Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Çfarë përfshinte puna e Jezuit si zdrukthëtar?

Babai adoptues i Jezuit ishte zdrukthëtar. Edhe Jezui mësoi të njëjtin zanat. Ai ishte «rreth tridhjetë vjeç» kur filloi shërbimin. Tani nuk e shihnin më vetëm si ‘birin e zdrukthëtarit’, por edhe si zdrukthëtar.—Luka 3:23; Mateu 13:55; Marku 6:3.

Aty ku jetonte Jezui duhet të ketë pasur kërkesa për vegla të tilla bujqësore, si parmenda dhe zgjedha, që ishin kryesisht prej druri. Ndër punimet e tjera të zakonshme të një zdrukthëtari ishin mobiliet, si tavolina, karrige, stola dhe sëndukë, por edhe sende të tilla, si dyer, dritare, shula druri dhe trarë. Disa aspekte të zdrukthëtarisë përfshinin edhe punë ndërtimi.

Në një ilustrim, Gjon Pagëzori përmendi sëpatën, vegël që Jezui dhe zdrukthëtarët e tjerë ka shumë të ngjarë ta kenë përdorur për të prerë dru. Më pas drutë ose përpunoheshin aty në vend e bëheshin trarë, ose transportoheshin ashtu siç ishin në zdrukthëtari. Për këtë fazë të punës, kërkohej patjetër shumë fuqi. (Mateu 3: 10) Profeti Isaia rendit edhe disa vegla të tjera që përdoreshin nga zdrukthëtarët në ato kohë: «Ai që gdhend drurin, shtrin litarin për matje. E vizaton . . . me shkumës të kuq, e punon me daltë, e mat me kompas.» (Isaia 44:13) Zbulimet arkeologjike vërtetojnë se në kohët biblike janë përdorur sharra metali, çekanë guri dhe gozhdë bronzi. (Dalja 21:6; Isaia 10:15; Jeremia 10:4) Është me vend të mendojmë se edhe Jezui përdori gjëra të tilla.

Cilët ishin «bankierët» që përmenden në një nga ilustrimet e Jezuit dhe ç’punë bënin ata?

Jezui foli për një zotëri që qortoi rëndë një skllav të plogësht me fjalët: «Ti duhej ta kishe depozituar monedhën time të argjendtë te bankierët dhe, kur të vija, do të merrja me kamatë atë që është imja.»—Mateu 25:27.

Në kohën e Jezuit nuk kishte institucione të mëdha financiare si sot. Megjithatë prej kohësh kishte huadhënës që nga njëra anë mbanin paratë e të tjerëve për të cilat jepnin interes, por nga ana tjetër jepnin hua me interesa edhe më të larta. Sipas një fjalori (The Anchor Bible Dictionary), borxhet me interes ishin të zakonshme në Greqi që në shekullin e katërt p.e.s. Dhe gjatë kohës së paqes që kishin vendosur romakët, përqindjet vjetore të interesit për huatë e dhëna luhateshin nga 4 deri 6 për qind në gjithë perandorinë.

Në ligjin e Moisiut nuk lejohej t’u jepej hua me kamatë nevojtarëve izraelitë. (Dalja 22:25) Ky rregull, me sa duket, zbatohej kryesisht për huatë e të varfërve. Megjithatë, siç tregon edhe ilustrimi i Jezuit, të merrje interes për paratë e depozituara pranë një huadhënësi apo ‘bankieri’ ishte diçka normale. Kështu, si gjithmonë, Jezui përdorte në ilustrim elemente që njerëzit i njihnin mirë.