Si të jesh baba i mirë?
Si të jesh baba i mirë?
«Etër, mos i pezmatoni fëmijët tuaj, që të mos i lëshojë zemra.»—Kolosianëve 3:21.
SI TË sillet një baba që të mos i pezmatojë fëmijët e tij? Është jetësore që ai të kuptojë rëndësinë e rolit të tij si atë. Një revistë për shëndetin mendor thotë: «Atësia është një dukuri komplekse dhe e pashoqe me pasoja mjaft të rëndësishme për zhvillimin emocional dhe mendor të fëmijës.»
Cili është roli i babait? Në shumë familje babai shihet në radhë të parë si ai që jep disiplinë. Shumë nëna u thonë fëmijëve kur sillen keq: «Sa të vijë yt atë, pa ta rregullon ai qejfin!» Sigurisht, fëmijët kanë nevojë për disiplinën e duhur dhe për njëfarë vendosmërie që të bëhen të pjekur. Megjithatë, të jesh baba i mirë nuk do të thotë vetëm kaq.
Mjerisht, jo të gjithë baballarët kanë pasur një shembull të mirë, që t’i ndihmojë. Disa burra janë rritur pa baba. Por të tjerë mund ta kenë pasur babanë të ashpër dhe të ftohtë, e kështu priren t’i trajtojnë njësoj fëmijët e vet. Ç’mund të bëjë një baba që të mos e imitojë këtë model dhe të jetë prind më i mirë?
Ka një burim këshillash praktike dhe të besueshme se si të jesh baba i mirë. Bibla përmban këshillat më të mira për jetën familjare. Këshillat e saj nuk janë vetëm teori; drejtimi i saj nuk na del kurrë për keq. Këshillat e Biblës pasqyrojnë mençurinë e Autorit të saj, Perëndisë Jehova, që është Nismëtari i familjes. (Efesianëve 3:14, 15) Nëse je baba, është mirë të shqyrtosh ç’thotë Bibla për rolin e prindërve. *
Të jesh baba i mirë nuk është e rëndësishme vetëm që fëmijët të zhvillohen mirë nga ana fizike dhe emocionale, por edhe që të kenë një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. Fëmija që ka marrëdhënie të dashur e të ngushtë me të atin mund ta ketë më të lehtë të krijojë një lidhje të ngushtë e të ngrohtë me Perëndinë. Në fund të fundit, Bibla tregon se në njëfarë kuptimi, Jehovai, Krijuesi ynë, është një Atë për ne. (Isaia 64:8) Le të shqyrtojmë gjashtë gjëra për të cilat fëmijët kanë nevojë nga babai. Për secilën do të shqyrtojmë se si zbatimi i parimeve biblike mund ta ndihmojë babanë të plotësojë këto nevoja.
1 Fëmijët kanë nevojë për dashurinë e babait
Jehovai ka lënë një shembull të përsosur si Atë. Duke treguar çfarë ndien Perëndia për Jezuin, Birin e tij të parëlindur, Bibla thotë: «Ati e do Birin.» (Gjoni 3:35; Kolosianëve 1:15) Më shumë se një herë Jehovai shprehu dashurinë dhe miratimin e tij për të Birin. Kur Jezui u pagëzua, Jehovai tha nga qielli: «Ti je Biri im, i dashuri. Unë të kam miratuar.» (Luka 3:22) Jezui nuk e vuri kurrë në dyshim dashurinë që kishte Ati për të. Ç’mund të mësojë një baba nga shembulli i Perëndisë?
Kurrë mos ngurro t’u thuash fëmijëve që i do. Kelvini, baba me pesë fëmijë, thotë: «Gjithnjë jam përpjekur t’ua shpreh fëmijëve dashurinë, jo vetëm duke ua thënë se i dua, por edhe duke u interesuar për secilin prej tyre. Edhe unë ua ndërroja pelenat dhe i laja.» Gjithashtu, fëmijët kanë nevojë të dinë se ti i miraton. Prandaj, mos ji tepër kritik duke i korrigjuar vazhdimisht. Përkundrazi, mos ua kurse lavdërimet. Donixeti, që ka dy vajza adoleshente, këshillon: «Babai duhet të përpiqet të gjejë raste për t’i lavdëruar fëmijët.» Kur e dinë që kanë miratimin tënd, fëmijët mund të zhvillojnë një vlerësim të përshtatshëm për veten. Pastaj, kjo mund t’i ndihmojë t’i afrohen Perëndisë.
