Qyteti i Korintit—«Zot mbi dy limanet»
Qyteti i Korintit—«Zot mbi dy limanet»
KUR sheh hartën e Greqisë, vëren se pjesa më e madhe e vendit përbëhet nga një gadishull dhe një si ishull i madh në jug të tij. Këto dy pjesë lidhen me anë të një rripi të ngushtë toke që hollohet deri në gjashtë kilometra. Ky rrip quhet istmi i Korintit dhe lidh gadishullin e Peloponezit (në jug) me pjesën tjetër të Greqisë (në veri).
Ky rrip është i rëndësishëm edhe në një kuptim tjetër. Ai është quajtur ura e detit, pasi në lindje të tij gjendet Gjiri Saronik që është i lidhur me Egjeun dhe me pjesën lindore të detit Mesdhe, ndërsa në perëndim të tij është gjiri i Korintit, prej ku mund të shkohet në detin Jon, Adriatik dhe në perëndim të detit Mesdhe. Tamam në mes të gjithë kësaj gjendet qyteti i Korintit, një ndalesë e rëndësishme gjatë shërbimit misionar të apostullit Pavël. Në kohët e lashta, ky qytet njihej për begatinë, luksin dhe mënyrën e shthurur të jetesës.
Vendndodhja strategjike e qytetit
Qyteti i Korintit gjendet pranë skajit perëndimor të këtij rripi kaq të rëndësishëm. Në shërbim të tij janë dy porte a limane, një në secilin krah të istmit të ngushtë: Lekeumi në perëndim dhe Kenkrea në lindje. Prandaj edhe gjeografi grek, Straboni, e përshkroi Korintin si «zot mbi dy
limanet». Për shkak të vendndodhjes së tij strategjike, Korinti kontrollonte transportin tregtar ndërkombëtar, si atë tokësor veri-jug, edhe atë detar lindje-perëndim.Qyshkur, anije të ngarkuara me mallra vinin nga lindja (Azia e Vogël, Siria, Finikia dhe Egjipti) dhe nga perëndimi (Italia e Spanja) e shkarkoheshin në njërin nga limanet. Prej aty, mallrat transportoheshin për disa kilometra në rrugë tokësore deri në bregun tjetër të istmit. Atje ngarkoheshin në anije të tjera dhe niseshin për në destinacion. Ndërsa anijet e vogla tërhiqeshin nga njëri krah i istmit në tjetrin nëpërmjet një rruge të veçantë me shina që në greqisht quhej diolkos.—Shih kutinë në faqen 27.
Pse marinarët parapëlqenin t’i binin nga istmi? Kështu shmangnin një distancë prej 320 kilometrash mes rreziqeve të shumta. Deti ishte i trazuar për shkak të stuhive karakteristike në kepat e jugut të Peloponezit. Një pikë që donin ta shmangnin me çdo kusht ishte Kepi Malea, për të cilin thuhej: «Bjeri nga Kepi Malea dhe bëji të fala shtëpisë.»
Kenkrea: E vërteta për limanin e fundosur
Porti i Kenkresë, njëmbëdhjetë kilometra në lindje të Korintit, ishte ndalesa e fundit për anijet që vinin nga Azia. Gjysma e tij sot është nën ujë për shkak të tërmeteve të forta që ranë nga fundi i shekullit të katërt të e.s. Straboni e përshkroi Kenkrenë si një port të pasur e me gjallëri, ndërsa filozofi romak, Luc Apulei, e quajti «një liman madhështor ku vijnë anijet e shumë vendeve».
Në kohën e romakëve limani kishte dy skela, që së bashku i ngjanin një patkoi me hyrje 150 deri në 200 metra. Ai mund të mbante anije deri 40 metra të gjata. Nga gërmimet e bëra në anën jugperëndimore të limanit, u zbuluan pjesë të një tempulli i cili mendohet të ketë qenë shenjtërore e perëndeshës Isida. Disa godina në krahun tjetër të portit do të kenë qenë të një shenjtëroreje të Afërditës. Këto të dyja mbaheshin si perëndesha që mbronin marinarët.
