Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«I di dhembjet që heqin»

«I di dhembjet që heqin»

Afrojuni Perëndisë

«I di dhembjet që heqin»

Dalja 3:1-10

«I SHENJTË, i shenjtë, i shenjtë është Jehovai!» (Isaia 6:3) Këto fjalë të frymëzuara tregojnë se Jehovai është i pastër e i kulluar në shkallën më të lartë. Dikush mund të pyesë: «A nënkupton shenjtëria se ai është i ftohtë ose i largët? A ka mundësi që një Perëndi kaq i shenjtë të interesohet për mua, një njeri mëkatar dhe të papërsosur?» Le të shqyrtojmë fjalët zemërdhënëse që i tha Perëndia Moisiut, të dokumentuara te Dalja 3:1-10.

Një ditë, teksa kulloste delet, Moisiu u gjend përballë një pamjeje të jashtëzakonshme: një kaçubë që e kishte përfshirë zjarri, por që «nuk digjej». (Vargu 2) Tërë kureshtje u afrua të hetonte. Me anë të një engjëlli, Jehovai i foli Moisiut nga mesi i flakëve: «Mos u afro këtu. Hiqi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po rri, është tokë e shenjtë.» (Vargu 5) Mendoni: meqë kaçubja që po digjej përfaqësonte praninë e Perëndisë së shenjtë, vetë toka u bë e shenjtë.

Perëndia i shenjtë kishte një arsye pse donte të fliste me Moisiun. Perëndia tha: «Pa dyshim e kam parë mundimin e popullit tim në Egjipt, dhe kam dëgjuar si klithin për shkak të atyre që i shtrëngojnë të punojnë, sepse i di dhembjet që heqin.» (Vargu 7) Perëndia nuk ishte i verbër para mjerimit të popullit të tij dhe as i shurdhër ndaj përgjërimeve të tyre. Përkundrazi, ai vuante bashkë me ta. Vëreni se Perëndia tha: «I di dhembjet që heqin.» Një libër thotë për shprehjen i di: «Kjo shprehje nënkupton që vetë personi përfshihet emocionalisht dhe ndien dhembshuri e mëshirë.» Fjalët që Jehovai i tha Moisiut tregojnë se është një Perëndi që kujdeset dhe që interesohet thellësisht.

Çfarë do të bënte Perëndia? Ai nuk u mjaftua vetëm duke parë me keqardhje e duke dëgjuar me dhembshuri, por, ato që pa e dëgjoi, e shtynë të vepronte. Ai vendosi ta çlironte popullin e tij nga Egjipti dhe ta çonte «në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë». (Vargu 8) Prandaj Jehovai i dha një detyrë Moisiut: «Nxirre popullin tim . . . nga Egjipti.» (Vargu 10) Moisiu e përmbushi me besnikëri këtë caktim dhe i nxori izraelitët nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s.

Jehovai nuk ka ndryshuar. Adhuruesit e tij sot mund të jenë të sigurt se ai i sheh mundimet që po kalojnë dhe i dëgjon kur i thërrasin për ndihmë. Ai i di mirë dhembjet që heqin. Jehovai, Perëndia zemërbutë, jo vetëm që ndien dhembshuri për shërbëtorët e tij të përkushtuar, por edhe vepron për t’i ndihmuar, «sepse ai interesohet» për ta.​—1 Pjetrit 5:7.

Dhembshuria e Perëndisë na jep arsye për shpresë. Me ndihmën e tij, ne njerëzit e papërsosur mund të fitojmë njëfarë shenjtërie, pra të jetojmë sipas normave të tij të pastra, dhe të kemi miratimin e tij. (1 Pjetrit 1:15, 16) Një e krishterë që ka luftuar me depresionin dhe shkurajimin, gjeti ngushëllim nga tregimi për Moisiun dhe kaçubën në flakë. Ajo thotë: «Nëse Jehovai bën të shenjtë edhe dheun, atëherë mbase ka ndopak shpresë për mua. Ky mendim më ka ndihmuar jashtë mase.»

A dëshiron të mësosh më shumë për Perëndinë e shenjtë, Jehovain? Është e mundur të krijosh një lidhje të ngushtë me të, sepse Jehovai «e di mirë se si jemi formuar, dhe nuk harron që jemi pluhur».​—Psalmi 103:14.