Si mund të ndikojë te ti e vërteta për ferrin?
Si mund të ndikojë te ti e vërteta për ferrin?
ATA që u mësojnë të tjerëve se ferri është një vend mundimi, keqparaqitin në mënyrë fyese Perëndinë Jehova dhe cilësitë e tij. Qartë, Bibla thotë vërtet se Perëndia do të shkatërrojë të ligjtë. (2 Selanikasve 1:6-9) Por, zemërimi i drejtë nuk është cilësia kryesore e Perëndisë.
Perëndia nuk është keqdashës ose hakmarrës. Ai madje pyet: «A ndjej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?» (Ezekieli 18:23, Diodati i Ri) Nëse Perëndia nuk ndien gëzim kur vdesin të pabesët, si mund të kënaqet duke i parë këta të mundohen për gjithë përjetësinë?
Cilësia mbizotëruese e Perëndisë është dashuria. (1 Gjonit 4:8) Në të vërtetë, «Zoti është i mirë për të gjithë, i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta». (Psalmi 145:9, Simon Filipaj) Në këmbim, Perëndia dëshiron që ta duam me gjithë zemër.—Mateu 22:35-38.
Cili është motivi yt: Frika nga ferri apo dashuria për Perëndinë?
Besimi se shpirtrat vuajnë në ferr ngjall një frikë të sëmurë ndaj Perëndisë. Ndryshe nga kjo, ai që mëson të vërtetën për Perëndinë dhe fillon ta dojë, do të ketë një frikë të shëndetshme ndaj tij. «Fillimi i dijes është frika e Zotit, janë të mençur të gjithë ata që veprojnë sipas saj»,—shpjegon Psalmi 111:10. (Simon Filipaj) Kjo frikë nga Perëndia nuk është tmerr i sëmurë, por nderim i thellë për Krijuesin. Ajo ngjall te ne një frikë të shëndetshme se mos i shkaktojmë pakënaqësi atij.
Shikoni se si ndikoi e vërteta për ferrin te Kethlina, një ish e droguar 32-vjeçare. Jeta e saj ishte vetëm festa, dhunë, urrejtje për veten dhe imoralitet. Ajo pranoi: «Shihja vajzën time një vjeçe dhe mendoja: ‘Shih ç’po i bëj. Do të digjem në ferr për këtë.’» Kethlina u përpoq ta linte drogën, por pa rezultat. «Doja
të isha e mirë,—tha ajo,—por çdo gjë në jetën time dhe në botë ishte për të ardhur keq. Dukej sikur s’kishte asnjë arsye për të qenë e mirë.»Pastaj, Kethlina takoi Dëshmitarët e Jehovait. «Mësova se ferri i zjarrtë nuk ekziston. Provat biblike ishin më se të arsyeshme,—tha ajo.—U lehtësova jashtëzakonisht kur mësova që nuk do të digjesha në ferr.» Por, ajo mësoi edhe për premtimin e Perëndisë që njerëzit mund të jetojnë përgjithmonë në një tokë të pastruar nga ligësia. (Psalmi 37:10, 11, 29; Luka 23:43) «Tani kisha një shpresë të vërtetë: të jetoja përgjithmonë në Parajsë»,—tha e entuziazmuar ajo.
A do të arrinte Kethlina ta linte drogën tani që nuk kishte më frikë nga ferri i zjarrtë? Ajo tregoi: «Kur kisha dëshirë të fortë për drogë, lutesha duke iu përgjëruar Perëndisë Jehova për ndihmë. Mendoja për pikëpamjen e tij për këto vese që të ndotin, dhe nuk doja ta zhgënjeja. Ai iu përgjigj lutjeve të mia.» (2 Korintasve 7:1) Frika se mos i shkaktonte pakënaqësi Perëndisë, e ndihmoi Kethlinën të çlirohej nga veset e saj.
Po, dashuria për Perëndinë dhe frika e shëndetshme ndaj tij—jo frika nga mundimi në ferr—mund të na motivojnë të bëjmë vullnetin e Perëndisë dhe të gëzojmë lumturi të përhershme. Psalmisti shkroi: «Lum kush i frikësohet Jehovait dhe ecën në udhët e tij!»—Psalmi 128:1.
[Kutia dhe figurat në faqen 9]
KUSH DO TË ÇLIROHET NGA FERRI?
Disa përkthime të Biblës krijojnë pështjellim kur dy fjalët greke Géena dhe Háides i përkthejnë njësoj: «ferr». Në Bibël, termi Géena i referohet shkatërrimit të plotë, pa shpresë për t’u ringjallur. Kurse ata në Háides, ose Hades, kanë shpresë se do të ringjallen.
Prandaj, pasi Jezui vdiq dhe u ringjall, apostulli Pjetër i siguroi ata që po e dëgjonin, se Jezui «nuk u la në ferr». (Veprat 2:27, 31, 32; Psalmi 16:10, King James Version) Fjala e përkthyer «ferr» në këtë varg është fjala greke Háides. Jezui nuk shkoi në ndonjë vend të zjarrtë. Hadesi ose «ferri» ishte varri. Por Jezui nuk është i vetmi që Perëndia çliron nga Hadesi.
Në lidhje me ringjalljen, Bibla thotë: «Vdekja dhe ferri i dorëzuan të vdekurit që ishin në ta.» (Zbulesa 20:13, 14, KJ) Zbrazja e «ferrit» do të nënkuptojë kthim në jetë për të gjithë ata që Perëndia i gjykon të denjë për t’u ringjallur. (Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15) Çfarë shprese e mrekullueshme për të ardhmen—të shohim të afërmit tanë të vdekur që kthehen nga varri! Jehovai, Perëndia i dashurisë së pafund, do ta bëjë këtë.