Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të krishterët e hershëm në botën greke

Të krishterët e hershëm në botën greke

Të krishterët e hershëm në botën greke

NË SHEKULLIN e parë, shumica e njerëzve të cilëve u predikonin të krishterët, flitnin greqisht. Edhe shkrimet që përdornin për të mbështetur mesazhin për Jezuin, ishin në gjuhën greke. Pjesa më e madhe e shkrimtarëve që u frymëzuan të hidhnin me shkrim ato që më pas u bënë Shkrimet e Krishtere Greke, shkruan në greqisht duke përdorur shprehje dhe ilustrime që kuptoheshin lehtë nga njerëzit që jetonin nën ndikimin e kulturës greke. Megjithatë as Jezui, as apostujt e madje asnjë nga shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke, nuk ishte grek. Të gjithë ishin hebrenj.—Romakëve 3:1, 2.

Si arriti gjuha greke të luante një rol kaq të rëndësishëm në përhapjen e krishterimit? Si e paraqitën mesazhin e tyre shkrimtarët dhe misionarët e krishterë të shekullit të parë me qëllim që të ishte tërheqës për ata që flitnin greqisht? Dhe përse duhet të na interesojë ky kapitull i historisë së lashtë?

Përhapja e kulturës greke

Në shekullin e katërt p.e.s., Aleksandri i Madh mundi perandorinë perse dhe filloi të pushtonte vise të tjera. Për t’i bashkuar këto vise, ai dhe pasuesi i tij nxitën «helenizimin», domethënë asimilimin e gjuhës dhe kulturës greke.

Edhe pasi Roma më vonë e nënshtroi Greqinë dhe e zhveshi nga gjithë autoriteti politik, kultura greke vazhdoi të ndikonte fuqishëm te popujt fqinj. Gjatë shekullit të dytë dhe të parë p.e.s., aristokracia romake ishte e dhënë pas gjithçkaje greke: artit, arkitekturës, letërsisë dhe filozofisë. Kjo e shtyu poetin Horac të thoshte: «Greqia robinjë, zuri rob pushtuesin e saj të egër.»

Nën sundimin romak, qytete të rëndësishme në mbarë Azinë e Vogël, Siri dhe Egjipt lulëzuan si qendra të kulturës greke. Si një element qytetërues, helenizimi preku çdo aspekt të jetës, që nga institucionet qeveritare e ligjore e deri te tregtia, industria, e madje moda. Në shumicën e qyteteve greke, ishin tipike gjimnazet, ku stërviteshin të rinjtë, dhe teatrot, ku viheshin në skenë dramat greke.

«Rryma e kulturës helene pak nga pak rrëmbeu edhe hebrenjtë, që nuk arritën t’i rezistonin»,—thotë historiani Emil Shyreri. Në fillim, zelli fetar i judenjve i rezistoi kërcënimit të paganizmit që shoqëronte kulturën greke, por në fund paganizmi ndikoi në shumë fusha të jetës judaike. Në fund të fundit, siç thotë Shyreri, «territori i vogël jude rrethohej pothuajse në të katër anët nga vende helene, me të cilat ishte i detyruar të mbante lidhje të vazhdueshme për hir të tregtisë».

Roli i Septuagintës

Shumë judenj u shpërngulën dhe u vendosën në gjithë rajonin e Mesdheut, dhe mjaft prej tyre përfunduan në qytete të kulturës helene ku flitej greqisht. Këta të shpërngulur vazhduan të praktikonin fenë e tyre dhe shkonin në Jerusalem për festat e përvitshme judaike. Megjithatë, me kalimin e kohës, shumë prej tyre filluan ta harronin gjuhën hebraike. * Kështu lindi nevoja për një përkthim të Shkrimeve Hebraike në greqishten që flitej gjerësisht. Aty nga viti 280 p.e.s., këtë detyrë e morën përsipër disa studiues hebrenj, ndoshta nga Aleksandria e Egjiptit, qendër e rëndësishme e kulturës helene. Kështu doli Septuaginta.

Për Septuagintën thuhet se ka bërë epokë. Falë saj, bota perëndimore zbuloi thesaret e Shkrimeve Hebraike. Pa Septuagintën, njohuria për marrëdhënien e Jehovait me Izraelin do të kishte mbetur e kyçur në shkrime relativisht të panjohura në një gjuhë që nuk kuptohej më gjerësisht, dhe nuk do të kishte nxitur dot ungjillëzimin në mbarë botën. Në të vërtetë, Septuaginta siguroi bazën, konceptet dhe gjuhën falë të cilëve njohuria për Perëndinë Jehova iu transmetua njerëzve me prejardhje etnike të ndryshme. Ngaqë përdorej gjerësisht, greqishtja ishte një mjet i pashoq për të përhapur të vërtetat e shenjta në botë.

