Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pastërtia​—Përse është e rëndësishme?

Pastërtia​—Përse është e rëndësishme?

Pastërtia​—Përse është e rëndësishme?

Për mijëra vjet, njerëzimin e kanë munduar epidemitë dhe murtajat. Disa kanë arritur në përfundimin se ato ishin shenja të zemërimit të Perëndisë dhe ndëshkime për keqbërësit. Vëzhgime të kujdesshme dhe kërkime të thella për shumë shekuj zbuluan se shkaku i këtyre sëmundjeve shpesh ishin krijesa të vogla që jetojnë mes nesh.

Studiuesit në fushën e mjekësisë zbuluan se minjtë, furrtaret e zeza, mizat dhe mushkonjat mund të bartin dhe të transmetojnë sëmundje. Gjithashtu, zbuluan se shpesh njerëzit kontribuojnë në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse duke lënë pas dore higjienën. Me sa duket nga pastërtia mund të varen jeta dhe vdekja.

Kuptohet që normat e pastërtisë ndryshojnë sipas zakoneve të vendit dhe rrethanave. Në vendet ku mungojnë uji i rrjedhshëm dhe kanalizimet e përshtatshme, pa dyshim do të ishte e vështirë ruajtja e higjienës. Megjithatë, kur izraelitët endeshin në shkretëtirë, Perëndia u dha udhëzime për pastërtinë, pavarësisht se kushtet për të ruajtur një higjienë të mirë ishin ndër më të vështirat.

Pse i intereson Perëndisë pastërtia? Cila është pikëpamja e drejtpeshuar për pastërtinë? Cilët hapa të thjeshtë mund të ndërmarrësh ti dhe familja jote për të parandaluar sëmundjet?

MËSIMI mbaron dhe Maksi * i vogël që jeton në Kamerun, kthehet në shtëpi. E ka marrë uria dhe i pihet ujë. Hyn në shtëpinë e tij të thjeshtë, përqafon qenin, vë çantën e shkollës mbi tryezën e ngrënies, ulet dhe mezi pret t’i sjellin për të ngrënë.

Nga kuzhina mamaja dëgjon Maksin të hyjë në shtëpi dhe i çon pjatën me pilaf e fasule. Por, kur sheh çantën mbi tryezën e pastër, fytyra e saj ndryshon. Kthehet nga i biri dhe ngadalë thotë vetëm një fjalë: «Maksiii!» Maksi e kupton, heq rrëmbimthi çantën dhe vrapon të lajë duart. Shpejt e shpejt kthehet tek ushqimi që mezi pret të hajë dhe si i zënë në faj murmurit: «Më fal, o ma, se harrova.»

Një nënë e kujdesshme mund të bëjë shumë për të ruajtur shëndetin dhe pastërtinë, megjithëse është i nevojshëm edhe bashkëpunimi i të gjithë pjesëtarëve të familjes. Siç tregohet edhe në shembullin e Maksit, duhet kohë dhe stërvitje, sepse pastërtia kërkon përpjekje këmbëngulëse dhe fëmijët duhen kujtuar orë e minutë.

Nëna e Maksit e di se mikrobet mund të futen në ushqim në mënyra nga më të ndryshmet. Prandaj, jo vetëm që lan duart me kujdes para se të gatuajë, por edhe e mbulon ushqimin që të mos e prekin mizat. Ajo nuk e lë ushqimin zbuluar, pastron dhe sistemon shtëpinë, kështu mban larg minjtë dhe furrtaret e zeza.

Arsyeja kryesore përse mamaja e Maksit kujdeset kaq shumë është se dëshiron të kënaqë Perëndinë. Ajo shpjegon: «Bibla thotë se shërbëtorët e Perëndisë duhet të jenë të shenjtë sepse Perëndia është i shenjtë.» (1 Pjetrit 1:16) Pastaj shton: «Shenjtëria ngjason me pastërtinë. Prandaj dua që shtëpia dhe familja ime të jenë të pastra. Patjetër, kjo arrihet vetëm kur ndihmojnë të gjithë.»

Bashkëpunimi si familje është i domosdoshëm

Siç vëren edhe mamaja e Maksit, ruajtja e higjienës në familje kërkon përfshirjen e gjithsecilit. Herë pas here, disa familje mblidhen dhe diskutojnë për nevojat që mund të lindin, si dhe për përmirësimet që mund të bëhen brenda e jashtë shtëpisë. Kjo i kontribuon edhe unitetit brenda familjes e i kujton secilit rolin që ka në ruajtjen e mirëqenies së të gjithëve. Për shembull, mamaja mund t’u shpjegojë fëmijëve më të rritur përse duhet t’i lajnë duart pasi shkojnë në banjë, para se të hanë ose kur prekin gjëra të papastra, si paratë. Këta pastaj, mund të kujdesen që edhe më të vegjlit ta marrin seriozisht këtë çështje.

