Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Modestia

Modestia

Modestia

(Ky artikull është një përkthim nga libri Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet, vëllimi 2, faqja 422, anglisht.)

VETËDIJA që ka dikush për kufizimet e veta; gjithashtu dëlirësi ose pastërti. Folja hebraike canaʽ, që shfaqet vetëm te Mikea 6:8, përkthehet «të jesh modest». Mbiemri canuaʽ, që vjen nga kjo rrënjë, përkthehet «modestët» te Proverbat 11:2 dhe bën kontrastin me arrogancën. Megjithëse sot disa studiues janë të mendimit se kjo rrënjë në hebraisht do të thotë «të jesh i vëmendshëm, i kujdesshëm, i matur», shumë mendojnë se kuptimi i saj është «të jesh modest». Për shembull, një fjalor thotë se rrënja e fjalës përçon idenë e dikujt që është i rezervuar, modest ose i përulur. (A Hebrew and English Lexicon of the Old Testament, nga autorët Braun, Drajver dhe Brigs, 1980, faqja 857) Në greqisht fjala për «modesti» është aidos. (1 Timoteut 2:9) Kur përdoret në fushën e moralit, aidos shpreh idenë e nderimit të thellë, të frikës, të respektit për ndjenjat dhe mendimin e të tjerëve ose për ndërgjegjen personale, pra shpreh turp, respekt për veten, nder, seriozitet dhe maturi. (A Greek-English Lexicon nga H. Lidelli dhe R. Skoti, rishikuar nga H. Xhonsi, Oksford, 1968, faqja 36) Duke e krahasuar fjalën aidos me termin më të zakonshëm grek që përkthehet «turp; turpëroj» (aiskhine; 1 Korintasve 1:27; Filipianëve 3:19), leksikografi Riçard Trenç thotë se aidos është një «term më fisnik dhe tregon një motiv më fisnik; nënkupton një neveri të lindur ndaj një veprimi të pandershëm në ndonjë fushë të moralit, ndërkohë që te [aiskhine] kjo lloj neverie zor se vihet re ose nuk ekziston fare». Ai thotë se «[aidos] e frenon gjithmonë një njeri të mirë të bëjë një veprim të padenjë për të, kurse [aiskhine] mund të frenonte në ndonjë rast edhe një të keq». (Synonyms of the New Testament, Londër, 1961, faqet 64, 65) Pra, në ndikimin frenues që nënkupton termi aidos përfshihet në mënyrë të veçantë ndërgjegjja.

Para Perëndisë

Shkrimet japin shumë këshilla për modestinë, në kuptimin e vlerësimit të duhur për veten. «Mençuria është me modestët»,—thotë proverbi i përmendur më lart. Në fakt, ai që është modest shmang çnderimin që vjen nga mburrja dhe arroganca. (Proverbat 11:2, shih edhe shënimin.) Ai ndjek rrugën që miraton Jehovai, e për pasojë është i mençur. (Proverbat 3:5, 6; 8:13, 14) Jehovai e do këtë njeri dhe i jep mençuri. Një nga kërkesat e Jehovait që ai të marrë miratimin e Tij është ‘të jetë modest ndërsa ecën me të’. (Mikea 6:8) Kjo nënkupton që personi duhet ta vlerësojë si duhet vendin e tij para Perëndisë, duke pranuar se gjendja e vet mëkatare bie ndesh me madhështinë, pastërtinë dhe shenjtërinë e Jehovait. Gjithashtu, do të thotë që personi duhet ta pranojë që është krijesë e Jehovait, plotësisht i varur nga Ai dhe i nënshtruar ndaj sovranitetit të Tij. Eva ishte një ndër ata njerëz që e shpërfillën këtë gjë. Ajo nuk e mbajti vendin e vet, por deshi pavarësi të plotë dhe të vendoste vetë për gjithçka. Modestia do ta kishte ndihmuar të hiqte nga mendja idenë për t’u bërë ‘si Perëndi dhe të njihte të mirën dhe të keqen’. (Zanafilla 3:4, 5) Apostulli Pavël këshillon të mos jemi tepër të sigurt te vetja dhe arrogantë, duke thënë: «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.»—Filipianëve 2:12.

Për çfarë të mburremi

Mburrja është e kundërta e modestisë. Ja cili është rregulli: «Le të të lëvdojë një i panjohur, dhe jo goja jote. Le ta bëjë këtë një i huaj, dhe jo buzët e tua.» (Proverbat 27:2) Vetë Jehovai thotë: «Le të mos mbahet me të madh i mençuri për mençurinë e tij dhe le të mos mbahet me të madh i fuqishmi për fuqinë e vet. Le të mos mbahet me të madh i pasuri për pasurinë e tij. Por ai që mbahet me të madh, le të mbahet me të madh sepse ka gjykim të thellë dhe njohuri për mua, Jehovain, që tregoj dashamirësi, që gjykoj me drejtësi dhe bëj atë që është e drejtë në tokë. Sepse kënaqem me këto gjëra.»—Jeremia 9:23, 24; krahaso Proverbat 12:9; 16:18, 19.

