Sa të besueshëm janë ungjijtë?
Sa të besueshëm janë ungjijtë?
«Tani, ungjijtë duhen parë si mite të sajuara nga të krishterët e parë.»—Bërtën L. Mak, profesor në pension i studimeve mbi Besëlidhjen e Re.
PROFESORI i lartpërmendur nuk është i vetmi që ka këtë pikëpamje. Shumë studiues kanë vënë në dyshim besueshmërinë e Ungjijve të Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit, domethënë, të tregimeve biblike rreth jetës dhe shërbimit të Jezuit. Pse disa i konsiderojnë ungjijtë si mite? A duhet t’ju ngjallë dyshime për vërtetësinë e ungjijve opinioni i tyre? Le të shqyrtojmë disa dëshmi.
Vihet në dyshim besueshmëria e ungjijve
Gjatë 17 shekujve të parë të erës sonë, besueshmëria e ungjijve nuk u vu kurrë seriozisht në dyshim. Megjithatë, sidomos nga shekulli i 19-të e më pas, shumë studiues i kanë konsideruar ungjijtë jo si të frymëzuar nga Perëndia, por si të sajuar nga njerëzit. Për më tepër, ata kanë mohuar faktin se shkrimtarët e ungjijve kanë dokumentuar atë që kishin parë e dëgjuar vetë në lidhje me Jezuin, dhe kanë këmbëngulur se njerëz të tillë nuk ishin në gjendje të dokumentonin histori të besueshme. Gjithashtu, kanë nxjerrë përfundimin se ngjashmëritë në strukturë dhe përmbajtje mes tre ungjijve të parë—të quajtur ndonjëherë sinoptikë, që do të thotë «pamje e ngjashme»—tregojnë se shkrimtarët e ungjijve kopjuan shumë nga njëri-tjetri. Përveç kësaj, kritikët kanë hedhur poshtë mrekullitë e Jezuit dhe ringjalljen e tij që përshkruhen tek ungjijtë. Disa madje kanë pohuar se Jezui nuk ka ekzistuar vërtet.
Po këta individë kanë nxjerrë përfundimin se Ungjilli i Markut duhet të jetë shkruar i pari, meqë duket sikur nuk shton kushedi se çfarë më tepër se Ungjijtë e Mateut e të Lukës. Kritikët kanë supozuar gjithashtu se Mateu e Luka përdorën librin e Markut për të përpiluar Ungjijtë e tyre dhe se ata u bazuan te një burim shtesë—një dokument që studiuesit e quajnë dokumenti Q (nga fjala gjermane Quelle ose «burim»). Sipas studiuesit biblik A.F.J. Klajn, kjo hipotezë e përhapur «ua uli vlerën atyre nga shkrimtarë të ungjijve në përpilues historish». Një ide e tillë, në të vërtetë, i bën shkrimtarët e ungjijve plagjiatorë * dhe sajues mitesh. Kjo teori ka minuar besimin se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia.—2 Timoteut 3:16.
A ishin plagjiatorë shkrimtarët e ungjijve?
A provojnë vërtet ngjashmëritë midis ungjijve sinoptikë se shkrimtarët ishin plagjiatorë, domethënë kopjuan nga njëri-tjetri? Jo. Pse jo? Pikësëpari, Jezui u premtoi dishepujve se fryma e shenjtë ‘do t’u sillte ndër mend të gjitha gjërat që u kishte thënë’. (Gjoni 14:26) Prandaj, nuk është për t’u habitur që shkrimtarët e ungjijve kujtuan dhe dokumentuan disa ngjarje të njëjta. Sigurisht, disa shkrimtarë të Biblës mund të kenë lexuar e mund t’u jenë referuar librave të shkrimtarëve të tjerë të Biblës, por kjo do të nënkuptonte kërkime të kujdesshme, e jo plagjiaturë. (2 Pjetrit 3:15) Përveç kësaj, një fjalor thotë: «Mbështetja në traditën gojore mund të shpjegonte lehtë përse thëniet e paharrueshme të Jezuit u ruajtën në formë identike.» (The Anchor Bible Dictionary)
Luka pohoi se kishte folur me shumë dëshmitarë okularë dhe ‘i kishte gjurmuar me saktësi të gjitha gjërat që nga fillimi’. (Luka 1:1-4) A tregojnë këto fjalë se ai ishte plagjiator apo sajues mitesh? Përkundrazi! Pas një analize të hollësishme të shkrimeve të Lukës, arkeologu Uilliam Ramsej arriti në këtë përfundim: «Luka është një historian i rangut të lartë. Faktet që pohon, janë të besueshme. Por jo vetëm kaq! Ai ka edhe një sens të vërtetë historik . . . Ky autor duhet renditur ndër historianët më të mëdhenj.»
