Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkoja për gabime, gjeta të vërtetën

Kërkoja për gabime, gjeta të vërtetën

Kërkoja për gabime, gjeta të vërtetën

Treguar nga R. Stjuart Marshalli

«Ne nuk flasim me Dëshmitarët e Jehovait,—tha prifti jezuit.—Ata përdorin Biblën.» Përgjigjja e tij më habiti, ngaqë, sapo i kisha kërkuar ndihmë për gruan time që t’i tregonte disa kontradikta midis mësimeve të Dëshmitarëve të Jehovait. Kështu vendosa të studioja vetë me Dëshmitarët që t’ia mbushja mendjen gruas se e kishte gabim.

KY ISHTE momenti kur unë, në moshën 43-vjeçare, iu përvesha punës për të hedhur poshtë mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait duke përdorur njohurinë time në fushat e logjikës dhe të teologjisë. Që nga shkolla fillore e deri në universitet kisha ndjekur vetëm shkolla katolike. Ndonëse u diplomova në ekonomi, më 1969, dhe ndoqa leksionet e detyrueshme në filozofi e teologji, në asnjë nga shkollat katolike që bëra nuk përfshihej studimi i Biblës.

Pas universitetit u martova me Patrisha Mekxhinin, edhe ajo katolike. Më pas të dy morëm doktoratën në Universitetin e Stenfordit. Më 1977 lindi djali ynë, Stjuarti, dhe përfundimisht u vendosëm me banim në Sakramento të Kalifornisë, SHBA. Për 23 vjet punova në Zyrën e Analistëve Legjislativë të shtetit të Kalifornisë, ku analizonim ndikimin financiar të buxhetit shtetëror për arsimin. Punoja fort dhe isha i lumtur. Më pëlqente shumë roli i babait ndërsa rritej djali. Gruaja ime e dashur më mbështeste me besnikëri, e po ashtu edhe unë.

Përgjigje për 25 cent

Kur djali ishte dy vjeç, Patrisha mori një Bibël nga Dëshmitarët e Jehovait dhe filloi të studionte me ta. Tre vjet më vonë u pagëzua. Mendoja se Dëshmitarët e Jehovait ishin mendjengushtë në pikëpamjet e tyre për festat dhe transfuzionin e gjakut, megjithatë vura re se arsyetimet mbi disa pika ishin bindëse. Për habinë time, një ditë të vitit 1987, e bëra të njohur publikisht atë që mendoja, në një seancë të përbashkët të komisioneve arsimore të senatit dhe të asamblesë ku më thirrën të dëshmoja për një nga rekomandimet që i kisha bërë organit ligjvënës të shtetit.

Universiteti i Kalifornisë kërkonte fonde që të konkurronte me shtete të tjera për të fituar një projekt federal prej gjashtë miliardë dollarësh. Projekti përfshinte ndërtimin e një superpërshpejtuesi grimcash subatomike. Unë kisha rekomanduar të mos miratohej kërkesa, pasi në fund nuk do t’i sillte ndonjë dobi ekonomisë së shtetit. Si kundërpërgjigje, universiteti solli dy fitues të çmimit Nobel në fizikë për të dëshmuar para organit ligjvënës. Që të dy folën për njohurinë që mund të fitohej nga ky projekt. Njëri prej tyre tha se mund t’u jepej përgjigje pyetjeve për origjinën e universit. Tjetri tha se mund të na ndihmojë të kuptojmë si filloi jeta në planetin tonë.

Kryetari i komisioneve u kthye nga unë.

«A mendon se gjashtë miliardë dollarë janë shumë për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve?»—më pyeti.

«Jam dakord që këto pyetje janë të rëndësishme,—iu përgjigja.—Megjithatë, të shtunave në mëngjes, Dëshmitarët e Jehovait vijnë në shtëpinë time për të më ofruar një revistë që u përgjigjet të njëjtave pyetje vetëm për 25 cent. Nuk jam i sigurt nëse përgjigjet që mund të marrim për gjashtë miliardë dollarë janë më të mira se përgjigjja e tyre për 25 cent.»

Të gjithë në auditor ia plasën të qeshurit, përfshirë edhe fituesit e çmimit Nobel. Megjithëse organi ligjvënës e miratoi fondin për projektin, askush nuk e kundërshtoi arsyetimin tim.

