Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lindja dhe perëndimi i ‘anijeve të Tarshishit’

Lindja dhe perëndimi i ‘anijeve të Tarshishit’

Lindja dhe perëndimi i ‘anijeve të Tarshishit’

«Anijet e Tarshishit përshkonin detet për të transportuar mallrat e tua.»​—EZEKIELI 27:25, THE JERUSALEM BIBLE

ANIJET e Tarshishit e ndihmuan mbretin Solomon të pasurohej. Njerëzit që ndërtuan këto anije ndihmuan për krijimin e alfabetit grek dhe romak. Ata ndërtuan edhe një qytet, Biblosin, nga i cili mori emrin edhe libri më i rëndësishëm që është botuar ndonjëherë.

Kush i ndërtoi dhe i drejtoi anijet e Tarshishit? Si e morën këtë emër? Në ç’mënyrë ngjarjet që kanë lidhje me këta njerëz dhe anijet e tyre dëshmojnë për saktësinë e Biblës?

Zotër të Mesdheut

Ishin fenikasit ata që ndërtuan mjetet e lundrimit që u njohën si anijet e Tarshishit. Fenikasit ishin bërë detarë të zotë që rreth një mijë vjet para kohës së Krishtit. Atdheu i tyre ishte një rrip i ngushtë bregdetar që pak a shumë gjendet aty ku ndodhet Libani i sotëm. Në veri, në lindje dhe në jug të atij trualli jetonin kombe të tjera. Në perëndim shtrihej deti i paanë Mesdhe. Për t’u pasuruar, fenikasit i drejtuan sytë nga deti.

Pak nga pak detarët fenikas krijuan një flotë detare të suksesshme. Dora-dorës që fitimet shtoheshin dhe teknologjia përparonte, ata ndërtuan anije më të mëdha që përballonin lundrime më të gjata. Pasi arritën në Qipro, Sardenjë dhe në ishujt Baleare, fenikasit ndoqën vijën bregdetare të Afrikës së Veriut, duke u drejtuar nga perëndimi derisa mbërritën në Spanjë. (Shih hartën shoqëruese.)

Mjeshtrat fenikas ndërtonin anije nja 30 metra të gjata. Me sa duket, këto anije që përshkonin detet u quajtën «anijet e Tarshishit», pasi ishin në gjendje të bënin udhëtimin prej 4.000 kilometrash nga Fenikia në jug të Spanjës, vendndodhja e mundshme e Tarshishit. *

Fenikasit nuk kishin synim të sundonin botën, vetëm të vilnin para prej saj. Këtë e arritën duke ngritur pika tregtare strategjike. Gjithsesi, si tregtarë u bënë zotër të Mesdheut.

Përtej Mesdheut

Në kërkim të fitimeve, eksploruesit fenikas çanë me guxim ujërat e oqeanit Atlantik. Anijet e tyre lundruan në bregun jugor të Spanjës derisa mbërritën në vendin e quajtur Tartesus. Rreth vitit 1100 p.e.s., ata themeluan një qytet të cilin e quajtën Gadir. Ky port, që sot njihet si Kadiksi i Spanjës, u bë ndër qytetet më të mëdha të Evropës Perëndimore.

Fenikasit eksportonin kripë, verë, peshk të tharë, cedër, pishë, punime metali, qelq, qëndisma, li të hollë dhe copa të ngjyera me të purpurtën e famshme të Tirit. Ç’pasuri mund t’i ofronte Spanja si shkëmbim?

Spanja Jugore u bë burimi më i pasur me argjend dhe metale të çmuara në Mesdhe. Sa për Tirin, portin kryesor të fenikasve, profeti Ezekiel tha: «Ti bëre tregti në Spanjë dhe more si shkëmbim për bollëkun e mallrave të tua argjend, hekur, kallaj dhe plumb.»​—Ezekieli 27:12, Today’s English Version.