Prozelitët dhe ata që i frikësoheshin Perëndisë

Aty nga shekulli i dytë p.e.s., judenjtë kishin përkthyer në greqisht shumë nga veprat e tyre letrare dhe të rejat i shkruanin drejtpërdrejt në atë gjuhë. Kjo luajti një rol domethënës për t’i dhënë botës johebreje njohurinë për historinë dhe fenë e Izraelit. Historianët raportojnë se gjatë kësaj periudhe, mjaft johebrenj «lidhën marrëdhënie pak a shumë të ngushta me komunitetet judaike, morën pjesë në adhurimin e tyre dhe zbatuan ligjet e tyre, kush më shumë e kush më pak».—The History of the Jewish People in the Age of Jesus Christ.

Disa johebrenj arritën deri aty sa të përqafonin judaizmin, të pranonin rrethprerjen dhe të bëheshin prozelitë. Të tjerë përqafuan disa aspekte të judaizmit, por nuk ndryshuan fe. Në letërsinë greke këta quhen shpesh «njerëz që i frikësohen Perëndisë». Korneli quhet «njeri i përkushtuar, që i frikësohej Perëndisë». Apostulli Pavël takoi në mbarë Azinë e Vogël dhe në Greqi shumë njerëz që i frikësoheshin Perëndisë, të cilët shoqëroheshin me judenjtë. Për shembull, në Antiokinë e Pisidisë ai iu drejtua atyre që ishin mbledhur në sinagogë me fjalët «burra, izraelitë dhe ju të tjerë që i frikësoheni Perëndisë».—Veprat 10:2; 13:16, 26; 17:4; 18:4.

Pra, kur dishepujt judenj filluan të predikonin lajmin e mirë në komunitetet judaike përtej kufijve të Judesë, shumë që dëgjuan, ishin ndikuar nga kultura greke. Këto komunitete ishin vatra ideale për përhapjen e krishterimit. Kur u bë e qartë se Perëndia po ua ofronte edhe johebrenjve shpresën e shpëtimit, dishepujt kuptuan se në sytë e Tij nuk kishte «as jude, as grek».—Galatasve 3:28.

U predikohet grekëve

Për shkak të normave fetare dhe morale të njerëzve të kombeve, disa të krishterë të hershëm judenj në fillim ngurronin të pranonin në kongregacion johebrenjtë që ishin bërë të krishterë. Kështu, kur u bë e dukshme se Perëndia dëshironte të pranonte johebrenjtë, apostujt dhe pleqtë në Jerusalem treguan qartë se nga këta besimtarë të kthyer kërkohej të rrinin larg nga gjaku, kurvëria dhe idhujtaria. (Veprat 15:29) Kjo ishte thelbësore për këdo që kishte ndjekur stilin grek të jetesës, sepse shoqëria greko-romake ishte plot «uri të turpshme seksuale» dhe homoseksualizëm. Mes të krishterëve nuk kishte vend për praktika të tilla.—Romakëve 1:26, 27; 1 Korintasve 6:9, 10.

Mes misionarëve të krishterë të shekullit të parë që predikuan në botën greke, askush nuk spikati më shumë se apostulli Pavël. Edhe sot e kësaj dite, ata që shkojnë në Athinë mund të shohin rrëzë Areopagut një pllakë përkujtimore prej bronzi për fjalimin e famshëm të Pavlit në atë qytet. Tregimi është dokumentuar te kapitulli 17 i librit biblik të Veprave. Fjalët hapëse «burra të Athinës», ishin standarde për një orator grek dhe sigurisht që e qetësuan auditorin, mes të cilit kishte filozofë epikurianë dhe stoikë. Në vend që ta shfaqte acarimin ose të kritikonte besimin e dëgjuesve, Pavli u përpoq të fitonte miratimin e tyre duke pranuar se dukeshin shumë fetarë. Ai përmendi altarin e tyre kushtuar «një Perëndie të Panjohur» dhe vendosi një bazë të përbashkët duke thënë se për këtë Perëndi donte të fliste.—Veprat 17:16-23.

Pavli i tërhoqi dëgjuesit duke përdorur koncepte që mund t’i pranonin. Stoikët mund të pranonin fjalët e Pavlit se Perëndia është Burimi i jetës njerëzore, se nuk është larg nga ne, se të gjithë njerëzit i përkasin së njëjtës racë dhe se jeta njerëzore varet nga Ai. Këtë pikë të fundit Pavli e mbështeti duke cituar nga veprat e poetëve stoikë Arati (Fenomenet) dhe Kleanthi (Himn për Zeusin). Edhe epikurianët do të kuptonin se kishin shumë të përbashkëta me Pavlin: Perëndia është i gjallë dhe mund ta njohim, nuk ka nevojë për asgjë, nuk kërkon asgjë nga njerëzit dhe nuk banon në tempuj të bërë me dorë.