Me kalimin e kohës po e shihja gjithnjë e më shumë të nevojshme të rregulloja një situatë që po krijohej në familje. Pas gjashtë vjet debatesh me Patrishën për Biblën dhe Dëshmitarët e Jehovait, u zhgënjeva kur më tha se donte t’i kushtonte më shumë kohë predikimit. Kjo do të thoshte se do të punonte më pak në universitet. Pyetja veten se si ka mundësi që një njeri i arsyeshëm të kishte një synim të tillë, por dukej se asgjë që thosha e bëja, nuk ia kthente dot mendjen.

Kërkova mbështetjen e një eksperti, të dikujt që e njihte Biblën më mirë se unë dhe që sipas meje do t’i tregonte lehtë mospërputhjet midis mësimeve të Dëshmitarëve të Jehovait dhe Biblës. Po të provohej se ishte i gabuar sikur edhe vetëm një mësim i tyre, do të viheshin në dyshim gjithë të tjerat. Aq do të më mjaftonte ta bindja gruan time mendjemprehtë. Fola me priftin e kishës jezuite ku shkonim më parë. Takimi u mbyll me fjalët e shkruara në fillim të këtij artikulli. Kur prifti nuk pranoi të fliste me Patrishën, e kuptova se, pavarësisht se do të më duhej më shumë kohë, më mbetej mua të gjeja gabimet e t’ia tregoja asaj.

Rezultatet e kërkimeve të mia

Ndërsa studioja Biblën me Dëshmitarët, ato që më bënë më shumë përshtypje ishin profecitë e Biblës. Në librin e profetit Isaia lexova hollësi për rënien e Babilonisë, të shkruara 200 vjet para se të ndodhnin. Për shembull, aty përmendet emri i pushtuesit, Kirit, dhe përshkruhet taktika e pushtimit të Babilonisë, duke devijuar lumin Eufrat. (Isaia 44:27–45:4) Vite më parë, kisha studiuar për rënien e Babilonisë në lëndën e strategjisë ushtarake. Gjithashtu, mësova se, më tepër se 200 vjet para se të ndodhnin, profeti Daniel kishte parathënë hollësi për një mbret të fuqishëm të Greqisë, pas vdekjes së të cilit mbretëria e tij do të ndahej në katër mbretëri më pak të fuqishme. (Danieli 8:21, 22) M’u kujtua se këto gjëra për Aleksandrin e Madh i kisha mësuar kur studioja historinë e lashtësisë. Nga kërkimet që bëra nëpër vepra referimi të ndryshme, u binda se këta libra të Biblës ishin shkruar vërtet para se të ndodhnin ngjarjet që parathoshin.

Sa më shumë studioja me Dëshmitarët, aq më tepër bindesha se Bibla është Fjala e Perëndisë dhe këtë s’kishin arritur ta bënin vite të tëra studimi të teologjisë katolike. Ç’do të bëja tani me gjithë këtë njohuri? Vendosa t’ia kushtoja jetën Jehovait e të bëhesha një nga Dëshmitarët e tij. (Isaia 43:10) U pagëzova më 1991, vetëm dy vjet pas bisedës me priftin. Djali u pagëzua një vit më vonë.

Tani që kishim interesa të tjera në jetë, ndryshuan edhe synimet e familjes. Ndër gjërat e para që bëra pasi u pagëzova, ishte hartimi i një plani pesëvjeçar për gruan që ta linte punën në universitet kur të bëhej 50 vjeçe. Ajo donte të shërbente si pioniere, që do të thoshte të predikonte 1.000 orë në vit, ose rreth 83 orë në muaj, për t’u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike. Më 1994 i kishte reduktuar mjaftueshëm orët e punës, aq sa të fillonte shërbimin si pioniere. Synimet e mia fillestare ishin: të aftësohesha në predikim, të ndihmoja aq sa mundesha në kongregacion dhe të bëja vullnetarisht bilancet për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në zonën tonë.

