Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Si e konsideronte Perëndia praktikimin e astrologjisë nga izraelitët?

Sipas një fjalori, astrologjia është «studimi i lëvizjeve të planetëve, diellit, hënës dhe yjeve, me besimin se këto lëvizje ndikojnë në jetën e njerëzve». Ndërsa toka rrotullohet çdo vit përreth diellit, grupe yjesh ndryshojnë pozicion në varësi të pozicionit të tokës. Që në lashtësi, njerëzit i vrojtonin këto ndryshime dhe mendonin se ato kishin shumë kuptim.

Astrologjia ndoshta ka lindur nga babilonasit e hershëm, që adhuronin yjet dhe yjësitë. Kjo formë adhurimi u përhap edhe ndër izraelitët kur devijuan nga adhurimi i vërtetë. Në kohën e mbretit jude, Josisë, astrologjia praktikohej gjerësisht në Izrael. Pikëpamja e Perëndisë për këtë ishte e qartë. Shekuj më parë, në Ligjin e Moisiut adhurimi i yjeve dënohej me vdekje.—Ligji i përtërirë 17:2-5.

Ndër masat që mori mbreti Josia për të reformuar praktikat fetare judeje, ishte edhe ndalimi i flijimeve që i bënin «diellit, hënës, yjësive të zodiakut dhe gjithë ushtrisë së qiejve». Siç thotë Bibla, mbreti e bëri këtë, sepse donte ‘të ndiqte Jehovain dhe të zbatonte urdhërimet e tij’. (2 Mbretërve 23:3-5) Ky është edhe sot një shembull për ata që duan ta adhurojnë Perëndinë «me frymë dhe të vërtetë».—Gjoni 4:24.

Cilët ishin ‘Bijtë e Zeusit’ që përmenden te Veprat 28:11?

Në librin e Veprave, thuhet se rrugës për në Romë, apostulli Pavël udhëtoi nga Malta në Puteoli me një anije që kishte në bash figurën e gdhendur të «Bijve të Zeusit». (Veprat 28:11) Këto simbole ishin mjaft të përhapura ndër detarët dhe udhëtarët në lashtësi.

Sipas mitologjisë greke dhe romake, Zeusi (i njohur edhe si Jupiteri) dhe Leda kishin dy binjakë, Kastorin dhe Poluksin. Këta ‘Bij të Zeusit’ konsideroheshin, ndër të tjera, si detarë të zotë që kishin në kontroll erën dhe dallgët e detit. Prandaj, filluan të adhuroheshin si hyjni mbrojtëse për detarët. Udhëtarët u bënin flijime dhe u luteshin për mbrojtje gjatë stuhive në det. Besohej gjerësisht se këta hyjni binjakë shfaqeshin dhe demonstronin fuqitë e tyre mbrojtëse në formën e zjarrit të Shën-Elmos, një shkëlqim elektrik që ndonjëherë shfaqet në direkun e anijeve gjatë një stuhie.

Adhurimi i Kastorit dhe Poluksit ishte mjaft i përhapur ndër grekët e romakët, dhe një burim i lashtë e përmend në mënyrë të veçantë në zonën përreth Kirenesë, në Afrikën e Veriut. Anija e përmendur te libri i Veprave vinte nga aty afër, nga Aleksandria e Egjiptit.

[Figura në faqen 9]

Stelë Babilonase ku paraqitet Mbreti Nazimarutash me yjësitë

[Figura në faqen 9]

Monedhë denari ku paraqiten ‘bijtë e zeusit’, viti 114-113 p.e.s.

[Burimet e figurave në faqen 9]

Stela: Réunion des Musées Nationaux/​Art Resource, NY; monedha: Me mirësjellje nga Classical Numismatic Group, Inc./​cngcoins.com