Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk përdorin shëmbëlltyra në adhurim?

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk përdorin shëmbëlltyra në adhurim?

Lexuesit pyesin

Pse Dëshmitarët e Jehovait nuk përdorin shëmbëlltyra në adhurim?

Përreth globit, hinduistët, budistët, katolikët dhe ortodoksët e konsiderojnë pjesë jetësore të adhurimit të tyre përdorimin e idhujve, shëmbëlltyrave ose ikonave. Në disa pjesë të Afrikës, njerëzit përkulen para statujave të gdhendura në dru ose gur, te të cilat mendojnë se banon një perëndi ose fryma e një perëndie.

Ndryshe nga ata, Dëshmitarët e Jehovait nuk përdorin asnjë formë idhulli ose ikone në adhurim. Po të vizitoni vendet ku mblidhen, që quhen Salla Mbretërie, do të shihni se nuk ka as ikona «shenjtorësh», as statuja të Jezuit ose të Marisë. * Përse jo? Shikoni ç’thotë Bibla për këtë argument.

Ç’kërkonte Perëndia nga izraelitët?

Pasi i çliroi izraelitët nga Egjipti, Perëndia Jehova u dha udhëzime të qarta për mënyrën se si donte që ta adhuronin. I dyti nga ato që quhen Dhjetë Urdhërimet, thotë: «Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, asnjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe mos u shërbe, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkoj të më përkushtohesh vetëm mua.»—Dalja 20:4, 5.

Ndërsa Perëndia po i jepte këto urdhërime Moisiut, izraelitët po bënin një viç të artë, ndoshta një imitim të adhurimit të kafshëve në Egjipt. Shëmbëlltyrës nuk i vunë emrin e ndonjë perëndie egjiptiane. Jo, e lidhën me adhurimin e Jehovait. (Dalja 32:5, 6) Si reagoi ai? Iu ndez zemërimi kundër atyre që adhuronin idhullin, të cilin Moisiu e bëri copë-copë.—Dalja 32:9, 10, 19, 20.

Më vonë, Perëndia Jehova e shtjelloi më tej urdhërimin e dytë. Nëpërmjet Moisiut, u kujtoi izraelitëve se s’duhej të bënin «ndonjë shëmbëlltyrë të gdhendur, formën e ndonjë simboli, shëmbëlltyrën e një mashkulli a të një femre, shëmbëlltyrën e ndonjë kafshe të tokës, shëmbëlltyrën e ndonjë zogu që fluturon në qiell, shëmbëlltyrën e ndonjë gjëje që lëviz në tokë dhe shëmbëlltyrën e ndonjë peshku që është në ujërat e tokës». (Ligji i përtërirë 4:15-18) Ishte e qartë se izraelitët nuk duhej të përdornin idhuj në asnjë trajtë ose formë kur adhuronin Perëndinë.

E megjithatë, më vonë Izraeli ra në idhujtari. Që t’i ndreqte, Jehovai dërgoi profetë të cilët paralajmëruan për ndëshkimin që po u kanosej, për shkak të adhurimit idhujtar. (Jeremia 19:3-5; Amosi 2:8) Si komb, Izraeli i shpërfilli paralajmërimet e Perëndisë. Prandaj, në vitin 607 p.e.s., Jehovai i lejoi babilonasit ta shkatërronin Jerusalemin dhe ta merrnin rob tërë kombin.—2 Kronikave 36:20, 21; Jeremia 25:11, 12.

Çfarë besonin të krishterët në shekullin e parë?

Në shekullin e parë, kur johebrenjtë bëheshin të krishterë, nuk i përdornin më idhujt në adhurimin e Perëndisë. Shikoni ç’tha për predikimin e apostullit Pavël një argjendar që bënte idhuj në Efes dhe quhej Dhimitër: «Burra, ju e dini mirë se nga kjo punë i kemi fitimet. Ju e shihni dhe e dëgjoni se si ky Pavli ia mbushi mendjen një turme mjaft të madhe njerëzish, jo vetëm në Efes, por pothuaj në gjithë krahinën e Azisë, dhe ua ktheu mendjen, duke thënë se nuk janë perëndi ato që bëhen me dorë.»—Veprat 19:25, 26.

Fjalët e Pavlit vërtetojnë akuzën që bëri Dhimitri. Kur po fliste me grekët në Athinë, Pavli shpjegoi: «Të mos mendojmë se Hyjnori i ngjan arit, argjendit a gurit, diçkaje të latuar me art a një sajese njeriu. Vërtet, Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë, por tani po i thotë njerëzisë që të pendohen të gjithë kudo qofshin.» (Veprat 17:29, 30) Për të njëjtën temë, Pavli u shkroi të krishterëve në Selanik dhe i lavdëroi me fjalët: «Ju u kthyet nga idhujt tuaj te Perëndia.»—1 Selanikasve 1:9.

Jo vetëm Pavli, por edhe apostulli Gjon i paralajmëroi të krishterët që të mos përdornin shëmbëlltyra në adhurim. Në fund të shekullit të parë, Gjoni u tha prerazi: «Ruhuni nga idhujt.»—1 Gjonit 5:21.

Dëshmitarët e Jehovait i binden drejtimit të qartë të Perëndisë për të mos përdorur asnjë lloj shëmbëlltyre kur e adhurojnë. Ata i besojnë fjalës së Perëndisë Jehova: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.»—Isaia 42:8.

[Shënimi]

^ par. 4 Në disa Salla Mbretërie ka piktura të personazheve biblike. Por këto përdoren për zbukurim dhe nuk përnderohen si ikona fetare. Dëshmitarët e Jehovait nuk u luten këtyre pikturave dhe as u përkulen atyre.

[Diçitura në faqen 31]

«Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër, as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.»​—Isaia 42:8