Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Liri e vërtetë për popullin maja

Liri e vërtetë për popullin maja

Liri e vërtetë për popullin maja

MAJAT njihen për arritjet e kohëve të lashta. Çdo vit mijëra turistë shkojnë në gadishullin e Jukatanit, Meksikë, dhe mahniten nga piramidat mbresëlënëse si ato në Çiçén-Itsá dhe Kobá. Majat njihen jo vetëm për gjenialitetin në inxhinieri, por edhe për arritje në fusha të tjera, si shkrimi, matematika dhe astronomia. Ata shpikën një sistem të sofistikuar shkrimi hieroglif, konceptin e zeros dhe një kalendar me 365 ditë.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për fenë, gjërat janë krejt ndryshe. Majat besonin në perëndi të panumërta. Ndër gjërat e shumta që adhuronin, ishin perënditë e diellit, të hënës, të shiut dhe të misrit. Priftërinjtë e tyre ishin të dhënë pas vëzhgimit të yjeve. Kur adhuronin perënditë, digjnin temjan, përdornin shëmbëlltyra, vetëgjymtoheshin, derdhnin gjak sipas riteve dhe sakrifikonin njerëz, sidomos të burgosur, skllevër e fëmijë.

Mbërrijnë spanjollët

Ky ishte qytetërimi i zhvilluar që gjetën spanjollët kur mbërritën në fillim të shekullit të 16-të. Konkuistadorët, siç quheshin ndryshe ushtarët aventurierë spanjollë, kishin dy synime: të fitonin toka të reja e pasuri dhe t’i kthenin majat në katolikë, që t’i çlironin kështu nga praktikat barbare pagane. Por, pushtimi spanjoll, u solli vërtet liri fetare majave apo ndonjë lloj tjetër lirie?

Spanjollët, përfshirë edhe kleri i kishës katolike, zaptuan tokat e përbashkëta, të cilat majat kishin kohë që i kthenin në toka bujqësore sipas metodës së tyre tradicionale: në fillim prisnin pemët e më pas digjnin terrenin. Ky zaptim solli mjaft vuajtje e armiqësi. Kolonizatorët shtinë në dorë edhe senotet, ose honet e thella, që ishin pothuajse të vetmet burime uji në gadishullin e Jukatanit. Vuajtjet u shtuan kur, përveç taksës së rëndë të shtetit, majave iu desh të paguanin edhe një taksë vjetore të vendosur nga kisha: 12,5 realë * për çdo burrë dhe 9 për çdo grua. Pronarët spanjollë të tokave shfrytëzuan këtë rast dhe paguan taksën për majat, por pastaj i detyruan të punonin deri sa të lanin borxhin, duke i trajtuar si skllevër.

Gjithashtu, edhe priftërinjtë kërkonin para për shërbime të tilla, si pagëzimi, martesa dhe varrimi. Kisha u pasurua në kurriz të majave duke zaptuar tokat, duke marrë taksë për kokë e duke kërkuar para për shërbimet që ofronte. Fshatarët shiheshin si besëtytë dhe injorantë nga natyra. Për këtë arsye kleri dhe të tjerët mendonin se majat duheshin fshikulluar me kamxhik për t’i disiplinuar dhe për t’u hequr besëtytnitë.

Lufta e Kastave

Në fillim majat ngritën krye e nuk ia paguan taksën kishës, nuk i çuan fëmijët në shkollat e saj, braktisën orët e katekizmit dhe nuk pranuan të punonin në hasiendas ose ndryshe në plantacione. Por kjo solli më shumë keqtrajtime se më parë. Gjendja arriti kulmin në vitin 1847—pas rreth 300 vjetësh nën pushtimin spanjoll. Majat u ngritën kundër «të bardhëve», dhe kjo u quajt Lufta e Kastave.

Udhëheqësit e rebelëve përdorën një simbol fetar që quhej Kryqi që flet. Mbrapa tij qëndronte një njeri që fliste pa lëvizur buzët, dhe bënte të dukej sikur kryqi nxiste luftën deri në vdekje. Majat dështuan keqas. Më 1853, kur lufta mbaroi zyrtarisht, kishin humbur jetën rreth 40 për qind e majave të Jukatanit. Prapëseprapë pati konflikte të herëpashershme edhe për 55 vite të tjera. Më në fund, majat ia dolën mbanë të çliroheshin nga zgjedha e spanjollëve dhe u bë një ndarje tokash më e drejtë. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për fenë?

Liri e rreme

As futja e katolicizmit nga spanjollët e as Lufta e Kastave nuk u solli majave çlirim të vërtetë. Sot ka mbetur një lloj feje ku zakonet vendëse të periudhës para pushtimit spanjoll janë shkrirë me traditat katolike.