Perëndia i vlerëson modestët

Apostulli Pavël tregon se Perëndia i vlerëson modestët dhe përdori qëndrimin e tij në kongregacion si shembull modestie. Ai u shkroi të krishterëve në Korint: «Ju e shihni, vëllezër, që në rastin tuaj Perëndia nuk thirri shumë të mençur nga pikëpamja njerëzore, as shumë të fuqishëm, dhe as shumë nga derë fisnike. Por Perëndia zgjodhi gjërat e marra të botës, që të turpëronte të mençurit. Perëndia zgjodhi gjërat e dobëta të botës, që të turpëronte gjërat e forta. Perëndia zgjodhi gjërat e papërfillshme të botës dhe gjërat e përçmuara, gjërat që nuk janë, që të asgjësonte gjërat që janë, që asnjë mish të mos mburret para Perëndisë . . . siç është shkruar: ‘Ai që mburret, le të mburret në lidhje me Jehovain.’ Prandaj, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha t’jua shpallja sekretin e shenjtë të Perëndisë, me një të folur ose me një mençuri tepër të lartë. Sepse vendosa të mos dija gjë tjetër mes jush, përveç Jezu Krishtit, madje edhe atë, të vënë në shtyllë. Erdha te ju me dobësi, me frikë dhe me shumë dridhma. Të folurit tim dhe ajo që predikova, nuk bazohej në fjalë mbushamendëse dhe të mençura, por në një demonstrim fryme dhe fuqie, që besimi juaj të mos bazohej në mençurinë e njerëzve, por në fuqinë e Perëndisë.»—1 Korintasve 1:26–2:5.

«Mos shko përtej gjërave të shkruara»

Më vonë, në letrën e tij, Pavli theksoi nevojën që secili të jetë modest, siç kishte treguar modesti edhe ai, duke bërë një vlerësim të përshtatshëm për veten. Korintasit kishin rënë në grackën që mburreshin me disa njerëz si Apoli, e madje edhe me vetë Pavlin. Pavli i qortoi duke u thënë se kështu po tregoheshin njerëz mishorë, jo frymorë, dhe vazhdoi: «Këto gjëra, vëllezër, i paraqita për të mirën tuaj, duke përdorur si shembull veten dhe Apolin, që në rastin tonë të mësoni këtë rregull: ‘Mos shko përtej gjërave të shkruara’ [domethënë, mos shko përtej caqeve të paracaktuara nga Shkrimet për qëndrimin e njerëzve kundrejt të tjerëve dhe kundrejt vetes], që asnjë të mos krekoset në favor të njërit kundër tjetrit. Sepse kush të ka bërë ty që të jesh ndryshe nga një tjetër? Në të vërtetë, ç’gjë ke ti që nuk e ke marrë? Nëse në të vërtetë e ke marrë, përse mburresh sikur nuk e ke marrë?» Duke mbajtur parasysh këtë, i krishteri shmang mendjemadhësinë dhe mburrjen për veten ose për të tjerët në lidhje me prejardhjen, racën, ngjyrën, kombësinë, bukurinë, aftësinë, njohurinë, intelektin, etj.—1 Korintasve 4:6, 7.

Shembulli i Jezu Krishtit

Jezu Krishti është shembulli më i shkëlqyer i modestisë. Ai u tha dishepujve të tij se s’mund të bënte as edhe një gjë me nismën e vet, por vetëm atë që shihte të bënte Ati, dhe se Ati ishte më i madh se ai. (Gjoni 5:19, 30; 14:28) Jezui nuk i pranoi titujt që nuk i takonin. Kur një nga krerët e quajti «Mësues i mirë», Jezui ia ktheu: «Përse më quan i mirë? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.» (Luka 18:18, 19) Ai u tha dishepujve se duke qenë skllevër të Jehovait, nuk duhej të krekoseshin qoftë për arritjet në shërbim të Perëndisë, qoftë për vlerën që kishin në sytë e tij. Përkundrazi, pasi të bënin gjithçka që u ishte caktuar, duhej të mendonin: «Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Bëmë vetëm atë që duhej të bënim.»—Luka 17:10.

Për më tepër, kur ishte në tokë si njeri i përsosur, Zotëria Jezu Krisht, qëndronte shumë më lart se dishepujt e tij të papërsosur dhe Ati i kishte dhënë një autoritet të madh. Megjithatë, në marrëdhëniet me ta, ai i mbante parasysh kufizimet e tyre. I stërviste me shumë takt dhe i maste fjalët kur fliste me ta. Nuk u vuri mbi shpatulla më shumë nga sa mund të mbanin në atë kohë.—Gjoni 16:12; krahaso Mateun 11:28-30; 26:40, 41.

Në veshje dhe zotërime të tjera

Pavli e udhëzoi mbikëqyrësin Timote që të sigurohej se të krishterët kishin qëndrimin e duhur brenda kongregacionit; ai shkroi: «Dëshiroj që gratë të stolisen me veshje të rregullta, me modesti dhe mendje të shëndoshë, jo me modele të gërshetimit të flokëve me ar e me margaritarë ose me rroba shumë të shtrenjta, por si u ka hije grave që pohojnë se nderojnë thellë Perëndinë, domethënë me anë të veprave të mira.» (1 Timoteut 2:9, 10) Këtu apostulli nuk dënon paraqitjen e rregullt dhe të hijshme, pasi i këshilloi që të kishin «veshje të rregullta». Përkundrazi, ai tregon se sa e pavend është të mbahesh me të madh dhe të vishesh për të rënë në sy, pasi kështu tërhiqet vëmendja drejt vetes dhe të mirave që zotërohen. Gjithashtu, modestia përfshin respektin për ndjenjat e të tjerëve, respektin për veten, si dhe nderin. Mënyra se si vishet një i krishterë nuk duhet të jetë e pahijshme e të prekë ndjeshmërinë e kongregacionit në fushën morale, duke fyer ndonjë. Këto këshilla për veshjen na japin mundësi të kuptojmë më mirë mendjen e Jehovait lidhur me pikëpamjen dhe përdorimin e duhur të zotërimeve të tjera materiale që mund të ketë një i krishterë.