A e pranojnë dhiatën e vjetër Dëshmitarët e Jehovait?
Lexuesit pyesin
A e pranojnë dhiatën e vjetër Dëshmitarët e Jehovait?
Dëshmitarët e Jehovait e konsiderojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë dhe Dhiatën e Vjetër e Dhiatën e Re i pranojnë si pjesë thelbësore të saj. Megjithatë, ata parapëlqejnë të përdorin emërtimet më të përshtatshme «Shkrimet Hebraike» dhe «Shkrimet e Krishtere Greke». Kjo sepse hebraishtja dhe greqishtja ishin gjuhët kryesore në të cilat u shkruan në fillim Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re.
Nga ana tjetër disa që thonë se janë të krishterë, ngurrojnë ta pranojnë Dhiatën e Vjetër. Ata thonë se aty përshkruhet një Perëndi i zemëruar, që miratonte luftën, vrasjen, e veprime që zor se përputhen me Perëndinë e virtytshëm e plot dashuri që shohin në Dhiatën e Re. Ose mendojnë se, përderisa Dhiata e Vjetër flet kryesisht për fenë e hebrenjve, atëherë s’ka lidhje me të krishterët. Megjithatë, a janë këto arsye të vlefshme për të hedhur poshtë rreth tre të katërtat e Biblës, duke pasur parasysh urdhrin te Ligji i përtërirë 12:32 për të mos shtuar a hequr asnjë nga fjalët e tij?
Aty rreth vitit 50 të e.s., kur apostulli i krishterë Pavël vizitoi qytetarët e Selanikut, «arsyetoi me ta nga Shkrimet, duke shpjeguar e provuar me pjesë nga shkrimet se Krishti duhej të vuante e të ngrihej nga të vdekurit». (Veprat 17:1-3) Disa nga dëgjuesit u bënë të krishterë dhe Pavli më vonë i lavdëroi: «Kur e dëgjuat fjalën e Perëndisë nga ne, e pranuat jo si fjalë njerëzish, por siç është me të vërtetë, si fjalën e Perëndisë.» (1 Selanikasve 2:13) Në kohën kur i vizitoi Pavli, nga 27 librat e Shkrimeve të Krishtere Greke me sa duket ishte shkruar vetëm Ungjilli i Mateut. Pra, «Shkrimet» që Pavli përdori për të provuar «me pjesë nga shkrimet», ishin pa dyshim nga Shkrimet Hebraike.
Në fakt, shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke iu referuan drejtpërdrejt Shkrimeve Hebraike 320 herë dhe tërthorazi, disa qindra herë. Përse? Sepse «gjithçka që u shkrua kohë më parë, u shkrua për mësimin tonë, që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë». (Romakëve 15:4) Kjo tregon qartë se ata që e pranojnë të tërë Biblën, nxjerrin dobi të pamasë.
Shkrimet e Krishtere Greke, që u bazuan në themelin e hedhur nga Shkrimet Hebraike, janë një zgjerim logjik i Fjalës së Perëndisë, që erdhi për shkak të shpalosjes graduale të qëllimeve të tij. Ato nuk ia ulin aspak vlerën Shkrimeve Hebraike. Herbert H. Farmeri, profesor teologjie në Universitetin e Kembrixhit, argumenton se Ungjijtë «nuk mund të kuptohen pa historinë e popullit të besëlidhjes së vjetër, siç paraqitet në Dhiatën e Vjetër».
Fjala e Perëndisë nuk ka nevojë për ndryshime. Megjithatë, «shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që ndriçon gjithnjë e më shumë, derisa bëhet ditë e plotë». (Proverbat 4:18) Duke u shtuar librave të tjerë të Biblës Shkrimet e Krishtere Greke, Perëndia hodhi më shumë dritë mbi përmbushjen e qëllimit të tij, por pa ia ulur vlerën Shkrimeve Hebraike. Të gjitha janë pjesë e ‘fjalës së Jehovait që qëndron përgjithmonë’.—1 Pjetrit 1:24, 25.