2 Fëmijët kanë nevojë për një shembull të mirë
Te Gjoni 5:19 thuhet se Jezui bën «vetëm atë që sheh se bën Ati». Vër re se shkrimi thotë që Jezui pa dhe bëri atë që ‘bënte’ Ati. Shpesh fëmijët bëjnë njësoj. Për shembull, nëse babai e trajton nënën me respekt dhe dinjitet, i biri ka shumë mundësi t’i trajtojë gratë me dinjitet dhe respekt kur të rritet. Shembulli i babait nuk ndikon vetëm te qëndrimi i djemve, por edhe te pikëpamja që krijojnë vajzat për burrat.
A e kanë të vështirë fëmijët e tu të kërkojnë falje? Edhe këtu ka rëndësi shembulli që lë. Kelvinit i kujtohet një rast kur dy djemtë e tij thyen një kamerë të kushtueshme. Ai u nxeh jashtë mase dhe e goditi kaq fort tavolinën prej druri, saqë e theu më dysh. Kelvini u ndie shumë keq pastaj dhe u kërkoi falje të gjithëve, edhe gruas ngaqë nuk e mbajti veten. Ai mendon se ndikoi për mirë te fëmijët kur kërkoi falje; ata nuk e kanë të vështirë të kërkojnë falje.
3 Fëmijët kanë nevojë për një ambient të lumtur
Jehovai është ‘Perëndi i lumtur’. (1 Timoteut 1:11) Nuk është habi që Biri i tij, Jezui, ndiente shumë gëzim kur ishte me të Atin. Proverbat 8:30 na ndihmon të kuptojmë marrëdhënien mes Jezuit dhe Atit të tij: «Unë isha përkrah tij [Atit] si një kryemjeshtër. . . . Gëzohesha para tij gjithë kohës.» Ç’lidhje e ngrohtë ekzistonte mes Atit dhe Birit!
Fëmijët e tu kanë nevojë për një ambient të lumtur. Kur kalon kohë me fëmijët dhe luani bashkë, mund ta krijosh këtë ambient. Duke luajtur së bashku, prindi dhe fëmija lidhen shumë. Feliksi është dakord me këtë. Ai ka një djalë adoleshent dhe thotë: «Koha që rezervoj për t’u zbavitur me tim bir ka luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në marrëdhënien tonë. Luajmë së bashku, shoqërohemi me miq dhe vizitojmë vende të bukura. Kjo na ka bërë më të afërt e më të përzemërt me njëri-tjetrin në familje.»
4 Fëmijët kanë nevojë t’u mësosh normat e Perëndisë
Jezuin e mësoi Ati i tij. Prandaj tha: «Pikërisht ato gjëra që dëgjova nga ai [Ati], po i them në botë.» (Gjoni 8:26) Në sytë e Perëndisë, babai ka përgjegjësinë t’i edukojë fëmijët nga ana morale dhe t’u mësojë për Perëndinë. Një nga përgjegjësitë që ke si baba është të ngulitësh parime të drejta në zemrat e fëmijëve të tu. Ky edukim duhet të fillojë qysh në moshë fare të njomë. (2 Timoteut 3:14, 15) Feliksi nisi t’i lexonte të birit tregime biblike kur ishte shumë i vogël. Feliksi përdorte tregime interesante me figura plot ngjyra, siç janë ato te Libri im i tregimeve biblike. * Dora-dorës që i biri rritej, Feliksi zgjidhte botime të tjera të bazuara në Bibël, të përshtatshme për moshën e të birit.
Donixeti thotë: «Duhen goxha përpjekje ta bësh të këndshëm studimin familjar të Biblës. Është e rëndësishme që prindërit të tregojnë se i vlerësojnë gjërat shpirtërore, pasi fëmijët janë të shkathët për ta kapur kur prindërit ndryshe thonë e ndryshe bëjnë.» Karlosi, që ka tre djem, thotë: «Ne mblidhemi një herë në javë për të diskutuar nevojat e familjes. Çdo pjesëtar i familjes ka mundësi të zgjedhë për çfarë të bisedojmë.» Kelvini gjithnjë kërkonte raste t’u fliste fëmijëve për Perëndinë, kudo që të ishin e çfarëdo që të bënin. Kjo na kujton fjalët e Moisiut: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. Ngulitua ato bijve të tu dhe fol për to kur rri ulur në shtëpi, kur ecën rrugës, kur shtrihesh dhe kur ngrihesh.»—Ligji i përtërirë 6:6, 7.
