‘Shërimet me anë të mrekullive’ sot—Vijnë nga Perëndia?
‘Shërimet me anë të mrekullive’ sot—Vijnë nga Perëndia?
NË DISA vende është e zakonshme të shohësh njerëz që shkojnë për pelegrinazh në vende të shenjta ku shumë prej tyre thonë se janë shëruar nga sëmundje «të pashërueshme». Në vende të tjera ka magjistarë që thonë se shërojnë me anë të fuqive të mbinatyrshme. Ndërsa në disa të tjera bëhen grumbullime fetare ku njerëz të sëmurë mund të kërcejnë nga karrocat e invalidëve ose të flakin tej patericat e thonë se u shëruan.
Këta shërues kryesisht u përkasin feve të ndryshme dhe shpeshherë e akuzojnë njëri-tjetrin si tradhtarë, mashtrues ose paganë. Natyrshëm lind pyetja: vallë Perëndia përdor përfaqësues të tillë në kundërshtim me njëri-tjetrin për të kryer mrekulli? Në fund të fundit, Bibla thotë: «Perëndia nuk është një Perëndi i çrregullimit, por i paqes.» (1 Korintasve 14:33) Atëherë, a vijnë vërtet nga Perëndia ‘shërimet me anë të mrekullive’? Disa shërues pretendojnë se shërojnë me fuqinë e Jezuit. Le të shohim si shëronte Jezui.
Si shëronte Jezui?
Jezui i shëronte të sëmurët në mënyra krejt të ndryshme nga ato të shëruesve të sotëm. Për shembull, Jezui shëronte këdo që i kërkonte ndihmë. Ai nuk shëronte vetëm disa njerëz të zgjedhur nga turma duke i lënë të tjerët në pikë të hallit. Jezui i shëronte njerëzit plotësisht, dhe pothuajse gjithnjë në çast. Bibla thotë: «Gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse nga ai po dilte fuqi dhe po i shëronte të gjithë.»—Luka 6:19.
Ndryshe nga shëruesit e sotëm që, kur nuk arrijnë të shërojnë, shpesh fajësojnë të sëmurët për mungesë besimi, Jezui shëroi edhe disa që ende nuk kishin besuar tek ai. Për shembull, në një rast Jezui iu afrua vetë një të verbri dhe e shëroi. Më pas e pyeti: «A tregon besim te Biri i njeriut?» Ai iu përgjigj: «E kush është, o imzot, që unë të tregoj besim tek ai?» Jezui i tha: «Është pikërisht ai që po të flet.»—Gjoni 9:1-7, 35-38.
Ju mund të mendoni: «Nëse nuk kërkohej besim që t’i shëronte, atëherë, pse Jezui u thoshte shpesh atyre që shëronte: ‘Besimi yt të shëroi.’» (Luka 8:48; 17:19; 18:42) Me këto fjalë Jezui po theksonte se ata që iu afruan nga besimi, u shëruan, ndërsa ata që nuk donin t’i afroheshin, humbën rastin. Ata që u shëruan, nuk u shëruan falë besimit, por falë fuqisë së Perëndisë. Bibla thotë për Jezuin: «Perëndia e mirosi me frymë të shenjtë, . . . ai përshkoi vendin, duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë të shtypurit nga Djalli, sepse Perëndia ishte me të.»—Veprat 10:38.
Zakonisht paratë duket se luajnë një rol kyç në të ashtuquajturat shërime të sotme. Shëruesit fetarë shquhen për mbledhjen e fondeve. Thuhet se një i tillë mblodhi 89 milionë dollarë brenda një viti gjatë aktiviteteve të tij në gjithë botën. Edhe organizatat fetare nxjerrin fitime nga pelegrinët që shkojnë në vende të shenjta me shpresën për t’u shëruar. Krejt ndryshe nga këta, Jezui nuk mblodhi kurrë para nga njerëzit që shëroi. Madje ndonjëherë u siguroi ushqim atyre. (Mateu 15:30-38) Kur i dërgoi dishepujt të predikonin, Jezui u tha: «Shëroni të sëmurë, ngrini të vdekur, pastroni të lebrosur, dëboni demonë. Falas morët, falas jepni.» (Mateu 10:8) Pse ndryshojnë kaq shumë metodat e shëruesve të sotëm nga ato të Jezuit?