Ndonjëherë në punë kisha mundësi të flitja për Biblën. Mora vesh që një analiste buxheti e re në Zyrën e Analistëve Legjislativë ishte Dëshmitare që nuk e praktikonte më besimin e saj. Dyshimet rreth Biblës ia kishin dobësuar besimin. Pata kënaqësinë ta ndihmoja që të ripërtërinte marrëdhënien me Perëndinë. Ajo u kthye në shtetin ku jetonte dhe filloi të shërbente si pioniere.

Më 1995 po ndiqja një seancë të përbashkët të komisioneve arsimore të asamblesë dhe senatit për projektet kërkimore federale. Kryetari i komisioneve e pyeti përfaqësuesin federal se ç’ishte bërë me projektin për superpërshpejtuesin e grimcave subatomike. Ai iu përgjigj se projektin e kishte fituar shteti i Teksasit, por nuk përfundoi kurrë, për tri arsye. Së pari, që para se të fillonte, kostoja e projektit u rrit nga gjashtë në nëntë miliardë dollarë. Së dyti, qeveria federale donte t’i përdorte fondet diku tjetër, kryesisht në luftën e vitit 1991 në Irak. Së treti, kuptuan se përgjigjet e pyetjeve të rëndësishme për jetën, mund t’i merrnin për 25 cent nga Dëshmitarët e Jehovait. Duket se fjalët e mia shkuan nga shkuan dhe u kthyen prapë aty ku nisën.

Ndërsa të gjithë qeshnin, disa nga anëtarët e komisionit kthyen sytë nga unë. Atëherë i përditësova të pranishmit: «Tani mund t’i merrni përgjigjet falas, mjafton të lexoni literaturën.»

Jetë aktive dhe kuptimplotë

Kur gruaja doli në pension, bëmë një plan pesëvjeçar për mua. Pa rënë në sy, fillova të kontaktoja agjenci të tjera për punë në kohë të pjesshme, sepse doja të kaloja më shumë kohë duke u mësuar të tjerëve të vërtetat biblike. Papritur, Zyra e Analistëve Legjislativë më dha mundësinë të punoja me orar të reduktuar. Kështu, më 1998 edhe unë u bëra pionier.

Një mëngjes, ndërsa me gruan po bëheshim gati për shërbim, morëm një telefonatë nga zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Në bazë të një sondazhi të mëparshëm, telefonuesi na pyeti nëse ishim të interesuar të bashkëpunonim për një projekt në Bruklin. Iu përgjigja me një po të vendosur. Kështu punuam për 18 muaj në selinë botërore. Për përfundimin e projektit, mu desh të dilja në pension të parakohshëm nga puna në shtetin e Kalifornisë. Pas kësaj punuam si vullnetarë në ndërtimin e Sallës së Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait në Ferfilld, Kaliforni. Shitëm shtëpinë në Sakramento dhe u vendosëm në një apartament të vogël në Palo-Alto. Falë daljes së parakohshme në pension, gëzova bekime të mëtejshme. Që nga ajo kohë kemi bashkëpunuar me projekte në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri, Afrikë të Jugut, Kanada, Britani dhe Gjermani.

Ashtu si Dëshmitarët që na ndihmuan, edhe unë e gruaja ime gëzojmë teksa i ndihmojmë të tjerët të mësojnë të vërtetat biblike. Me sinqeritet them se arsimimi nga Jehovai është më shpërblyes se çdo arsimim i lartë. Për temat që trajton dhe shpjegimin e qartë të tyre, nuk ka të krahasuar në botë. Jehovai i ka stërvitur Dëshmitarët e tij që t’ua mësojnë të tjerëve të vërtetën biblike në një mënyrë që të prekë si mendjen, edhe zemrën. Kjo më shtyn të vazhdoj të mësoj. Unë dhe gruaja jemi mirënjohës për jetën që gëzojmë tani dhe për privilegjin që të përdorim arsimimin tonë në shërbim të Sovranit të Universit, Perëndisë Jehova.

[Diçitura në faqen 27]

Ndërsa studioja Biblën me Dëshmitarët, ato që më bënë më shumë përshtypje ishin profecitë e Biblës

[Figura në faqen 27]

Me Patrishën, ditën e dasmës

[Figura në faqen 29]

Unë dhe Patrisha ndërsa ndihmojmë të tjerët të mësojnë të vërtetat biblike