Po ashtu, dëshmia e etërve të hershëm të kishës, përfshirë edhe ajo e teologut të shekullit të tretë, Origjenit, tregon se apostulli Mate ishte i pari që shkroi një ungjill. Origjeni shkroi: «I pari është shkruar sipas Mateut, ai që dikur kishte qenë taksambledhës, por më pas u bë apostull i Jezu Krishtit, i cili e shkroi në hebraisht, meqë e botoi për judenjtë e kthyer në të krishterë.» Natyrisht, Mateu, që ishte apostull dhe dëshmitar okular, nuk kishte pse të bënte plagjiaturë me shkrimet e Markut, i cili nuk ishte dëshmitar okular. Atëherë, cilat janë faktet lidhur me pretendimet se Mateu e Luka kopjuan nga Marku dhe lidhur me dokumentin e supozuar Q?
A u shkrua Ungjilli i Markut i pari?
Sipas fjalorit The Anchor Bible Dictionary, teoria se Ungjilli i Markut u shkrua i pari dhe
shërbeu si burim për Mateun e Lukën, nuk bazohet në «një argument bindës nga ana logjike». Megjithatë, shumë studiues mendojnë se Marku e shkroi Ungjillin e tij para Mateut dhe Lukës, sepse, sipas tyre, Marku nuk shton kushedi se çfarë më tepër se ungjijtë e tjerë. Për shembull, studiuesi biblik i shekullit të 19-të, Johan Kuni, këmbëngulte se Ungjilli i Markut duhet të jetë shkruar i pari. Përndryshe, sipas Kunit, «duhet të imagjinosh sikur Marku t’i ketë prerë dy rrotullat e Mateut e të Lukës në copëza të vogla, t’i ketë përzier në një enë dhe më pas të ketë prodhuar Ungjillin e tij».Meqë Ungjilli i Markut është më i shkurtri, nuk habitemi që përmban sasinë më të vogël me informacione unike. Prapëseprapë, kjo nuk provon se duhet të jetë shkruar i pari. Për më tepër, nuk është e vërtetë se Marku nuk shton kushedi se çfarë më tepër se Ungjilli i Mateut e i Lukës. Në tregimin dinamik dhe emocionues të Markut për shërbimin e Jezuit, faktikisht ka më tepër se 180 fragmente dhe hollësi tërheqëse që nuk gjenden te Mateu dhe Luka, duke e bërë kështu një tregim vërtet unik të jetës së Jezuit.—Shih kutinë në faqen 13.
Ç’të themi për dokumentin Q?
Ç’mund të thuhet për dokumentin Q, i cili sipas disave shërbeu si burim informacioni për Mateun dhe Lukën? Xhejms M. Robinsoni, profesor i fesë, thotë: «Dokumenti Q është pa dyshim teksti i krishterë më i rëndësishëm që kemi.» Kjo deklaratë të habit, sepse dokumenti Q nuk ekziston sot dhe në të vërtetë askush nuk mund të provojë se ka ekzistuar ndonjëherë. Fakti që ai është zhdukur fare, është edhe më i jashtëzakonshëm, pasi studiuesit pretendojnë se duhet të kenë qarkulluar disa kopje të këtij dokumenti. Përveç kësaj, dokumenti Q nuk përmendet kurrë nga etërit e kishës.
Mendoni për këtë: dokumenti Q supozohet se ka ekzistuar dhe ka mbështetur hipotezën se Ungjilli i Markut u shkrua i pari. A nuk është kjo një hipotezë e ndërtuar mbi një hipotezë tjetër? Kur bëhet fjalë për teori të tilla, është e mençur të mbajmë në mendje këtë proverb: «Njeriu i thjeshtë i beson çdo fjale që dëgjon; kurse i mençuri kupton se nevojiten prova.»—Proverbat 14:15, The New English Bible.
