Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

A kishte arsye Ponc Pilati t’i frikësohej Cezarit?

Për t’i bërë presion guvernatorit romak Ponc Pilatit që të ekzekutonte Jezuin, udhëheqësit judenj i thanë: «Po e lirove këtë njeri, nuk je mik i Cezarit.» (Gjoni 19:12) «Cezari» që përmendet këtu ishte perandori romak Tiberi. A kishte arsye Pilati t’i frikësohej këtij Cezari?

Ç’njeri ishte Tiberi Cezar? Vite para se të gjykohej Jezui, Tiberi tashmë ishte bërë «një njeri që dukej se i interesonin vetëm kënaqësitë e tij dhe mënyrat gjithnjë e më të degjeneruara për t’i arritur ato», sipas The New Encyclopædia Britannica. Frika e sëmurë e shtynte të torturonte e të ekzekutonte këdo që dyshonte se mund ta tradhtonte. E njëjta vepër referimi thotë: «Nëse do t’u besojmë historianëve që jetuan rreth kohës së tij, zbavitjet e tij të preferuara ishin mizore dhe barbare. . . . Ai vriste në mënyrë shtazore dhe pothuaj kuturu.»

Prandaj, nami i Tiberit mund të ketë ndikuar fare mirë në vendimin e Pilatit që t’i dorëzohej presionit të udhëheqësve judenj e ta ekzekutonte Jezuin.—Gjoni 19:13-16.

Pse Jezui u lau këmbët apostujve?

Në Izraelin e lashtë, shumë njerëz të thjeshtë ecnin zbathur kur bënin punët e përditshme. Për ata që i përdornin, sandalet përbëheshin veç nga një shollë e lidhur me rrip me këmbën dhe kyçin. Meqë rrugët dhe arat ishin tërë pluhur ose baltë, këmbët do të bëheshin pis se s’bën.

Prandaj, ishte zakon që njerëzit t’i hiqnin sandalet kur hynin në shtëpi. Mikpritja e donte që mysafirëve t’u laheshin këmbët. Këtë punë e bënte ose i zoti i shtëpisë, ose një shërbëtor. Bibla ka disa referime për këtë praktikë të përhapur. Për shembull, Abrahami u tha vizitorëve që kishin shkuar në tendën e tij: «Le t’ju sjellin pak ujë e t’ju lajnë këmbët. Pastaj shtrihuni e pushoni pak nën pemë. Më lini t’ju sjell një copë bukë, që t’ju mbajë zemrën.»—Zanafilla 18:4, 5; 24:32; 1 Samuelit 25:41; Luka 7:37, 38, 44.

Këto informacione na ndihmojnë të kuptojmë pse Jezui u lau këmbët dishepujve gjatë Pashkës së fundit që ishte me ta. Në atë rast, aty nuk ishte i zoti i shtëpisë ose ndonjë shërbëtor që të kryente këtë shërbim dhe me sa duket asnjë nga dishepujt nuk doli vullnetar. Prandaj, Jezui mori një legen me ujë e një peshqir që t’u lante e t’u thante këmbët apostujve, duke u dhënë një mësim për dashurinë dhe përulësinë.—Gjoni 13:5-17.