Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A i merr Perëndia fëmijët në qiell për t’i bërë engjëj?

A i merr Perëndia fëmijët në qiell për t’i bërë engjëj?

Lexuesit pyesin

A i merr Perëndia fëmijët në qiell për t’i bërë engjëj?

Kur vdes një fëmijë, miqtë mund të përpiqen ta ngushëllojnë familjen e pikëlluar me fjalët: «Perëndisë i duhej një engjëll tjetër në qiell.» A të duket e arsyeshme kjo?

Nëse do të ishte e vërtetë që Perëndia u merr jetën fëmijëve sepse i duhen më shumë engjëj në qiell, kjo do të thoshte se ai është i pandjeshëm, madje mizor. Bibla thotë të kundërtën. (Jobi 34:10) Një atë i dhembshur nuk do t’ua rrëmbente fëmijën prindërve vetëm e vetëm për të zgjeruar familjen e vet. E megjithatë, asnjë prind njerëzor nuk është më i dhembshur se Jehovai, cilësia kryesore e të cilit është dashuria. (1 Gjonit 4:8) Dashuria e tij e madhe nuk do ta lejonte kurrë që të vepronte kaq ashpër.

Pyet veten: «A i duhen Perëndisë më shumë engjëj në qiell?» Bibla thotë se të gjitha veprat e tij janë të mira dhe të përsosura. (Ligji i përtërirë 32:4) Krijimi i drejtpërdrejt i engjëjve, ishte një vepër e përsosur dhe jo në numër të mangët. (Danieli 7:10) Mos vallë Perëndia i bëri disi gabim llogaritë për numrin e engjëjve që i duheshin? E pamundur! S’ka dyshim që Perëndia i Plotfuqishëm nuk mund të bënte kurrë një gabim të tillë. Është e vërtetë se Jehovai ka zgjedhur disa njerëz që të bëhen krijesa frymore si pjesë e Mbretërisë së tij qiellore, por këta nuk do të ishin fëmijë në kohën që do të vdisnin.—Zbulesa 5:9, 10.

Një arsye tjetër pse Perëndia nuk do të merrte fëmijë nga toka për t’i bërë engjëj në qiell, është se kjo do të binte në kundërshtim me qëllimin e tij fillestar për fëmijët. Në kopshtin e Edenit, Perëndia i tha Adamit dhe Evës: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zanafilla 1:28) Fëmijët janë dhuratë nga Perëndia, dhe kjo është thelbësore për qëllimin e tij fillestar që të mbushë tokën me një familje të drejtë njerëzore. Ai nuk kishte kurrë për qëllim që t’u ndërpriste jetën fëmijëve dhe pastaj t’i transformonte në krijesa frymore. Bibla thotë qartë se fëmijët janë «trashëgimi nga Jehovai». (Psalmi 127:3) A do t’ua merrte mbrapsht dhuratën që u kishte bërë prindërve Jehovai, Perëndia i dashurisë? Sigurisht që jo!

Vdekja e papritur e një fëmije sjell shumë pikëllim, lëndim dhe dhembje. Po çfarë shprese ka për prindërit e pikëlluar? Bibla premton se Perëndia do të ringjallë miliona e miliona njerëz në një parajsë pikërisht këtu në tokë. Imagjinoni fëmijët—tanimë në trupa të shëndetshëm—sërish me njerëzit e tyre të dashur. (Gjoni 5:28, 29) Vullneti i Perëndisë është që fëmijët të rriten, ta gëzojnë jetën dhe të mësojnë për Të e për qëllimin e tij për tokën. Pra, të vegjlit që kanë vdekur nuk janë engjëj në qiell, por do të ringjallen në një tokë parajsore. Në atë kohë, nën kujdesin e dashur të Krijuesit tonë, si të vegjlit, ashtu edhe të mëdhenjtë, do të kënaqen duke adhuruar Perëndinë Jehova në jetë të jetëve.