Si të kemi një familje të lumtur?
Si ta ruash përkushtimin në martesë?
Gruaja: «Vura re se im shoq, Mikeli, kishte njëfarë kohe që sillej ftohtë me mua dhe me fëmijët. * Sjellja e tij kishte ndryshuar papritur pasi ishim lidhur me Internetin dhe kisha frikë se mos po shihte pornografi në kompjuter. Një natë kur fëmijët kishin shkuar në shtrat, u ballafaqova me të dhe ai e pranoi se shihte pornografi në Internet. U bëra vrer. S’e besoja se kjo po më ndodhte mua. E humba krejt besimin që kisha tek ai. S’mjaftonte kjo, por kohët e fundit një shok pune kishte filluar të interesohej për mua.»
Burri: «Para disa kohësh, ime shoqe Meri zbuloi një pamje në kompjuterin tonë dhe më kërkoi llogari. Kur e pranova se shihja rregullisht site pornografike, u xhindos. U ndjeva tmerrësisht në siklet dhe shumë fajtor. Kujtova se kaq e pati martesa jonë.»
SI MENDON, çfarë ndodhi me marrëdhënien mes Mikelit dhe Merit? Mbase mendon se problemi kryesor i Mikelit ishte se shihte pornografi. Por, siç kuptoi edhe vetë ai, ky ves në të vërtetë ishte shenjë e një problemi më të rëndë: mungesa e përkushtimit në martesë. * Kur u martuan, Mikeli dhe Meri shpresonin se do të kalonin së bashku një jetë plot dashuri e çaste të bukura. Por, ashtu si shumë çifteve, përkushtimi ndaj martesës iu venit me kalimin e kohës dhe u duk se u ftohën disi me njëri-tjetrin.
A mendon se marrëdhënia mes teje dhe bashkëshortit është dobësuar me kalimin e viteve? A do të doje t’i ktheje gjërat si më parë? Nëse po, ke nevojë të dish përgjigjet e tri pyetjeve: ç’do të thotë t’i përkushtohesh martesës? Cilat vështirësi mund ta dobësojnë këtë përkushtim? Ç’mund të bësh për t’iu përkushtuar më shumë bashkëshortit?
Çfarë është përkushtimi?
Si do ta përkufizonit përkushtimin në martesë? Shumë do të thoshin se ai vjen nga ndjenja e detyrës. Për shembull, një çift mund ta ruajë përkushtimin në martesë për hir të fëmijëve ose nga ndjenja e detyrës që Zanafilla 2:22-24) Sigurisht, motive të tilla janë të lavdërueshme dhe e ndihmojnë martesën të mbijetojë në kohë të vështira. Por, që të jenë të lumtur, bashkëshortët nuk duhet të kenë thjesht një ndjenjë detyre ndaj njëri-tjetrit.
kanë kundrejt Perëndisë, Nismëtarit të martesës. (Perëndia Jehova e krijoi martesën që të ishte burim gëzimi dhe kënaqësie e thellë për çiftin. Ai kishte si qëllim që burri ‘të gëzojë me gruan e vet’ dhe që gruaja ta dojë burrin dhe ta ndiejë se burri e do siç do trupin e tij. (Proverbat 5:18; Efesianëve 5:28) Për të krijuar këtë lloj lidhjeje, burri dhe gruaja duhet të mësojnë t’i besojnë njëri-tjetrit. Po kaq e rëndësishme është të krijojnë një miqësi që zgjat gjithë jetën. Kur burri e gruaja fitojnë besimin e njëri-tjetrit dhe përpiqen të bëhen miqtë më të ngushtë për njëri-tjetrin, përkushtimi i tyre ndaj martesës do të forcohet. Ata do të krijojnë një lidhje për të cilën Bibla thotë se është kaq e ngushtë, sa të konsiderohen «një mish i vetëm».—Mateu 19:5.
Pra, përkushtimi i ngjan llaçit që bashkon tullat e një shtëpie të fortë. Llaçi përbëhet nga bashkimi i disa lëndëve, si rëra, çimentoja dhe uji. Po kështu, edhe përkushtimi krijohet nga bashkimi i disa faktorëve, si: ndjenja e detyrës, besimi dhe miqësia. Ç’mund ta dobësojë këtë lidhje?
Cilat janë vështirësitë?
