Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkim këmbëngulës

Kërkim këmbëngulës

Letër nga Irlanda

Kërkim këmbëngulës

SIÇ themi nga këto anë, ishte mot i butë. Shiu i imët mbulonte pareshtur xhamin e makinës me pikla uji dhe ma mjegullonte peizazhin përqark. Pasi kisha bërë gjashtëmbëdhjetë kilometra me makinë, arrita në majë të kodrës ku shihet si në pëllëmbë të dorës Uestporti, një qytezë bregdetare në perëndim të Irlandës. Më në fund, dielli e davariti mjegullën dhe ja tek u dukën anekënd gjirit dhjetëra ishuj të vegjël, që dukeshin kaq bukur si smeraldet në një copë blu të kadifenjtë. Pak prej tyre janë të banuar, por fermerët vendës e shpien bagëtinë për të kullotur në disa prej tyre.

Një gjerdan kodrash ndjek linjën e bregut dhe vazhdon tutje në perëndim. Të veshura me fiere, myshk torfe dhe brushtull, kodrat dukeshin si bakri vezullues në diellin e pasdites. Në horizont spikaste Kro-Patriku, maja konike që vendësit e quajnë Rik. Teksa çaja përmes rrugëve dëng me njerëz, lashë pas Rikun dhe vazhdova drejt një zone ku Dëshmitarët e Jehovait shkojnë rrallë.

Njeriu për të cilin kisha marrë rrugën, nuk e dinte që do t’i shkoja. Kisha marrë një letër ku thuhej se ai ishte transferuar në këto anë kohët e fundit dhe donte të vazhdonte bisedën nga Bibla me Dëshmitarët. Vrisja mendjen: «Sa vjeç është? Është i martuar a beqar? Çfarë gjërash i interesojnë?» Hodha sytë nga çanta dhe kalova sërish ndër mend çfarë kisha marrë me vete, për t’u siguruar që kisha Biblën dhe botime të ndryshme biblike. Mendoja çfarë t’i thosha që t’ia shtoja interesin për lajmin e mirë për Mbretërinë.

Tashmë Rikun e kisha kaluar. Muret e gurta, shumë prej të cilave ishin ndërtuar gjatë Zisë së Madhe të Bukës të shekullit të 19-të, ravijëzonin një mozaik ngastrash që shtriheshin deri tutje në breg të detit. Në qiell, një pulëbardhë vetmitare sikur rrëshqiste në ajër. Tutje në horizont, murrizat dhe kumbullat e egra, të kërrusura e të deformuara si të moçmit, rrinin tok duke i kthyer kurrizin erës.

Në këtë zonë fshatare nuk ka as numra shtëpish dhe as emra rrugësh. Adresa e njeriut që po kërkoja kishte vetëm një emër shtëpie dhe emrin e taunlendit. * Gjithsesi, puna e parë ishte të gjeja të vetmin njeri që e dinte patjetër ku jetonte çdo banor: postierin. Pas gjysmë ore, gjeta postën që ishte dhoma e një shtëpie. Në derë lexova tabelën «Mbyllur». Nuk hoqa dorë, por pyeta në një dyqan dhe më drejtuan në afërsi të taunlendit.

Pasi bëra edhe tetë kilometra, gjeta vendin e referimit që po kërkoja: një kthesë të fortë djathtas me një rrugicë majtas. Trokita në një shtëpi aty afër. Doli një grua e moshuar dhe me krenari më tha se kishte gjithë jetën aty, por e zhgënjyer pohoi se nuk dinte gjë për njeriun që po kërkoja. Tha se do të bënte një telefonatë e më ftoi brenda.

Ndërsa bisedonte, i hidhte sytë herë pas here nga unë. S’diskutohet që e brente pyetja kush isha e çfarë doja. Afër derës më zuri syri një statujë të vogël të virgjëreshës Mari, kurse në mur një ikonë të madhe të Krishtit. Në tryezën e kuzhinës kishte rruzare. Që të mos e vriste më mendjen i thashë: «Kam një porosi me rëndësi për të nga disa miq.»

Erdhi edhe i shoqi e zuri të tregonte historinë e zonës. Ndërkohë zonja nuk gjeti gjë me telefonatën e parë dhe këmbënguli që të pritja, se do të merrte në telefon disa të tjerë. Me sa dukej, askush s’kishte dëgjuar as për personin, as për shtëpinë. Pashë orën. Ishte bërë vonë. Me ç’kuptova duhej të përpiqesha një ditë tjetër. I falënderova për ndihmën, u ktheva te makina dhe nisa udhëtimin e gjatë për në shtëpi.

U ktheva javën vijuese. Kësaj radhe takova postierin që më orientoi qartë. Pas çerek ore gjeta kryqëzimet që më kishte thënë. U futa majtas dhe i rashë rrugicës disa herë, duke hapur sytë për pikën tjetër të referimit, një urë të lashtë të gurtë. Nuk e gjeta. Si përfundim, pashë vendin tjetër që do të më orientonte dhe ja, në majë të kodrës ishte shtëpia që më kishte lodhur aq shumë.

U mendova një hop si t’i flitja për lajmin e mirë. Derën ma hapi një burrë i moshuar. «Më vjen keq,—tha ai,—por shtëpia që po kërkoni është atje.» Tregoi me gisht nga një shtëpi që e kishin zënë pemët. Tërë shpresë shkova tatëpjetë dhe i rashë derës. Teksa pritja, kundroja oqeanin Atlantik vetëm qindra metra më tutje. Era ishte bërë më e fortë dhe dallgët shkumonin tek përplaseshin në plazhet e virgjëra që vazhdonin për kilometra të tërë. Përreth s’kishte këmbë njeriu dhe në shtëpi s’dëgjohej asnjë pipëtimë.

E bëra edhe dy herë të tjera atë udhëtim, para se të takoja një djalë të ri. Ai më tha: «Kjo është shtëpia, por qiramarrësi i mëparshëm, burri që po kërkoni, ka ndërruar shtëpi dhe nuk e di ku ka shkuar.» I sqarova pse kisha vajtur dhe zbulova se ky i ri nuk kishte folur kurrë me Dëshmitarët e Jehovait. Atë e kishin grabitur dhe pyeste veten pse Perëndia kishte lejuar këtë dhe padrejtësitë e tjera që ndodhin. Pranoi me qejf numrat e rinj të revistave Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! që trajtonin tamam atë temë.

Shkrimet urdhërojnë që të kërkojmë me ngulm njerëzit e ndershëm që e duan të vërtetën. Mjerisht nuk e gjeta personin që kërkoja. Megjithatë, kurrsesi nuk do të thosha që më shkoi mundi kot. Në Irlandë, shumë veta mezi presin të mësojnë lajmin e mirë për Mbretërinë dhe, me bekimin e Jehovait, farat e vogla të së vërtetës që u mbollën në zemrën e atij djaloshi, një ditë mund të japin fryt.

[Shënimi]

^ par. 7 Në Irlandë, taunlendi është njësi gjeografike e përcaktuar për herë të parë në shekullin e 11-të. Taunlendët ndryshojnë në madhësi e disa mund të kenë me qindra shtëpi. Emrat e tyre përdoren në sistemin postar irlandez.