 2007.—Askush nuk e di pse.» Për më tepër, rritja e shpejtë e popullsisë në zonat ku bien shpesh tërmete, ka shtuar numrin e viktimave të këtyre katastrofave. Sipas Institutit të Studimeve Gjeologjike, SHBA, tërmeti që ra në Oqeanin Indian në vitin 2004 dhe tsunami që shkaktoi, bëri që ky vit të cilësohej si «viti më vdekjeprurës në gati 500 vjet për sa i përket tërmeteve» dhe «i dyti më vdekjeprurës që është regjistruar gjatë gjithë historisë».
Sëmundje të pashërueshme. «Do të ketë . . . murtaja»,—paratha Jezui. (Luka 21:11) Anembanë globit sëmundje të vjetra e të reja po prekin gjithnjë e më shumë njerëz, dhe është e vështirë të gjenden kurat e shpresuara. Për shembull, është dashur që synimet ndërkombëtare për të çrrënjosur malarien, të zvogëlohen herë pas here, pasi sëmundja vazhdon të dalë jashtë kontrollit njerëzor. Përveç kësaj, miliona vdesin nga sëmundjet e vjetra, si tuberkulozi, me të cilat tani janë bashkuar SIDA dhe sëmundje të tjera. «Një e treta e popullsisë botërore tani është infektuar nga bacili i tuberkulozit»,—raporton Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo organizatë shprehet gjithashtu se virusi HIV po ndikon në përhapjen e epidemive të tuberkulozit në shumë vende. Çdo sekondë, një njeri infektohet nga tuberkulozi, dhe kjo sëmundje po i reziston gjithnjë e më shumë ilaçeve. Në vitin 2007, një pacient në Evropë u diagnostikua me një tuberkuloz që «i rezistonte çdo lloj ilaçi që kemi»,—u shpreh revista New Scientist.
Rënie morale dhe sociale. «Për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet»,—tha Jezui. (Mateu 24:12) Përveç kësaj që tha Jezui, edhe apostulli Pavël paratha një rënie të vlerave sociale e morale. Ai përshkroi «ditët e fundit» e të vështira që do të vinin para se Mbretëria e Perëndisë t’i jepte fund këtij sistemi botëror. «Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.» (2 Timoteut 3:1-5) A nuk ke vënë re që njerëzit shfaqin këto karakteristika të këqija më shumë se më parë?
Jezui dhe Pavli nuk renditën të gjithë faktorët historikë, socialë dhe politikë që duhen fajësuar për këto kushte botërore. Megjithatë, profecitë e tyre parathanë me saktësi ngjarjet dhe sjelljen e njerëzve që po shohim sot. Ç’mund të themi për të ardhmen? Profecia e Isaisë që paratha në mënyrë të besueshme ardhjen e Mesisë, përshkruan edhe ndryshimet dobiprurëse që Mbretëria e Perëndisë do të sjellë në tokë. Për këto do të flasë artikulli vijues.
[Figura në faqen 6]
«Do të ngrihet komb kundër kombi»
[Figura në faqen 7]
«Do të ketë . . . murtaja»
[Burimi]
© WHO/P. Virot