Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Pse ishin shpërndarë aq shumë judenjtë në kohën e Jezuit?

Kur Jezui i tha një grupi dëgjuesish se ata nuk shkonin dot atje ku po shkonte ai, judenjtë pyetën njëri-tjetrin: «Ku ka ndër mend të shkojë ky njeri . . . ? Mos vallë ka ndër mend të shkojë te judenjtë e shpërndarë mes grekëve?» (Gjoni 7:32-36) Jo shumë kohë pas kësaj, misionarët e krishterë u predikuan lajmin e mirë judenjve të shpërndarë anekënd pellgut të Mesdheut.​—Veprat 2:5-11; 9:2; 13:5, 13, 14; 14:1; 16:1-3; 17:1; 18:12, 19; 28:16, 17.

Kjo shpërndarje ose diasporë u krijua ngaqë judenjtë u çuan në mërgim nga kombet pushtuese, në fillim nga sirianët në vitin 740 p.e.s., e më pas nga babilonasit në vitin 607 p.e.s. Vetëm një mbetje e të mërguarve u kthyen në Izrael. (Isaia 10:21, 22) Pjesa tjetër mbeti e shpërndarë në mërgim.

Prandaj, në shekullin e pestë p.e.s., komunitetet judeje gjendeshin në të 127 provincat e Perandorisë Perse. (Estera 1:1; 3:8) Falë përpjekjeve të judenjve që njerëzit të njihnin fenë judaike, me kalimin e kohës shumë njerëz arritën të merrnin njëfarë njohurie për Jehovain dhe për Ligjin që ai u dha judenjve. (Mateu 23:15) Judenj nga shumë vende ishin në Jerusalem për festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., ku dëgjuan lajmin e mirë për Jezuin. Rrjedhimisht, shpërndarja e judenjve anembanë Perandorisë Romake ndihmoi në përhapjen e shpejtë të krishterimit.

Sa ar zotëronte mbreti Solomon?

Shkrimet thonë se Hirami, mbreti i Tirit, i dërgoi Solomonit katër ton ar, se mbretëresha e Shebës i dha të njëjtën sasi ari dhe se flota e Solomonit solli nga Ofiri mbi 15 ton ar. Tregimi thotë se «çdo vit Solomonit i vinin gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talenta ari» ose mbi 25 ton ar. (1 Mbretërve 9:14, 28; 10:10, 14) A është e besueshme kjo? Sa ar kishin në thesar mbretërit e lashtësisë?

Në një mbishkrim të lashtë që studiuesit e konsiderojnë të besueshëm, thuhet se faraoni Tutmesi III i Egjiptit (mijëvjeçari i dytë p.e.s.) i dha tempullit të Amun-Rasë në Karnaki rreth 13,5 ton ar. Gjatë shekullit të tetë p.e.s., mbreti asirian Tiglath-Pileseri III mori më se 4 ton ar si haraç nga Tiri, kurse Sargoni II u dhuroi të njëjtën sasi ari perëndive të Babilonisë. Nga sa thuhet, mbreti Filipi II i Maqedonisë (359-336 p.e.s.) nxirrte çdo vit më shumë se 28 ton ar nga minierat e Pangeumit në Trakë.

Thuhet se, kur djali i Filipit, Aleksandri i Madh (336-323 p.e.s.) pushtoi qytetin pers të Suzës, mori aty rreth 1.180 ton ar dhe thuajse 7.000 ton nga e gjithë Persia. Pra, krahasuar me këto të dhëna, ajo që tregon Bibla për arin që zotëronte Solomoni nuk është e ekzagjeruar.