Ungjijtë—Autentikë dhe të besueshëm
Me spekulimet dhe hipotezat e tyre të pathemelta, kritikët kanë shpërqendruar shumë njerëz që të mos shqyrtojnë tregimet e besueshme të ungjijve në lidhje me jetën dhe shërbimin e Jezuit. Këto tregime dëshmojnë qartë se të krishterët e hershëm nuk i shihnin si mite ngjarjet në lidhje me jetën, shërbimin, vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit. Qindra dëshmitarë okularë mbështetën vërtetësinë e këtyre fakteve. Këta të krishterë të hershëm, që ishin të gatshëm të përndiqeshin e të vdisnin për të ndjekur Jezuin, e kuptonin plotësisht se do të ishte marrëzi të ishe i krishterë nëse shërbimi dhe ringjallja e Jezuit do të ishin vetëm fantazi.—1 Korintasve 15:3-8, 17, 19; 2 Timoteut 2:2.
Duke iu referuar polemikave rreth hipotezave se Ungjilli i Markut është shkruar i pari dhe në lidhje me dokumentin e mistershëm e të humbur Q, Xhorxh U. Bjukenëni, profesor teologjie, thotë: «Përqendrimi mbi hipotezat për origjinën e shpërqendron studiuesin e Biblës nga studimi i vetë tekstit.» Ky mendim është në harmoni me këshillën që apostulli Pavël i dha Timoteut ‘për të mos u kushtuar vëmendje përrallave e gjenealogjive që s’kanë fund, nga të cilat ngrihen pyetje që të harxhojnë kohë, në vend që të japin ndonjë gjë nga Perëndia në lidhje me besimin’.—1 Timoteut 1:4.
Ungjijtë janë të besueshëm. Ata përmbajnë tregime të besueshme nga dëshmitarë okularë. Bazohen në kërkime të detajuara. Na sjellin shumë fakte tërheqëse rreth jetës së Jezu Krishtit. Prandaj, ashtu si Timoteu në lashtësi, bëjmë mirë t’u vëmë veshin fjalëve të Pavlit: «Vazhdo në gjërat që mësove dhe u binde të besoje.» Kemi arsye të forta për të pranuar se «i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia»—përfshirë edhe katër ungjijtë.—2 Timoteut 3:14-17.
[Shënimi]
^ par. 6 Ata që bëjnë plagjiaturë. Plagjiatura është kur dikush kopjon shkrimet e një tjetri dhe pretendon se janë të tijat.
[Kutia në faqen 13]
Po të mos ishte shkruar Ungjilli i Markut, nuk do të dinim se . . .
Jezui pa rreth e rrotull me indinjatë, krejt i hidhëruar për zemrën e tyre të pandjeshme (Marku 3:5)
Gjoni dhe Jakovi u mbiquajtën Boanerges (Marku 3:17)
gruaja me rrjedhje gjaku kishte harxhuar gjithë pasurinë e saj (Marku 5:26)
Herodiada e kishte mëri Gjon Pagëzorin dhe Herodi kishte frikë nga Gjoni, prandaj e ruante (Marku 6:19, 20)
Jezui i ftoi dishepujt të pushonin pak (Marku 6:31)
farisenjtë i lanin duart deri në bërryl (Marku 7:2-4)
Jezui i mori fëmijët në krahë (Marku 10:16)
Jezui ndjeu dashuri për sundimtarin e ri (Marku 10:21)
Pjetri, Jakovi, Gjoni dhe Andrea e pyetën Jezuin veçmas (Marku 13:3)
një djalë i ri la pas rrobën prej liri (Marku 14:51, 52)
Për më tepër, një nga ilustrimet e Jezuit dhe dy mrekulli të tij gjenden vetëm në librin e Markut.—Marku 4:26-29; 7:32-37; 8:22-26.
Ungjilli i Markut përmban shumë hollësi të tjera që nuk gjenden në ungjijtë e tjerë. Çmueshmëria jonë për të me siguri do të rritet, nëse lëmë kohë për të medituar plotësisht rreth vlerës së gjithë këtyre hollësive domethënëse.