Aktiviteti i anijeve tregtare në port mund të ketë qenë një nga arsyet përse apostulli Pavël Veprat 18:1-3) Te libri Në gjurmët e shën Pavlit (anglisht) thuhet: «Kur afronte dimri, bërësit e tendave në Korint, që gjithashtu bënin edhe vela anijesh, kishin aq punë sa me zor ia dilnin. Të dyja portet ishin tumbë me anije ngaqë e kalonin dimrin aty. Ato duheshin riparuar e pajisur me ngut, sa kohë ishin në liman. Ata që merreshin me këtë punë në Lekeum e Kenkre duhet të kenë pasur aq shumë ngarkesë, sa të punësonin gati këdo që dinte t’i shkonte fillin një vele.»
punoi si bërës tendash në Korint. (Pavli qëndroi në Korint më shumë se 18 muaj, pastaj u nis me anije nga Kenkrea për në Efes, aty nga viti 52 i e.s. (Veprat 18:18, 19) Brenda katër viteve të ardhshme, në Kenkre do të formohej një kongregacion. Bibla na tregon se Pavli u kërkoi të krishterëve në Romë të ndihmonin Febën, një të krishtere nga ‘kongregacioni i Kenkresë’.—Romakëve 16:1, 2.
Sot turistët lahen mes rrënojave të limanit i cili gjendet nën ujërat e kthjellëta të gjirit të Kenkresë. Të paktë janë ata që e dinë se shekuj më parë ky vend ishte plot jetë, si nga aktivitetet e krishtere, ashtu edhe nga ato tregtare. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për portin tjetër, atë të Lekeumit, që gjendej në anën perëndimore të istmit.
Lekeumi: Dalja për në Perëndim
Një rrugë e shtruar që quhej Rruga Lekeum lidhte direkt agorën ose pazarin e Korintit, me limanin e Lekeumit në perëndim, që ndodhej 2 kilometra larg. Inxhinierët thelluan një pjesë të bregut për të mundësuar ndërtimin e portit, dhe mbetjet i grumbulluan në breg për të mbrojtur anijet e ankoruara nga erërat e fuqishme të gjirit. Një herë e një kohë, ky ishte ndër portet më të mëdha të Mesdheut. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar rrënoja të një fari, një statujë të Poseidonit që mbante një flakë.
Përgjatë Rrugës Lekeum, që ruhej me mur të dyfishtë, kishte trotuare, ndërtesa qeveritare, tempuj e kolonada me dyqane. Aty Pavli do të ketë takuar psonisës, thashethemexhinj, dyqanxhinj, skllevër, tregtarë e lloj-lloj njerëzish—tamam ajo që i nevojitej për të bërë veprën e predikimit.
Porti i Lekeumit nuk kishte vetëm profil tregtar, por ishte edhe një bazë e madhe e flotës luftarake. Disa mendojnë se trerremat, një ndër anijet më të mira luftarake të lashtësisë, u shpikën për herë të parë në kantieret detare të Lekeumit rreth vitit 700 p.e.s., nga projektuesi korintas i anijeve, Amenoklesi. Përparësitë e trerremave u dukën qartë kur athinasit i
shkaktuan humbjen vendimtare flotës perse në Selaminë, më 480 p.e.s.Limani që dikur ishte plot jetë, sot është veç një grup lagunash të zeza me kallamishte. Asgjë s’të lë përshtypjen se shekuj më parë aty ndodhej një nga portet më të mëdha të Mesdheut.
Korinti, pengesë për të krishterët
Ndonëse ishin porte tregtare, nga limanet e Korintit u futën edhe ndikime që i ndryshuan mjaft njerëzit e qytetit. Për shembull, këto porte sollën biznes e pasuri. Korinti mblodhi shumë para duke vendosur tarifa të larta për anijet që hynin në port, si edhe për mallrat e anijet që transportoheshin me anë të rrugës me shina. Qyteti vendosi taksa edhe për mallrat që transportoheshin përmes istmit në rrugë të tjera. Të ardhurat e shtetit nga tatimet e pazareve të qytetit, si dhe nga ato të porteve, ishin aq të mëdha sa, nga fundi i shekullit të shtatë p.e.s, qytetarët nuk paguanin më taksa.
Korinti vilte të ardhura edhe nga tregtarët që qëndronin aty. Ndër ta, shumë jepeshin pas ahengjeve të shthurura dhe të ekzagjeruara në shpenzime. Në Korint mblidheshin edhe marinarët që gjithashtu e pasuronin qytetin. Straboni thoshte se ata nuk e kursenin paranë. Banorët e qytetit ofronin shumë shërbime, përfshirë riparimin e anijeve.
Thuhet se në kohën e Pavlit qyteti kishte rreth 400.000 banorë, shifër që kalohej vetëm nga Roma, Aleksandria dhe Antiokia e Sirisë. Në Korint kishte grekë, romakë, sirianë, egjiptianë dhe hebrenj. Në portet e tij kalonin udhëtarë pa fund, tifozë të lojërave sportive, artistë, filozofë, biznesmenë etj. Këta u bënin dhurata tempujve dhe sakrifica perëndive. Të gjitha këto gjëra i dhanë Korintit plot jetë e begati. Por cili ishte çmimi?
