Viktimat e ciklonit në Mjanmar morën ndihmë
Viktimat e ciklonit në Mjanmar morën ndihmë
MË 2 maj 2008, cikloni Nargis goditi Mjanmarin me një forcë shkatërrimtare duke e bërë shpejt qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare. * Pothuajse 140.000 njerëz humbën jetën ose u zhdukën, pasi një dallgë gjigante gllabëroi zonën përreth deltës së lumit Iravav.
Ishte e pabesueshme, por edhe pse në atë zonë ka shumë Dëshmitarë të Jehovait, asnjë nga ata nuk u dëmtua. Shumë prej tyre shpëtuan ngaqë u strehuan në godinat cilësore të Sallave të Mbretërisë. Në një rast, 20 Dëshmitarë dhe 80 banorë të fshatit qëndruan për nëntë orë mbi çatinë e Sallës së Mbretërisë ndërsa niveli i ujit arriti në 5 metra. Të gjithë shpëtuan. Fatkeqësisht, 300 banorë të tjerë të atij fshati humbën jetën. Në shumë fshatra, e vetmja godinë që mbeti në këmbë ishte Salla e Mbretërisë.
Dy ditë pas ciklonit, zyra e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Jangun dërgoi një skuadër ndihme në kongregacionin e Bothingonit, në grykëderdhje të deltës. Duke udhëtuar përmes zonave të shkatërruara, duke u ruajtur nga plaçkitësit e duke kaluar përmes kufomave që po dekompozoheshin, më në fund skuadra mbërriti në Bothingon bashkë me një sasi të madhe orizi, makaronash, uji e qirinjsh. Kjo ishte skuadra e parë e ndihmës që mbërriti në atë vend. Pasi u shpërndau ndihma Dëshmitarëve të zonës, skuadra mbajti fjalime inkurajuese nga Bibla dhe u la një sasi Biblash e literature biblike, pasi gjithçka kishin, ua kishte marrë cikloni.
Dëshmitarët në zonën e prekur nga cikloni, kishin një qëndrim të jashtëzakonshëm. Një Dëshmitar nga një kongregacion në zonën e shkatërruar të lumit Iravav, tha: «Humbëm gjithçka kishim. Shtëpitë tona u shkatërruan. Gjithë të mbjellat na u prishën. Uji është ndotur nga përmbytja. Megjithatë, vëllezërit e motrat nuk janë aq të shqetësuar sa të tjerët. Ata kanë besim te Jehovai e tek organizata e tij. Qoftë nëse qëndrojmë në fshat, qoftë nëse shkojmë diku tjetër, do t’u bindemi të gjitha udhëzimeve që do të marrim.»
Një grup me 30 Dëshmitarë të tjerë që kishin humbur gjithçka, kënduan me gëzim këngë Mbretërie gjatë dhjetë orëve që udhëtuan për në vendin ku skuadra e ndihmës u kishte siguruar ushqim, veshje e strehim. Para se të mbërrinin, dëgjuan se në një qytezë aty pranë po mbahej një asamble qarkore e Dëshmitarëve të Jehovait. Ata vendosën që të ndiqnin asamblenë për t’u inkurajuar nga mësimet e Biblës dhe për të gëzuar shoqërinë e krishterë.
Në të gjithë zonën që u godit nga cikloni, 35 shtëpi të Dëshmitarëve u shkatërruan, 125 pësuan dëme të pjesshme dhe 8 Salla Mbretërie patën dëmtime të vogla. Lumturisht, asnjë nga godinat e degës nuk u dëmtua seriozisht.
Në fillim, zyra e degës mbeti krejtësisht e izoluar pasi cikloni kishte rrëzuar pemë të mëdha që kishin bllokuar rrugët përreth. Sapo u zbut pak stuhia, mbi 30 pjesëtarë të zyrës së degës iu futën punës për t’i lëvizur pemët me krahë. Njerëzit mbetën gojëhapur kur panë ata që punonin. Pas pak, mbërritën disa gra Dëshmitare me pije të ftohta dhe fruta të freskëta për ata që po punonin dhe për fqinjët, të cilët nuk u besonin syve. Një gazetar që po shihte skenën, pyeti: «Kush janë këta që punojnë kaq shpejt e kaq mirë?» Pasi mori vesh kush ishin, ai tha: «Ah sikur edhe të tjerë të bënin për njerëzit aq sa bëjnë Dëshmitarët e Jehovait!»