Punët në shtëpi mund të ndahen. Familja mund të vendosë të pastrojë shtëpinë rregullisht një herë në javë dhe të programojë pastrimin me themel një a dy herë në vit. Po jashtë shtëpisë? Duke folur për Shtetet e Bashkuara, ambientalisti Stjuart L. Udalli tha: «Ne jetojmë në një vend ku e bukura po zhduket dhe e shëmtuara po shtohet, ku hapësirat po ngushtohen dhe ku ambienti keqësohet çdo ditë nga ndotja, zhurma dhe rrënimi.»

A është njësoj edhe në vendin tënd? Kohë më parë, madje edhe sot e kësaj dite, në disa vende të Afrikës Qendrore tellalli i qytetit i bie kambanës për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Me zë të lartë ai u kujton të pastrojnë qytetin dhe kanalizimet (pusetat ose vijat kulluese), të krasitin pemët, të shkulin barërat e këqija dhe të heqin plehrat.

Asgjësimi i mbeturinave është një problem mbarëbotëror dhe një makth i vërtetë për shumë autoritete. Disa autoritete lokale mbeten prapa me mbledhjen e plehrave që bëhen pirgje nëpër rrugë. Prandaj mund të kërkohet ndihma e banorëve të zonës. Si qytetarë të mirë, të krishterët janë ndër të parët që u binden ligjeve të shtetit pa u ankuar. (Romakëve 13:3, 5-7) Në raste të tilla, të krishterët e vërtetë janë gati të bëjnë më tepër nga ç’u kërkohet për të ndihmuar. Atyre u pëlqen të kenë një ambient të pastër, prandaj e marrin vetë iniciativën për të pastruar, pa pritur t’i kujtojë tellalli. Janë të vetëdijshëm se pastërtia tregon që janë njerëz me edukatë e të përgjegjshëm. Ajo fillon nga çdo person e çdo familje. Masa të thjeshta higjiene e pastërtie, brenda dhe jashtë shtëpisë, jo vetëm përmirësojnë shëndetin tonë, por edhe hijeshojnë pamjen e përgjithshme të lagjes ku banojmë.

Pastërtia vetjake nderon Perëndinë që adhurojmë

Pastërtia vetjake dhe veshja e hijshme janë pjesë e adhurimit tonë. Ky fakt shpesh tërheq vëmendjen e të tjerëve. Pasi kishin ndjekur një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait në Tuluzë të Francës, 15 të rinj e të reja hynë në një restorant. Një çift i moshuar, ulur në tryezën ngjitur, priste më të keqen—të folur me zë të lartë e ngacmime. Megjithatë, ata u habitën nga sjellja e mirë, bisedat e këndshme dhe veshja serioze e këtyre të rinjve. Kur grupi u ngrit të ikte, çifti i lavdëroi për sjelljen e shkëlqyer dhe i tha njërit prej tyre se rrallëherë sheh një sjellje të tillë shembullore.

Vizitorëve të zyrave, shtypshkronjave dhe godinave të banimit në degët e Dëshmitarëve të Jehovait, shpesh u bën përshtypje pastërtia që shohin përreth. Nga vullnetarët që punojnë e banojnë në këto ambiente, pritet të kenë veshje të pastra, si dhe të lahen e të bëjnë dush rregullisht. Deodorantët antidjersë dhe parfumet nuk mund të zëvendësojnë higjienën e mirë të trupit. Kur këta vullnetarë që shërbejnë në kohë të plotë, u predikojnë të tjerëve gjatë mbrëmjeve apo fundjavëve, paraqitja e tyre e pastër ndikon pozitivisht te mesazhi që predikojnë.

‘Bëhuni imitues të Perëndisë’

Të krishterët nxiten që ‘të bëhen imitues të Perëndisë’. (Efesianëve 5:1) Profeti Isaia dokumentoi një vegim ku engjëjt e përshkruanin Krijuesin me fjalët: «I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë.» (Isaia 6:3) Ky përshkrim thekson se Perëndia është i pastër e i kulluar në shkallën më të lartë. Për këtë arsye, ai kërkon që të gjithë shërbëtorët e tij të jenë të shenjtë, pra të pastër. Ai u thotë: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!»—1 Pjetrit 1:16.