Përkushtimi kërkon punë të palodhur dhe vetëmohim. Ai kërkon të jesh gati që të lësh mënjanë preferencat e tua për të kënaqur bashkëshortin. Mirëpo shumë veta nuk e pëlqejnë konceptin që të hapësh rrugë për të plotësuar dëshirat e dikujt tjetër, pra, të japësh pa pyetur: «Ç’fitoj unë?» Madje disa e konsiderojnë poshtërues. Por pyet veten: «Sa njerëz egoistë njoh që kanë një martesë të lumtur?» Ka të ngjarë të jenë pak, për të mos thënë asnjë. Përse? Një njeri egoist ka shumë mundësi që nuk do të qëndrojë i përkushtuar ndaj martesës kur kërkohen sakrifica personale, sidomos, kur nuk ka një përfitim të menjëhershëm për lëshimet e vogla që mund të bëjë. Pa këtë përkushtim, një marrëdhënie do të thartohet, pavarësisht se sa të ëmbla kanë qenë ndjenjat romantike të çiftit kur ranë në dashuri.
Bibla me realizëm pohon se martesa kërkon shumë përpjekje. Ajo thotë se «burri i martuar është në ankth për gjërat e botës, se si të fitojë miratimin e gruas» dhe se «gruaja e martuar është në ankth për gjërat e botës, se si të fitojë miratimin e burrit». (1 Korintasve 7:33, 34) Mjerisht, edhe bashkëshortët që në përgjithësi s’janë egoistë nuk i kuptojnë gjithnjë ankthet e njëri-tjetrit ose nuk i çmojnë gjithnjë sakrificat e bashkëshortit tjetër. Kur burri dhe gruaja nuk shprehin vlerësim për njëri-tjetrin, martesa ka shumë të ngjarë t’u sjellë «shtrëngim në mish» më tepër sesa normalisht.—1 Korintasve 7:28.
Që martesa jote të përballojë dallgët e kohëve të vështira e të lulëzojë në kohë të qeta, është e nevojshme ta shohësh marrëdhënien me bashkëshortin si një lidhje të qëndrueshme. Si ta kultivosh këtë qëndrim e si ta nxitësh edhe bashkëshortin që të mbetet i përkushtuar ndaj teje?
Si t’i përkushtohesh më shumë martesës?
Një faktor kyç është të zbatosh me përulësi këshillat e Fjalës së Perëndisë, Biblës. Në këtë mënyrë, ‘do të nxjerrësh dobi për vete’ dhe për bashkëshortin. (Isaia 48:17) Shqyrto vetëm dy hapa praktikë që mund të bësh.
1. Jepi rëndësi kryesore martesës.
Apostulli Pavël shkroi: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’ (Filipianëve 1:10) Për Perëndinë është shumë e rëndësishme mënyra se si burri e gruaja trajtojnë njëri-tjetrin. Një burrë që nderon të shoqen, do të nderohet nga Perëndia. Gjithashtu, një grua që respekton të shoqin «ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë».—1 Pjetrit 3:1-4, 7.
Sa e rëndësishme është për ty martesa? Zakonisht, sa më rëndësi t’i japësh diçkaje, aq më shumë kohë do t’i kushtosh. Pyet veten: «Sa kohë kam rezervuar muajin e kaluar për të ndenjur me bashkëshortin? Çfarë kam bërë konkretisht për ta siguruar se jemi akoma miq të mirë?» Nëse ke lënë pak ose aspak kohë për t’u kujdesur për martesën, bashkëshorti mund ta ketë të vështirë të besojë se i je përkushtuar martesës.
A mendon bashkëshorti se i je përkushtuar martesës? Si mund ta dish?
SUGJERIM: Shkruaj në një letër pesë gjërat e mëposhtme: paraja, puna, martesa, zbavitja dhe miqtë. Tani renditi këto sipas rëndësisë që mendon se kanë për bashkëshortin tënd. Thuaji bashkëshortit të bëjë të njëjtën gjë për ty. Pas kësaj shkëmbeni listat. Nëse bashkëshorti mendon se nuk po i jep kohë dhe energji sa duhet martesës, diskutoni se çfarë ndryshimesh mund të bëni për t’iu përkushtuar më shumë njëri-tjetrit. Gjithashtu, pyet veten: «Ç’mund të bëj që të tregoj më shumë interes për gjërat që janë të rëndësishme për bashkëshortin?»
