Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai e do drejtësinë

Ai e do drejtësinë

Afrojuni Perëndisë

Ai e do drejtësinë

Hebrenjve 10:26-31

A KE qenë ndonjëherë viktimë e një trajtimi të padrejtë ose mizor, ndoshta nga dikush që duket se ia ka hedhur paq dhe nuk e ka brejtur ndërgjegjja? Një padrejtësi kaq e rëndë është ndër gjërat më të vështira për t’u përballuar, sidomos nëse dhembjen ta ka shkaktuar dikush që pritej të të donte e të kujdesej për ty. Mund të pyesësh veten: «Pse i lejon Perëndia të ndodhin këto gjëra?» * E vërteta është se Perëndia Jehova urren çdo lloj padrejtësie. Fjala e tij, Bibla, na siguron se ata që praktikojnë mëkatin me zemërgurësi nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit hyjnor. Le të shqyrtojmë fjalët e apostullit Pavël të dokumentuara te Hebrenjve 10:26-31.

Pavli shkruan: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet.» (Vargu 26) Mëkatarët e vullnetshëm janë më fajtorët. Pse? Së pari, ata nuk kryejnë vetëm një mëkat në një moment dobësie, pra, atë lloj gabimi që bëjmë të gjithë ndonjëherë ngaqë jemi të papërsosur. Ata e bëjnë zakon mëkatin. Së dyti, mëkatet e tyre janë të qëllimshme. E kanë ligësinë të rrënjosur thellë në zemër. Së treti, mëkatet e tyre nuk vijnë nga padija. Ata kanë një ‘njohuri të saktë të së vërtetës’ për vullnetin dhe kërkesat e Perëndisë.

Si i sheh Perëndia mëkatarët e papenduar dhe keqdashës? «Nuk ka më asnjë flijim për mëkatet»,​—thotë Pavli. Flijimi i Krishtit​—dhurata e Perëndisë për njerëzimin​—mbulon mëkatet që kryejmë nga papërsosmëria. (1 Gjonit 2:1, 2) Por, ata që e praktikojnë mëkatin pa u penduar, tregojnë se nuk e vlerësojnë këtë dhuratë të çmuar. Në sytë e Perëndisë ata e ‘kanë shkelur me këmbë Birin e Perëndisë dhe e kanë konsideruar si të zakonshëm gjakun’ e Jezuit. (Vargu 29) Me sjelljen e tyre tregojnë përbuzje për Jezuin dhe e trajtojnë gjakun e tij «si diçka me vlerë të ulët», si të mos ketë më shumë vlerë se gjaku i çdo njeriu të papërsosur. (Today’s English Version) Njerëz të tillë mosmirënjohës nuk do të nxjerrin dobi nga flijimi i Krishtit.

Çfarë mund të presin të ligjtë? Perëndia i drejtësisë ka premtuar: «Hakmarrja më përket mua, unë do të shpaguaj.» (Vargu 30) Të gjithë ata që janë të vendosur të praktikojnë mëkatin në dëm të të tjerëve, të kenë kujdes. Askush nuk mund të shpërfillë ligjet e drejta të Perëndisë pa u ndëshkuar. Shpesh ata e pësojnë për shkak të sjelljes së tyre të ligë. (Galatasve 6:7) Por edhe nëse kjo nuk ndodh, do të japin llogari para Perëndisë në të ardhmen e afërt kur të vijë për të pastruar tokën nga çdo padrejtësi. (Proverbat 2:21, 22) Pavli paralajmëron: «Është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë!»​—Vargu 31.

Çdo njeri, sidomos ai që është lënduar nga një keqbërës zemërgur, ngushëllohet dhe qetësohet kur mëson se Perëndia Jehova nuk e toleron mëkatin e kryer me dashje. Hakmarrjen për ndonjë padrejtësi mund ta lëmë të sigurt tërësisht në duart e Perëndisë, i cili urren çdo padrejtësi.

[Shënimi]

^ par. 1 Për të shqyrtuar pse Perëndia i ka lejuar vuajtjet, shih faqet 106-114 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.