Dëshmitarët formuan menjëherë dy komitete ndihme në dy zona të ndryshme të vendit, që të organizonin dhënien e ndihmave. Në skuadrat e ndihmës, morën pjesë me qindra vullnetarë. Brenda pak ditësh, u ndërtuan shtëpi të reja për Dëshmitarët që u ishin shkatërruar shtëpitë. Kur një nga skuadrat e ndihmës erdhi për t’i ndërtuar shtëpinë e re një Dëshmitareje, fqinjët shtangën nga habia. Një prej tyre, tha: «Kësaj Dëshmitares po ia ndërton shtëpinë kisha e saj. Asnjë nga miqtë e mi budistë nuk erdhi të më ndihmonte. Duhet të isha bërë edhe unë Dëshmitare kur më predikoi.»
Punëtorët e ndërtimit dhe komiteti i ndihmës që po inspektonin një shtëpi pothuajse të shkatërruar në Thanlin, u prekën shumë kur familja e Dëshmitarëve u tha: «S’ka ndodhur gjë. Shtëpia jonë është mirë. Mund të jetojmë pa problem këtu. Ka Dëshmitarë të tjerë që s’kanë ku të futin kokën. Shkoni të ndihmoni ata.»
Në një zonë të Jangunit, disa shkuan të gjenin strehë te një nga kishat aty pranë. Megjithatë, asnjë nuk mundi të hynte pasi dera ishte e kyçur. U zemëruan shumë dhe donin ta shkallmonin derën e kishës. Krejt ndryshe, Dëshmitarët e Jehovait ndihmuan shumë njerëz duke i strehuar nëpër Sallat e Mbretërisë gjatë ciklonit. Për shembull, në Sallën e Mbretërisë në Dala, një çift Dëshmitarësh futi brenda 20 fqinjë të dëshpëruar që kishin vrapuar për t’u strehuar atje. Kur u gdhi ata s’kishin ku të shkonin, pasi shtëpitë u ishin shkatërruar dhe ishin të uritur. Dëshmitari gjeti dikë që shiste oriz dhe bleu aq sa duhej për t’i ushqyer të gjithë.
Në një familje në Jangun, disa janë Dëshmitarë të Jehovait e disa u përkasin kishave të ndryshme. Pas ciklonit, e gjithë familja erdhi në Sallën e Mbretërisë për të ndjekur
mbledhjen. Përse? Njëri prej tyre, tha: «Ata të kishës sonë na thanë se do të vinin të na shihnin pas stuhisë, por nuk u dukën. Vetëm Dëshmitarët erdhën. Ju na dhatë oriz e ujë. Ju nuk jeni si kishat e tjera.» Pjesëtarët e familjes që nuk ishin Dëshmitarë, u kënaqën gjatë trajtimit të artikullit të Kullës së Rojës me temë «Jehovai i dëgjon thirrjet tona për ndihmë», e madje bënë edhe shumë komente.Një javë pas ciklonit, në mbledhjen e kongregacionit erdhi një grua që studionte Biblën me Dëshmitarët. Gjatë mbledhjes, u lexua një letër nga zyra e degës që fliste për ndihmën e dhënë dhe për përvojat e të mbijetuarve nga cikloni. Gruaja filloi të qante ndërsa lexohej letra. Ajo ishte shumë e lumtur dhe e habitur që të gjithë Dëshmitarët ishin shëndoshë e mirë. Më pas, asaj i dhanë disa gjëra të nevojshme, si dhe i ngritën një tendë përbri shtëpisë. Ajo u shpreh se Dëshmitarët ishin kujdesur vërtet për të.
Jezui tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Dishepulli Jakov tha se besimi i vërtetë shoqërohet me vepra të mira. (Jakovi 2:14-17) Dëshmitarët e Jehovait i marrin seriozisht këto fjalë dhe përpiqen të shfaqin këtë lloj dashurie duke ndihmuar e mbështetur ata në nevojë.
[Shënimi]
^ par. 2 The Encyclopædia Britannica thotë: «Në rajonet e Atlantikut dhe të Karaibeve ciklonet tropikale quhen kryesisht uragane, ndërsa në Paqësorin Perëndimor dhe në detin e Kinës ato quhen tajfune.»
[Diçitura në faqen 11]
Bibla thotë se besimi i vërtetë shoqërohet me vepra të mira