Cili është burimi i këtyre «shërimeve»?
Gjatë viteve, disa që punojnë në fushën e mjekësisë kanë shqyrtuar pretendimet e shëruesve fetarë. Çfarë kanë zbuluar? Sipas gazetës londineze Daily Telegraph, një mjek në Angli, pas 20 vjet hetimesh mbi këtë argument, tha: «Raportet e bujshme për shërime me anë të mrekullive nuk mbështeten as edhe nga një provë mjekësore.» Megjithatë, shumë veta besojnë sinqerisht se janë shëruar nga fuqia e sendeve të shenjta, vendeve të shenjta ose nga shërues fetarë. A mund të kenë qenë viktima të mashtrimit?
Në fjalimin e tij të famshëm, Predikimi në Mal, Jezui tha se mashtrues fetarë do ta pyetnin: «Zotëri, Zotëri, a nuk . . . kryem shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?» Por ai do t’u përgjigjej: «Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!» (Mateu 7:22, 23) Për burimin e fuqisë që pretendojnë se kanë këta njerëz, apostulli Pavël paralajmëroi: «Prania e të paligjshmit vjen me veprimin e Satanait me çdo vepër të fuqishme, shenja e çudira të gënjeshtërta dhe me çdo mashtrim që mund të sjellë padrejtësia.»—2 Selanikasve 2:9, 10.
Për më tepër, «shërimet» me anë të sendeve të shenjta, idhujve ose shëmbëlltyrave nuk mund të vijnë nga Perëndia. Pse jo? Sepse Fjala e Perëndisë urdhëron qartë: «Ikni nga idhujtaria» dhe «ruhuni nga idhujt». (1 Korintasve 10:14; 1 Gjonit 5:21) Këto «shërime» janë pjesë e mashtrimeve të Djallit për t’i larguar njerëzit nga adhurimi i vërtetë. Bibla thotë: «Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite.»—2 Korintasve 11:14.
Pse shëronin Jezui dhe apostujt?
Shërimet e vërteta me anë të mrekullive, të dokumentuara në Shkrimet e Krishtere Greke, tregojnë qartë se Perëndia ishte me Jezuin dhe apostujt. (Gjoni 3:2; Hebrenjve 2:3, 4) Gjithashtu, shërimet e mrekullueshme të Jezuit mbështetnin mesazhin që predikonte. Bibla thotë: «Ai i ra përqark mbarë Galilesë, dhe mësonte në sinagogat e tyre, predikonte lajmin e mirë për mbretërinë dhe shëronte çdo lloj . . . sëmundjeje.» (Mateu 4:23) Veprat e fuqishme të Jezuit, ku futeshin jo vetëm shërimi i të sëmurëve, por edhe ushqyerja e turmave, kontrolli i elementeve të natyrës e madje edhe ringjallja e të vdekurve, treguan se ç’do të bëjë ai për njerëzimin e bindur nën sundimin e Mbretërisë së tij. Ç’lajm i mirë!
Këto vepra të fuqishme ose dhurata të frymës, morën fund kur vdiqën Jezui, apostujt dhe kushdo që i mori këto dhurata. Apostulli Pavël shkroi: «Nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen, nëse ka gjuhë [që fliten me anë të mrekullive], do të pushojnë, nëse ka njohuri [të zbuluar nga Perëndia], do të hiqet.» (1 Korintasve 13:8) Po përse? Meqë ia arritën qëllimit, pra, identifikuan Jezuin si Mesinë e premtuar dhe kongregacionin e krishterë si të miratuar nga Perëndia, këto vepra të fuqishme, përfshirë edhe shërimet, nuk nevojiten më, prandaj ‘janë hequr’.
Megjithatë, shërimet me anë të mrekullive që kreu Jezui, përmbajnë një mesazh të rëndësishëm për ne sot. Nëse i kushtojmë vëmendje asaj që mësoi Jezui për Mbretërinë e Perëndisë dhe tregojmë besim, mund të presim me optimizëm kohën kur do të përjetojmë frymësisht dhe fizikisht plotësimin e profecisë së frymëzuar: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24; 35:5, 6; Zbulesa 21:4.