Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një pemë «që nuk i thahen gjethet»

Një pemë «që nuk i thahen gjethet»

Një pemë «që nuk i thahen gjethet»

A KE parë ndonjëherë vende plot pemë me gjethnajë të dendur? A nuk mendon edhe ti se është një pamje vërtet e këndshme? Po të shihje pemë të mëdha me kurorë, a do të thoshe se aty është thatësirë? Përkundrazi, ti e di se aty duhet të kalojë shumë ujë, që i mban pemët në jetë dhe të shëndetshme.

Prandaj edhe Bibla thotë se ata me besim të fortë dhe që kanë një marrëdhënie të mirë me Perëndinë janë si pemë të mëdha me gjethnajë të dendur. Për shembull, shih këtë fragment të bukur nga Psalmi i parë, vargjet 1-3:

«Lum njeriu që nuk ndjek këshillat e të ligjve, që nuk ndalet në udhën e mëkatarëve dhe nuk ulet në vendin ku ulen tallësit, por që gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait, dhe e lexon nën zë ditë e natë. Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet dhe i shkon mbarë çdo gjë që bën.»

Një gjë të ngjashme lexojmë edhe te Jeremia 17:7, 8: «Ai që ka besim te Jehovai dhe siguria e të cilit është Jehovai, është i bekuar. Ai do të bëhet si një pemë e mbjellë pranë ujërave, që i lëshon rrënjët pranë rrjedhës së ujit. Kur të vijë të nxehtët, nuk do ta ndiejë, përkundrazi do ta ketë gjethnajën të dendur. Në vitin e thatësirës nuk do ta zërë ankthi dhe as do të reshtë së dhëni fryt.»

Në të dy shembujt e mësipërm, pemët përdoren si ilustrim për të treguar se ç’ndodh me njeriun që vepron me drejtësi, që gjen kënaqësi në ligjet e Perëndisë dhe që ka besim të plotë tek Ai. Por mund të pyesim: «Në ç’kuptim është si një pemë e figurshme me gjethnajë të dendur një njeri i tillë?» Le t’i zbërthejmë këto vargje.

«E mbjellë pranë vijave të ujit»

Pemët e përmendura thuhet se janë mbjellë «pranë vijave të ujit» ose «pranë ujërave» dhe jo pranë një vije uji a një lumi të vetëm. Një përshkrim i ngjashëm gjendet edhe tek Isaia 44:3, 4, ku Perëndia Jehova tregon se si do të kujdesej për judenjtë e penduar që do të ktheheshin nga robëria në Babiloni. Jehovai tha nëpërmjet profetit Isaia: «Unë do të derdh ujë mbi të eturin dhe rrëkeza që rrjedhin ëmbël mbi vendin e thatë. . . . Ata do të mugullojnë si bari i gjelbër, si plepat buzë kanaleve të ujit.» Këtu thuhet se ‘rrëkezat’ dhe ‘kanalet e ujit’ bëjnë që të bekuarit e Perëndisë të rriten si plepa të gjelbëruar.

Edhe sot, në zona bujqësore ka kanale dhe rrëkeza që vijnë nga burime më të mëdha uji, si për shembull, nga një pus i thellë, një lumë, një liqen ose një digë. Zakonisht, ato janë pjesë të një sistemi ujitës fushash ose plantacionesh. Herë pas here, kanalet e ujit mund të përdoren për të vaditur pemët frutore. Në disa raste, rrëkezat mund të ujitin në njërin krah fushat dhe në krahun tjetër një rresht pemësh me kurorë, që ndoshta shërbejnë për të kufizuar një pronë.

Çfarë ndodh me pemët e mbjella pranë vijave të ujit? Psalmi 1:3 flet për një pemë «që jep fryt në stinën e vet». Në vendet biblike rritet fiku, shega, molla, hurma e arabisë dhe ulliri. Megjithëse fiku mund të arrijë deri në nëntë metra lartësi, shumica e pemëve të tjera frutore nuk janë shumë të larta. Megjithatë, ato mund të kenë gjethnajë të dendur, të jenë të shëndetshme dhe të japin fryt me bollëk në kohën e duhur.

Në kohët e lashta, përgjatë lumenjve e rrëkeve të Sirisë e Palestinës rriteshin plepa të mëdhenj. Kur Bibla flet për plepat, përmend edhe rrjedhat e ujit ose «luginat e përrenjve». (Levitiku 23:40) Edhe shelgjet, që janë në të njëjtën familje me plepat, rriteshin aty ku kishte ujë me bollëk. (Ezekieli 17:5) Këto pemë të mëdha me gjethnajë të dendur paraqitin më së miri idenë që donte të përcillte psalmisti dhe Jeremia: ata që përpiqen të zbatojnë ligjet e Perëndisë dhe i besojnë plotësisht atij, mbajnë një marrëdhënie të fortë me të ‘dhe u shkon mbarë çdo gjë që bëjnë’. A nuk është kjo ajo që duam—të kemi sukses në jetë?

Gjen kënaqësi në ligjin e Jehovait

Sot njerëzit e kërkojnë suksesin në rrugë të ndryshme. Ata jepen tërësisht pas gjërave që mund t’u sjellin famë dhe pasuri, por në shumicën e rasteve janë ëndrra boshe, dhe kështu zhgënjehen. Atëherë, çfarë do t’i sillte jetës kënaqësi të vërtetë dhe lumturi të vazhdueshme? Përgjigjen e marrim nga fjalët e Jezuit në Predikimin në Mal. Ai tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve!» (Mateu 5:3) Pra, nuk gjejmë lumturi të vërtetë ngaqë zotërojmë gjëra të shumta materiale, por ngaqë pranojmë nevojën për të mësuar për Perëndinë dhe bëjmë hapat e duhur për të pasur një marrëdhënie të mirë me Të. Kështu bëhemi si pemë me kurora të dendura që japin fryt në stinën e vet. Por si mund të lulëzojmë duke ndërtuar një marrëdhënie të mirë me Perëndinë?

Siç thotë psalmisti, në fillim duhen shmangur disa gjëra. Ai përmendi «këshillat e të ligjve», «udhën e mëkatarëve», dhe «vendin ku ulen tallësit». Që të jemi të lumtur, duhet të shmangim ata që tallen ose shpërfillin ligjet e Perëndisë.

Pastaj, duhet të gjejmë kënaqësi në ligjin e Jehovait. Kur diçka na sjell kënaqësi, kërkojmë çdo rast për t’u marrë me të, apo jo? Pra, të gjesh kënaqësi në ligjin e Perëndisë do të thotë të kesh vlerësim të thellë për Fjalën e Perëndisë, dëshirë për ta mësuar më shumë e për ta kuptuar më mirë.

Veç kësaj, duhet ta lexojmë «nën zë ditë e natë». Kjo do të thotë se duhet ta lexojmë Biblën rregullisht dhe të meditojmë për atë që lexuam. Për Fjalën e Perëndisë duhet të ndihemi ashtu si psalmisti që këndoi: «Oh, sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.»—Psalmi 119:97.

Vërtet, po të fitojmë njohuri të saktë e kuptueshmëri për Perëndinë Jehova e po të arrijmë të kemi besim të plotë tek ai dhe premtimet e tij, do të kemi, pa dyshim, një marrëdhënie të fortë me Perëndinë. Kështu do të jemi si njeriu i lumtur që përshkroi psalmisti, të cilit «i shkon mbarë çdo gjë që bën».