Bibla i nxit të krishterët «të vishen hijshëm». (1 Timoteut 2:9, Diodati i Ri) Prandaj nuk habitemi që në librin e Zbulesës ‘liri i shndritshëm, i pastër e i hollë’ përfaqëson veprat e drejta të atyre që Perëndia i konsideron të shenjtë. (Zbulesa 19:8) Në kontrast me to, mëkati paraqitet në Shkrimet e Shenjta si njollë ose si pisllëk.—Proverbat 15:26; Isaia 1:16; Jakovi 1:27.

Sot miliona njerëz jetojnë në vende ku duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të mbajtur pastërtinë fizike e morale, si dhe për të adhuruar Perëndinë siç i pëlqen atij. Ky problem do të zgjidhet njëherë e mirë kur Perëndia ‘të bëjë çdo gjë të re’. (Zbulesa 21:5) Kur të përmbushet kjo profeci, çdo fëlliqësi dhe papastërti e kësaj bote do të zhduket njëherë e përgjithmonë.

[Shënimi]

^ par. 6 Emri është ndryshuar.

[Kutia në faqen 10]

Perëndia kërkon pastërti

Gjatë kohës që udhëtonin nëpër shkretëtirë, izraelitët ishin udhëzuar t’i eliminonin siç duhet jashtëqitjet e tyre. (Ligji i përtërirë 23:12-14) Ky duhet të ketë qenë një udhëzim i vështirë për t’u zbatuar, duke pasur parasysh që kampi ishte tejet i madh, por pa dyshim ndihmoi në parandalimin e sëmundjeve të tilla, si tifoja dhe kolera.

Izraelitët ishin urdhëruar të lanin ose të shkatërronin çdo send që kishte prekur një krijesë pa jetë. Ndonëse nuk e kuptonin arsyen që fshihej pas këtij urdhri, ky i ndihmoi të parandalonin infeksione e sëmundje.—Levitiku 11:32-38.

Para se të kryenin detyrat e tyre në tabernakull, priftërinjtë duhej të lanin duart dhe këmbët. Të mbushje me ujë legenin e bakrit ishte një punë e vështirë, megjithatë larja ishte një urdhër i prerë.—Dalja 30:17-21.

[Kutia në faqen 11]

Përkujtues nga një mjek

Uji është thelbësor për jetën, por nga uji i ndotur mund të sëmuresh, madje edhe të vdesësh. Në një intervistë, dr. J. Mangue Lobe, shef i departamentit mjekësor në portin e Dualës, Kamerun, dha disa këshilla praktike.

«Kur nuk jeni të sigurt, ziejeni ujin.» Megjithatë paralajmëroi: «Përdorimi i klorit dhe i kimikateve të tjera mund të bëjë punë, por është i rrezikshëm, nëse nuk bëhet siç duhet. Lajini gjithmonë duart me sapun dhe ujë para një vakti dhe pasi shkoni në banjë. Një kallëp sapuni nuk kushton shumë, pra edhe të varfrit mund ta blejnë. Lajini shpesh rrobat, dhe nëse keni probleme ose sëmundje lëkure, përdorni ujë të nxehtë.

Të gjithë pjesëtarët e familjes duhet të mbajnë një higjienë të mirë brenda dhe jashtë shtëpisë,—thotë mjeku.—Banjat brenda ose jashtë shtëpisë shpesh lihen pas dore dhe për pasojë mbushen me furrtare të zeza dhe miza.» Ai shton një pikë të rëndësishme për fëmijët dhe paralajmëron: «Kujdes, mos u lani te rrëketë e vogla që kalojnë në lagjet tuaja. Ato janë plot me mikrobe të rrezikshme. Lahuni në shtëpi çdo natë para se të flini, lajini mirë dhëmbët në darkë dhe flini nën mbrojtjen e një rrjete mushkonjash.» Me pak fjalë, planifiko, zbato dhe kështu do të shmangësh problemet.

[Figura në faqen 10]

Larja e rrobave ndihmon në parandalimin e problemeve dhe sëmundjeve të lëkurës

[Figura në faqen 10]

Të krishterët e marrin vetë iniciativën për të pastruar ambientin përreth

[Figura në faqen 10]

Një nënë e kujdesshme mund të bëjë shumë për të ruajtur pastërtinë e familjes dhe të shtëpisë së saj