Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoji fëmijët

Davidi—Pse nuk kishte frikë?

Davidi—Pse nuk kishte frikë?

A KE frikë ndonjëherë? . . . * Të gjithë kemi. Po çfarë mund të bësh kur ke frikë? . . . Mund t’i kërkosh ndihmë dikujt që është më i madh e më i fortë se ti. Ndoshta babit a mamit. Shembulli i Davidit na mëson se kujt duhet t’i kërkojmë ndihmë. Ai i këndoi Perëndisë: «Unë do të kem besim te ti. . . . Te Perëndia kam besim; nuk do të kem frikë.»​—Psalmi 56:3, 4.

Kush e mësoi Davidin të mos kishte frikë? Mos ndoshta prindërit? . . . Patjetër që po. Babai i tij, Jeseu, ishte një paraardhës besnik i Jezu Krishtit, ‘Princit të Paqes’ që kishte premtuar Perëndia. (Isaia 9:6; 11:1-3, 10) Babai i Jeseut, gjyshi i Davidit, ishte Obedi. Një nga librat e Biblës mban emrin e nënës së Obedit. A e di si quhet? . . . Quhet Ruthë, një grua besnike, burri i së cilës quhej Boaz.​—Rutha 4:21, 22.

Kuptohet që Rutha dhe Boazi vdiqën kohë para se të lindte Davidi. Ndoshta e di emrin e nënës së Boazit, domethënë stër-stërgjyshes së Davidit. Ajo jetoi në Jeriko ku i shpëtoi jetën disa zbuluesve izraelitë. Kur u rrëzuan muret e qytetit, familja e saj shpëtoi ngaqë ajo kishte varur në dritare një kordon të kuq të ndezur. Si e kishte emrin? . . . Rahaba, e cila u bë një adhuruese e Jehovait, e madje edhe një shembull guximi që të krishterët duhet ta imitojnë.​—Josiu 2:1-21; 6:22-25; Hebrenjve 11:30, 31.

Davidi patjetër që kishte dëgjuar nga babai dhe nëna e tij për këta shërbëtorë besnikë të Jehovait, pasi prindërit kishin urdhër t’ua mësonin këto gjëra fëmijëve të tyre. (Ligji i përtërirë 6:4-9) Erdhi koha kur Samuelit, profetit të Perëndisë, iu tha të zgjidhte Davidin, djalin e vogël të Jeseut, si mbretin e ardh­shëm të Izraelit.​—1 Samuelit 16:4-13.

Një ditë, Jeseu dërgon Davidin t’u çojë ushqim vëllezërve të tij më të mëdhenj, të cilët po luftonin kundër armiqve të Perëndisë, filistinëve. Kur arrin, ai shkon me vrap në fushën e betejës ku dëgjon Goliadin gjigant teksa sfidon «forcat ushtarake të Perëndisë së gjallë». Të gjithë kanë frikë ta pranojnë ftesën për duel të Goliadit. Mbreti Saul merr vesh që Davidi është i gatshëm të përballet me të dhe dërgon ta thërrasin. Por, kur e sheh, ai i thotë: «Ti s’je veçse një djalosh.»

Kështu Davidi i tregon se një herë kishte vrarë një luan e një ari që gati sa s’i shqyen delet e familjes së tij. Ai thotë se edhe Goliadi «do të jetë si një nga ata». Atëherë Sauli i përgjigjet: «Shko, dhe Jehovai qoftë me ty!» Davidi zgjedh pesë gurë të lëmuar, i vë në torbën e bariut, merr hobenë dhe del të matet me gjigantin. Kur Goliadi sheh të vijë drejt tij një djalosh, i bërtet: «Veç eja tek unë, po s’ua dhashë mishin tënd shpendëve.» Por Davidi ia kthen: «Unë po vij në emër të Jehovait të ushtrive,—dhe thërret,—unë do të të godas.»

Menjëherë Davidi vrapon drejt Goliadit, merr një gur nga torba, e vë në hobe dhe ia lëshon Goliadit drejt e në ballë. Kur shohin se gjiganti vdes, filistinët ia mbathin të tmerruar. Izraelitët i vihen prapa dhe kështu fitojnë betejën. Lexojeni së bashku si familje këtë histori te 1 Samuelit 17:12-54.

Si i ri, ndonjëherë mund të kesh frikë t’i zbatosh urdhërimet e Perëndisë. Edhe Jeremia ishte i ri dhe në fillim kishte frikë, por Perëndia i tha: «Mos ki frikë . . . unë jam me ty.» Kështu Jeremia mori zemër dhe predikoi ashtu siç e kishte udhëzuar Perëndia. Ashtu si Davidi e Jeremia, edhe ti, po besove te Jehovai, mund të mësosh ta mposhtësh frikën.​—Jeremia 1:6-8.

^ par. 3 Nëse po lexon me fëmijët, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh e t’ua drejtosh atyre pyetjen.