Duke folur për majat e ditëve tona, libri Majat3000 vjet qytetërim (anglisht), thotë: «Majat përnderojnë perënditë e lashta të natyrës dhe paraardhësit e tyre nëpër fusha, shpella e male . . . dhe në të njëjtën kohë shkojnë në kishë për të adhuruar të shenjtët.» Kështu perëndia Ketzalkoatl, ose ndryshe Kukulkan barazohet me Jezuin, ndërsa perëndesha hënë me virgjëreshën Mari. Më tej, pemës së shenjtë seiba, që ata adhuronin, ia zuri vendin kryqi, që edhe sot e kësaj dite e ujitin si të ishte pemë. Edhe kryqet, në vend të imazheve të Jezuit, kanë si zbukurim lule nga kjo pemë.

Më në fund liria e vërtetë!

Vitet e fundit, Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë arsimimi biblik për popullsinë maja. Ata mund të lexojnë literaturë biblike, si kjo revistë, në gjuhën e tyre dhe të kuptojnë qëllimin që ka Perëndia për njerëzimin. Cilat ishin rezultatet? Kur po shkruhej ky artikull ishin rreth 6.600 predikues të lajmit të mirë të Mbretërisë që flasin gjuhën maja. Këta bëjnë pjesë në 241 kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë. Por, a ka qenë e lehtë për ta të shkëputeshin nga besimet tradicionale e të përqafonin të vërtetat e Biblës?

Për shumë nga majat me zemër të sinqertë kjo ka qenë e vështirë. Marselinoja dhe gruaja e tij, Margarita, e mbanin veten për katolikë të devotshëm. Çdo vit përnderonin kryqin duke e mbajtur nga kisha deri në shtëpi. Atje flijonin kafshë që më pas i hanin me të afërmit dhe miqtë. Kur Dëshmitarët e Jehovait shkuan t’u predikonin, filluan të studionin Biblën me ta. «Nga gjërat që po mësonim, kuptuam se kjo ishte e vërteta,—kujtojnë ata,—por mendonim se po të ndërronim fenë, do të na sulmonin shpirtrat.» Pavarësisht nga kjo, ata vazhduan të studionin. «Pak nga pak e vërteta biblike na hyri në zemër,—thotë Marselinoja,—dhe kështu morëm guxim t’u flitnim të afërmve dhe miqve për gjërat që kishim mësuar nga Bibla. Sot jemi të lumtur ngaqë jemi çliruar nga besëtytnitë që na mbanin robër. Ah, sikur të kishim filluar më parë! Tani mundohemi të fitojmë kohën e humbur dhe bëjmë çmos t’u tregojmë të tjerëve të vërtetat e mrekullueshme të Biblës.»

Alfonsoja 73-vjeçar ishte një katolik i devotshëm. Në qytetin ku banonte, organizonte festa fetare ku mbaheshin mesha, kërcehej dhe kishte ushqim e pije për gjithë të pranishmit. Gjithashtu, bëheshin edhe ndeshje me dema. «Nga pija e tepërt, ishte normale që këto festa të përfundonin në sherre,—thotë ai.—Megjithëse festat më pëlqenin, e kuptoja që diçka nuk shkonte në fenë time.» Kur i predikuan Dëshmitarët e Jehovait, Alfonsoja pranoi të fillonte një studim biblik. Edhe pse i sëmurë, filloi të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë. Sot, ai ka hequr dorë nga të gjitha ritet fetare të mëparshme dhe shfrytëzon çdo mundësi për t’u treguar atyre që e vizitojnë në shtëpi gjërat që ka mësuar për Jehovain.

Këta janë vetëm disa nga majat e shumtë me zemër të sinqertë që kanë fituar liri të vërtetë në kuptimin fetar. Po, pasardhësit e ndërtuesve të piramidave mbresëlënëse të Jukatanit janë ende mes nesh. Ata vazhdojnë të flasin të njëjtën gjuhë. Shumë jetojnë si paraardhësit e tyre, në shtëpi të bëra me thupra e të veshura me baltë, dhe çati me degë palmash. Ata kultivojnë misër dhe pambuk me të njëjtën metodë, shpyllëzim dhe djegie terreni. Por ndryshe nga e kaluara, sot, Fjala e Perëndisë ka bërë që shumë maja të lirohen nga gënjeshtrat fetare dhe besëtytnitë. Ata e dinë mirë tani ç’donte të thoshte Jezui me fjalët e fuqishme: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.»—Gjoni 8:32.

[Shënimi]

^ par. 6 Reali ishte njësi monetare spanjolle në të kaluarën.

[Harta në faqen 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Zonë ku shihet ndikimi i majave të lashtësisë

Gjiri i Meksikës

MEKSIKË

Gadishulli i Jukatanit

Çiçén-Itsá

Kobá

BELIZE

GUATEMALË

HONDURAS

SALVADOR

[Figura në faqen 13]

Rrënoja të qytetërimit maja në Çiçén-Itsá

[Figura në faqen 15]

Marselinoja dhe gruaja e tij, Margarita, duke predikuar lajmin e mirë në Jukatan