Fenikasit zbuluan pranë lumit Guadalkivir, jo larg Kadiksit, rezerva të tilla minerare që dukeshin të pashtershme. Po të njëjtat minerale nxirren ende nga kjo zonë që sot quhet Rio-Tinto. Këto miniera kanë gati tre mijë vjet që japin xeherorë mjaft cilësorë.

Me linjën e anijeve Spanjë-Feniki, që tashmë ishte bërë e fuqishme, fenikasit kishin monopolin mbi argjendin spanjoll. Argjendi vërshoi në Feniki, madje edhe në Izraelin fqinj. Mbreti Solomon i Izraelit u bë ortak me mbretin fenikas, Hiramin. Për rrjedhojë, në kohën e Solomonit argjendin «s’e llogariste njeri».​—1 Mbretërve 10:21. *

Ndonëse fenikasit u bënë tregtarë me nam, ata u treguan edhe mizorë. Thuhet se nganjëherë ata i ftonin njerëzit në anije gjoja për t’u treguar mallrat, por në fakt i bënin skllevër. Me kalimin e kohës, ata tradhtuan edhe ish-ortakët e tyre, izraelitët, dhe i shitën si skllevër. Për këtë arsye, profetët hebrenj parathanë shkatërrimin e qytetit fenikas të Tirit. Si përfundim, këto profeci i përmbushi Aleksandri i Madh në vitin 332 p.e.s. (Joeli 3:6; Amosi 1:9, 10) Ky shkatërrim shënoi edhe fundin e epokës fenikase.

Trashëgimia që lanë fenikasit

Si gjithë tregtarët e zotë, edhe fenikasit i bënin marrëveshjet me shkrim. Ata përdornin një alfabet shumë të ngjashëm me hebraishten e lashtë. Edhe kombe të tjera i panë të mirat e alfabetit fenikas. Me disa ndryshime të vogla, ai u bë baza e alfabetit grek, që është pararendësi i alfabetit latin, një nga alfabetet më të përdorura sot.

Veç kësaj, qyteti i rëndësishëm fenikas i Biblosit u bë qendra e shpërndarjes së papirusit, paraardhësit të letrës. Përdorimi i papirusit për shkrim i dha shtysë krijimit të librave. Edhe termi shqip i përdorur për librin më të shpërndarë në botë, Biblën, ka ardhur nga emri Biblos. Po, historia e fenikasve dhe e anijeve të tyre të krijon bindjen se Bibla bazohet krejtësisht në fakte.

[Shënimet]

^ par. 8 Me kalimin e kohës, termi «anijet e Tarshishit» nënkuptonte një tip anijeje që mund të bënte lundrime të gjata në det.

^ par. 15 Ka mundësi që ‘flota e anijeve të Tarshishit’ që i përkiste Solomonit dhe flota e Hiramit të kenë bashkëpunuar në zonën e Ezion-Geberit dhe të kenë bërë tregti në Detin e Kuq e më tej.​—1 Mbretërve 10:22.

[Harta në faqen 27]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ITINERARET TREGTARE FENIKASE

SPANJË

TARSHISH

Lumi Guadalkivir

Gadir

Korsikë

Ishujt Baleare

Sardenjë

Siçili

Kretë

Qipro

Biblos

Tir

DETI MESDHE

Ezion-Geber

Deti i Kuq

AFRIKË

[Figura në faqen 27]

Monedhë me një anije fenikase e shekullit të katërt a të tretë p.e.s.

[Figura në faqen 27]

Rrënoja të një vendbanimi fenikas, Kadiks, Spanjë

[Burimi i figurës në faqen 26]

Museo Naval, Madrid

[Burimet e figurave në faqen 27]

Monedha: Museo Arqueológico Municipal. Puerto de Sta. María, Cádiz; rrënojat: Yacimiento Arqueológico de Doña Blanca, Pto. de Sta. María, Cádiz, España