Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një besim i përhapur

Një besim i përhapur

Një besim i përhapur

«Shihja ëndrra të llahtarshme sikur digjesha në ferr. Ishte sikur më kishin hedhur në një vend të zjarrtë dhe zgjohesha duke bërtitur. Ja pse bëja çmos që të mos mëkatoja.»​—Arlina.

A BESONI se ferri është një vend mundimi për mëkatarët? Shumë njerëz e besojnë. Për shembull, në vitin 2005, një studiues në Universitetin e Seint-Endrjusit në Skoci zbuloi se një e treta e klerikëve skocezë besonin se ata që largoheshin nga Perëndia, do të vuanin «ankth mendor të përjetshëm në ferr». Kurse një e pesta besonin se ata në ferr do të vuanin tortura fizike.

Në shumë vende, besimi te ferri është mjaft i përhapur. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, nga një anketë Gallup që u bë në vitin 2007, doli se rreth 70 për qind e të anketuarve besonin te ferri. Madje edhe në vendet kryesisht laike ekziston besimi te ferri. Një anketë Gallup në vitin 2004, zbuloi se 42 për qind e njerëzve në Kanada besonin te ferri. Kurse në Britaninë e Madhe, 32 për qind ishin të sigurt se ferri ekziston.

Çfarë predikojnë klerikët?

Shumë klerikë kanë hequr dorë nga predikimi se ferri është një vend i mirëfilltë ku njerëzit mundohen në zjarr. Ata japin një përkufizim të ngjashëm me atë që shprehet në Katekizmin e Kishës Katolike, botuar në vitin 1994. Aty thuhet se «ndëshkimi kryesor i ferrit është ndarja e përjetshme nga Perëndia».

Pavarësisht nga kjo, njerëzit vazhdojnë të besojnë se ferri është një vend vuajtjesh mendore ose fizike. Ata që e mbështetin këtë doktrinë, pretendojnë se ky besim bazohet në Bibël. Albert Mohleri, president i Seminarit Teologjik Baptist Jugor, pohon: «Është thjesht një fakt nga Shkrimet.»

Pse ka rëndësi çfarë beson?

Nëse ferri është një vend mundimi, sigurisht që duhet ta kesh frikë. Megjithatë, nëse kjo doktrinë nuk është e vërtetë, udhëheqësit fetarë që e predikojnë atë, krijojnë pështjellim dhe u shkaktojnë ankth mendor të panevojshëm atyre që e besojnë. Ata gjithashtu hedhin baltë mbi Perëndinë.

Po çfarë thotë Fjala e Perëndisë, Bibla, për këtë çështje? Në artikujt vijues do të përdoren përkthime katolike dhe protestante të Biblës për t’iu përgjigjur tri pyetjeve: (1) Çfarë ndodh në të vërtetë kur njeriu vdes? (2) Çfarë tha Jezui për ferrin? (3) Si mund të ndikojë te ti e vërteta për ferrin?