Libri Në gjurmët e shën Pavlit thotë: «Duke qenë se ndodhej mes këtyre dy porteve, Korinti u bë një qytet i rafinuar dhe fitoi veset e kombeve, anijet e të cilave ankoroheshin në limane.» Të metat dhe veset e Lindjes e të Perëndimit u mblodhën e u përzien mirë e mirë në këtë qytet. Prandaj Korinti u shthur moralisht dhe u dha pas luksit të shfrenuar. Ai ishte qyteti më imoral në gjithë Greqinë e lashtë. Kur njerëzit thoshin se dikush sillej si korintas nënkuptonin se po bëje një jetë të ulët e imorale.
Kjo frymë materializmi e shthurjeje rrezikonte të ndikonte sjelljen e të krishterëve dhe marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Dishepujt e Jezuit në Korint kishin nevojë për këshilla që të mbanin një sjellje të pranueshme para Perëndisë. Dhe me të drejtë, Pavli, në letrat e tij drejtuar korintasve, dënoi me forcë lakminë, zhvatjen dhe papastërtinë morale. Kur lexon letrat që shkroi Pavli nën frymëzim nga Perëndia, sheh qartë ndikimet dekadente me të cilat duhej të përballeshin të krishterët.—1 Korintasve 5:9, 10; 6:9-11, 18; 2 Korintasve 7:1.
Megjithatë, atmosfera ndërkombëtare e Korintit kishte të mirat e veta. Në qytet lëvronin gjithnjë ide të reja. Njerëzit ishin më mendjegjerë se banorët e qyteteve të tjera ku shkoi Pavli. Një komentues i Biblës thotë: «Në këtë qytet-port të lashtësisë puqej Lindja me Perëndimin, duke bërë kështu që banorët e tij të ishin në kontakt me të gjitha idetë e reja, filozofitë dhe fetë e mundshme.» Si pasojë pranoheshin të gjitha fetë. Kjo patjetër e bëri më të lehtë predikimin e Pavlit atje.
Dy limanet e Korintit—Kenkrea dhe Lekeumi—i kontribuan begatisë dhe famës së qytetit. Nga ana tjetër ishin po këto limane që ua vështirësonin jetën të krishterëve në Korint. Edhe bota ku jetojmë sot është e ngjashme. Ndikime degraduese, si materializmi dhe shthurja morale, mund ta dëmtojnë marrëdhënien e një individi me Perëndinë. Prandaj do të ishte mirë që edhe ne t’ua vëmë veshin këshillave të frymëzuara nga Perëndia, që Pavli u dha të krishterëve të Korintit.
[Kutia dhe figura në faqen 27]
DIOLKOSI—TRANSPORT TOKËSOR
Nga fundi i shekullit të shtatë p.e.s., pas dështimit të planeve për ndërtimin e një kanali, sundimtari i Korintit, Perianderi, shpiku një mënyrë praktike për të siguruar transportin tejpërtej istmit. * Kjo shpikje quhej diolkos që do të thotë ‘tërheq për në krahun tjetër’, dhe ishte një rrugë e shtruar me rrasa e me brazda të thella ku futeshin shina druri që lyheshin me dhjamë. Malli që shkarkohej nga anijet e ankoruara në njërin port, ngarkohej në karroca me rrota dhe tërhiqej nga skllevërit përmbi shina deri në portin tjetër. Gjithashtu, në diolkos, ndonjëherë kalonin edhe anije të vogla me gjithë mallin brenda.
[Shënimi]
^ par. 29 Për historinë e ndërtimit të kanalit të sotëm, shih artikullin «Kanali i Korintit dhe historia e tij» në Zgjohuni! të 22 dhjetorit 1984, faqet 25-27, anglisht.
[Harta në faqen 25]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
GREQI
Gjiri i Korintit
Porti i Lekeumit
Korinti i lashtë
Kenkre
Istmi i Korintit
Gjiri Saronik
Peloponez
DETI JON
Kepi Malea
DETI EGJE
[Figura në faqen 25]
Sot në kanalin e Korintit kalojnë anije mallrash
[Figura në faqen 26]
Limani i Lekeumit
[Figura në faqen 26]
Limani i Kenkresë
[Burimi i figurës në faqen 25]
Todd Bolen/Bible Places.com