Si mund të mëkatonte Adami, përderisa ishte i përsosur?
Lexuesit pyesin
Si mund të mëkatonte Adami, përderisa ishte i përsosur?
Adami mund të mëkatonte, sepse Perëndia e krijoi me vullnet të lirë. Kjo dhuratë nuk bie ndesh aspak me faktin që Adami ishte i përsosur. Ç’është e vërteta, vetëm Perëndia është i përsosur në kuptimin absolut. (Ligji i përtërirë 32:3, 4; Psalmi 18:30; Marku 10:18) Përsosmëria te gjithkush ose te gjithçka tjetër është e kufizuar. Për shembull, një thikë mund të jetë e përsosur për të prerë mishin, por, a do ta përdornit për të ngrënë supë? Diçka është e përsosur vetëm nëse përmbush qëllimin për të cilin është krijuar.
Pra, për ç’qëllim e krijoi Perëndia Adamin? Qëllimi i Perëndisë ishte që nga Adami të vinte raca njerëzore me inteligjencë dhe vullnet të lirë. Ata që donin të kultivonin dashuri për Perëndinë dhe udhët e tij, do ta tregonin këtë duke vendosur t’u bindeshin ligjeve të tij. Pra njeriu nuk u krijua me aftësinë për t’u bindur automatikisht, por do të bindej me vullnet të lirë, nga zemra. (Ligji i përtërirë 10:12, 13; 30:19, 20) Kështu, nëse nuk do ta kishte aftësinë për të zgjedhur mosbindjen, Adami do të ishte i paplotë ose i papërsosur. Për sa i përket mënyrës se si vendosi ta përdorte ai vullnetin e lirë, Bibla tregon se Adami ndoqi të shoqen që nuk iu bind ligjit të Perëndisë, lidhur me ‘pemën e njohjes të së mirës dhe të së keqes’.—Zanafilla 2:17; 3:1-6.
Nga ana tjetër, a e krijoi Perëndia Adamin me një dobësi morale, dhe kështu ai nuk kishte aftësi të merrte vendime të mençura ose të qëndronte përballë tundimeve? Para se Adami të tregonte mosbindje, Perëndia Jehova e kishte shqyrtuar të gjithë krijimin e tij në tokë, përfshirë edhe çiftin e parë njerëzor, dhe kishte parë që ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:31) Prandaj, kur Adami mëkatoi, Krijuesi nuk duhej të korrigjonte ndonjë defekt në mënyrën si e kishte krijuar Adamin, por, me të drejtë, ia vuri fajin komplet Adamit. (Zanafilla 3:17-19) Adami nuk la që dashuria për Perëndinë dhe për parimet e drejta ta shtynte t’i bindej në radhë të parë Perëndisë.
Gjithashtu, mbani parasysh se, kur erdhi në tokë, Jezui ishte njeri i përsosur si Adami. Por, ndryshe nga pasardhësit e tjerë të Adamit, Jezui ishte ngjizur falë veprimit të frymës së shenjtë, prandaj nuk trashëgoi ndonjë dobësi që ta bënte të dorëzohej para tundimit. (Luka 1:30, 31; 2:21; 3:23, 38) Jezui, me vullnet të lirë, i qëndroi besnik Atit të vet, pavarësisht nga presionet tejet të forta. Kur nuk iu bind urdhrit të Jehovait, Adami ushtroi vullnet të lirë dhe ishte personalisht përgjegjës për mosbindjen.
Po përse Adami zgjodhi të mos i bindej Perëndisë? A mendonte ai se kjo do t’i dilte për më mirë? Jo, pasi apostulli Pavël shkroi se ‘Adami nuk u mashtrua’. (1 Timoteut 2:14) Prapëseprapë, ai vendosi të plotësonte dëshirën e së shoqes, që tashmë kishte zgjedhur të hante nga pema e ndaluar. Dëshira për t’i pëlqyer asaj ishte më e madhe se dëshira për t’iu bindur Krijuesit të tij. Sigurisht, kur iu vu përpara fryti i ndaluar, Adami duhej të ishte ndalur e të mendonte për pasojat që do të sillte mosbindja në marrëdhënien e tij me Perëndinë. Ngaqë nuk kishte një dashuri të thellë e të pathyeshme për Perëndinë, Adami ishte i dobët para presioneve, edhe para presionit të së shoqes.
Adami mëkatoi para se të bëhej me fëmijë, kështu që të gjithë pasardhësit e tij kanë lindur të papërsosur. Gjithsesi, ashtu si Adami, edhe ne kemi dhuratën e vullnetit të lirë. Le të zgjedhim të meditojmë me çmueshmëri për mirësinë e Jehovait dhe të kultivojmë një dashuri të fortë për Perëndinë, i cili e meriton t’i bindemi dhe ta adhurojmë.—Psalmi 63:6; Mateu 22:36, 37.