Dëgjuesit i njihnin mirë termat që përdori Pavli. Faktikisht, sipas një burimi, fjalët «botë» (kosmos), «pasardhës» dhe «Hyjnori» përdoreshin shpesh nga filozofët grekë. (Veprat 17:24-29) Pavli nuk po bënte kompromis me të vërtetën, që t’i bindte ata. Përkundrazi, fjalët e tij përmbyllëse për ringjalljen dhe gjykimin binin ndesh me bindjet e tyre. Megjithatë, ai e përshtati me mjeshtëri përmbajtjen e mesazhit dhe mënyrën si e paraqiti, që të tërhiqte auditorin e dhënë pas filozofive.

Shumë nga letrat e Pavlit iu drejtuan kongregacioneve në qytetet greke ose në kolonitë romake që ishin helenizuar tërësisht. Këto shkrime, me një greqishte të rrjedhshme e plot forcë, përdornin mirë ide dhe shembuj të zakonshëm në kulturën greke. Pavli përmend lojërat atletike, shpërblimin e fituesit, edukatorin që shoqëronte fëmijët në shkollë dhe shumë elemente të tjera nga jeta greke. (1 Korintasve 9:24-27; Galatasve 3:24, 25) Ndonëse Pavli ishte i gatshëm të huazonte terma nga gjuha greke, ai i hodhi poshtë me vendosmëri normat morale dhe idealet fetare greke.

U bë çdo gjë për njerëz të çdo lloji

Apostulli Pavël e pranoi se iu desh ‘të bëhej çdo gjë për njerëz të çdo lloji’ për t’u dhënë të tjerëve lajmin e mirë. «Për judenjtë u bëra si jude, që të fitoj judenjtë», shkroi ai, dhe për grekët u bë si grek, që t’i ndihmonte të kuptonin qëllimet e Perëndisë. Natyrisht, Pavli ishte tejet i kualifikuar për këtë, meqë ishte qytetar jude nga një qytet i helenizuar. Të gjithë të krishterët sot duhet të bëjnë diçka të ngjashme.—1 Korintasve 9:20-23.

Sot miliona njerëz shkojnë nga një vend në një tjetër, kalojnë nga një kulturë në një tjetër. Kjo përbën një vështirësi të jashtëzakonshme për të krishterët, të cilët përpiqen të predikojnë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë dhe t’i binden urdhrit të Jezuit ‘për të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’. (Mateu 24:14; 28:19) Herë pas here ata vërejnë se, kur njerëzit e dëgjojnë lajmin e mirë në gjuhën e tyre, u preket zemra dhe reagojnë mirë.

Për këtë arsye, kjo revistë, Kulla e Rojës Lajmëron Mbretërinë e Jehovait, botohet çdo muaj në 168 gjuhë dhe revista tjetër shoqëruese Zgjohuni!, në 81 gjuhë. Përveç kësaj, që t’u flasin për lajmin e mirë njerëzve që kanë ardhur në lagjen e tyre, shumë Dëshmitarë të Jehovait përpiqen të mësojnë një gjuhë të huaj, madje edhe gjuhë të vështira, si arabe, kineze dhe ruse. Synimi sot është i njëjtë me atë në shekullin e parë. Apostulli Pavël e theksoi mirë këtë kur tha: «Jam bërë çdo gjë për njerëz të çdo lloji, që medoemos të shpëtoj disa.»—1 Korintasve 9:22.

[Shënimi]

^ par. 10 Shumë judenj në Jerusalem flitnin greqisht. Për shembull, atje kishte njerëz nga ‘Sinagoga e Libertëve, kirenas, aleksandrinë dhe nga Kilikia e Azia’, që ndoshta flitnin greqisht.—Veprat 6:1, 9.

[Harta në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Romë

GREQI

Athinë

AZI

Antioki (e Pisidisë)

KILIKI

SIRI

JUDE

Jerusalem

EGJIPT

Aleksandri

Kirenë

DETI MESDHE

[Figura në faqen 19]

«Septuaginta» ndihmoi të transmetohej njohuria për Jehovain në shekullin e parë

[Burimi]

Israel Antiquities Authority

[Figura në faqen 20]

Pllaka përkujtimore në Areopag për fjalimin e Pavlit