5 Fëmijët kanë nevojë për disiplinë
Fëmijët kanë nevojë për disiplinë që të bëhen të rritur të përgjegjshëm e të palodhur. Disa prindër mendojnë se disiplinimi i fëmijëve nënkupton trajtim të ashpër, kërcënime të egra ose fyerje poshtëruese. Gjithsesi, Bibla nuk e lidh disiplinën prindërore me ashpërsinë. Përkundrazi, prindërit duhet t’i disiplinojnë fëmijët me dashuri, siç bën Jehovai. (Hebrenjve 12:4-11) Bibla thotë: «Etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.»—Efesianëve 6:4.
Hera-herës mund të jetë e nevojshme t’i ndëshkosh. Sidoqoftë, një fëmijë duhet të kuptojë pse po ndëshkohet. Disiplina prindërore nuk duhet ta bëjë kurrë fëmijën të ndihet sikur nuk e duan. Bibla nuk i miraton rrahjet e rënda, që mund ta dëmtojnë fëmijën. (Proverbat 16:32) Kelvini thotë: «Kur duhej t’i korrigjoja fëmijët për diçka serioze, gjithnjë mundohesha t’ua bëja të qartë se po i korrigjoja ngaqë i doja.»
6 Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje
Fëmijët kanë nevojë t’i mbrojnë nga ndikimet e rrezikshme dhe shoqëritë e dëmshme. Mjerisht, në këtë botë ka ‘njerëz të ligj’ që bëjnë çmos t’i shfrytëzojnë fëmijët naivë. (2 Timoteut 3:1-5, 13) Si t’i mbrosh fëmijët? Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.» (Proverbat 22:3) Për t’i mbrojtur fëmijët nga e keqja duhet të jesh syçelë ndaj rreziqeve. Parapriju situatave që mund të çojnë në probleme dhe merr masat mbrojtëse të duhura. Për shembull, nëse i lë fëmijët të përdorin Internetin, merr masa që ata të dinë ta përdorin pa rrezikuar. Është mirë ta mbani kompjuterin në një dhomë ku ka lëvizje që mund ta mbikëqyrni kollaj.
Një baba duhet t’i mësojë dhe t’i stërvitë fëmijët për rreziqet që mund të hasin në këtë botë, ku disa duan t’i shfrytëzojnë. A dinë si të reagojnë fëmijët e tu nëse dikush përpiqet të përfitojë prej tyre kur ti nuk je atje? * Fëmijët kanë nevojë të dinë për çfarë përdoren e për çfarë nuk përdoren pjesët intime të trupit. Kelvini thotë: «Kurrë nuk ua lija të tjerëve këtë përgatitje, as mësuesve. Mendoja se ishte përgjegjësia ime t’u mësoja fëmijëve për seksin dhe rrezikun e pedofilëve.» Të gjithë fëmijët e tij u rritën të mbrojtur dhe sot kanë një martesë të lumtur.
Kërko ndihmën e Perëndisë
Dhurata më e madhe që mund t’u bëjë babai fëmijëve është t’i ndihmojë të krijojnë një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. Shembulli i babait ka rëndësi të pamasë. Donixeti thotë: «Baballarët duhet ta tregojnë sa e çmojnë marrëdhënien me Perëndinë. Kjo duhet të duket qartë sidomos kur hasin probleme a vështirësi personale. Në këto raste, babai tregon sa i madh është besimi i tij te Jehovai. Lutjet si familje që kanë shprehje të vazhdueshme mirënjohjeje drejtuar Perëndisë për mirësinë e tij, u mësojnë fëmijëve sa e rëndësishme është ta kenë mik Perëndinë.»
Pra, cili është sekreti për të qenë baba i mirë? Kërko këshillat e Perëndisë Jehova, atij që e di më mirë se kushdo si rriten fëmijët. Nëse i stërvit fëmijët sipas drejtimit që jep Fjala e Perëndisë, mund t’i shohësh rezultatet e përshkruara te Proverbat 22:6: «Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»
[Shënimet]
^ par. 6 Ndonëse këshillat e Shkrimeve të trajtuara në këtë artikull përqendrohen në rolin e babait, shumë nga parimet zbatohen edhe për nënën.
^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
^ par. 25 Për më shumë informacione si t’i mbrosh fëmijët nga abuzimi seksual shih Zgjohuni! të tetorit 2007, faqet 3–11, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 19]
Babai duhet të jetë shembull për fëmijët
[Figura në faqen 20]
Babai duhet t’u mësojë fëmijëve për Perëndinë
[Figura në faqen 21]
Fëmijët kanë nevojë t’i disiplinosh me dashuri