2. Shmang të gjitha format e jobesnikërisë.
Jezu Krishti tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet.» (Mateu 5:28) Kur një njeri kryen marrëdhënie seksuale jashtë martesës, i jep një goditje lidhjes, një goditje që Bibla thotë se përbën bazën për divorc. (Mateu 5:32) Gjithsesi, fjalët e Jezuit të cituara më sipër tregojnë se një dëshirë e gabuar mund të ekzistojë në zemër shumë kohë para se dikush ta kryejë fizikisht aktin e kurorëshkeljes. Edhe vetë fakti që ushqen një dëshirë të gabuar është një lloj tradhtie.
Për të qëndruar i përkushtuar në martesë, bëj një premtim solemn që të mos shohësh pornografi. Pavarësisht nga ajo që mund të thonë shumë veta, pornografia është helm për martesën. Ja si ndihej një grua kur i shoqi shihte pornografi: «Burri thotë se pornografia e lezeton jetën tonë intime.
Por mua vetëm sa më bën të ndihem pa vlerë dhe sikur nuk i mjaftoj. Më zë gjumi duke qarë sa herë që ai sheh pornografi.» A do të thoshe se ky burrë po e forcon përkushtimin ndaj martesës apo po e minon? A mendon se po ia bën më të lehtë së shoqes që të mbetet e përkushtuar në martesë? A po e trajton si shoqen e tij më të ngushtë?Jobi besnik e tregoi përkushtimin ndaj martesës dhe ndaj Perëndisë duke bërë ‘një besëlidhje me sytë e tij’. Ai ishte i vendosur që të mos ‘i ndalte sytë te një virgjëreshë’. (Jobi 31:1) Si mund ta imitosh Jobin?
Përveçse duhet të shmangësh pornografinë, duhet të ruash zemrën që mos të të lindë ndonjë përzemërsi e papërshtatshme për dikë të seksit tjetër. Është e vërtetë që shumë mendojnë se flirtimi me dikë të seksit tjetër nuk e dëmton martesën. Por Fjala e Perëndisë na paralajmëron: «Zemra është më e pabesë se çdo gjë tjetër. Ajo është e rrezikshme. E kush mund ta njohë?» (Jeremia 17:9) A të ka mashtruar zemra? Pyet veten: «Kujt i tregoj më shumë vëmendje, bashkëshortit apo dikujt të seksit tjetër? Kujt ia them në fillim lajmet e mira, bashkëshortit apo dikujt tjetër? Si do të reagoj nëse bashkëshorti më thotë ta kufizoj shoqërinë me dikë të seksit tjetër? A do t’i mbaj mëri apo do ta bëj me kënaqësi këtë ndryshim?»
SUGJERIM: Në rast se të tërheq dikush tjetër, komuniko me të vetëm kur është e nevojshme dhe mbaj vetëm marrëdhënie pune. Mos u përqendro tek ato gjëra për të cilat mendon se ky person ia kalon bashkëshortit. Përqendrohu te cilësitë e mira të bashkëshortit. (Proverbat 31:29) Kujto arsyet përse e dashurove. Pyet veten: «A i ka humbur këto cilësi bashkëshorti im apo jam unë që nuk i shoh më?»
Merr iniciativën
Mikeli dhe Meri, të përmendur në fillim, vendosën të kërkonin këshilla si të zgjidhnin problemet e tyre. Sigurisht, të kërkosh këshilla është vetëm hapi i parë. Gjithsesi, duke qenë të gatshëm t’i pranonin problemet e tyre dhe të kërkonin ndihmë, Mikeli dhe Meri treguan qartë se janë të përkushtuar në martesë dhe se janë gati të përpiqen me mish e me shpirt që ajo të ketë sukses.
Sido që të jetë martesa jote, e fortë apo e tensionuar, bashkëshorti ka nevojë të dijë se je i përkushtuar dhe përpiqesh që martesa të ketë sukses. Bëj të gjitha hapat e nevojshëm për ta bindur bashkëshortin se je i përkushtuar. A je gati ta bësh këtë?
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.
^ par. 5 Ndonëse në këtë shembull është burri që shihte pornografi, edhe një grua që bën të njëjtën gjë tregon se nuk i përkushtohet sa duhet martesës.
PYET VETEN . . .
-
Cilat aktivitete duhet të kufizoj që të kem më shumë kohë për bashkëshortin?
-
Ç’mund të bëj që ta siguroj bashkëshortin se jam i përkushtuar në martesë?