Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ai mësoi mëshirën

Ai mësoi mëshirën

Imitoni besimin e tyre

Ai mësoi mëshirën

JONAI do të kishte mjaft kohë për t’u menduar. Kishte për të bërë një rrugë të gjatë, më shumë se 800 kilometra. Ishte një udhëtim që do të zgjaste rreth një muaj, a më tepër. Në radhë të parë, i duhej të zgjidhte mes rrugëve të shkurtra dhe atyre më të sigurta, e pastaj avash-avash të kalonte përmes luginave dhe shtigjeve malore të panumërta. Duhej t’i binte anës e anës Shkretëtirës së pafund të Sirisë, të kalonte lumenj, si Eufrati i fuqishëm, dhe të kërkonte strehim mes të huajve në qyteza e fshatra të Sirisë, Mesopotamisë dhe Asirisë. Ndërsa ditët kalonin, ai mendonte për vendin ku druhej të shkonte, për qytetin që afrohej pas çdo hapi: Ninevinë.

Një gjë Jonai e dinte mirë: ai nuk mund të kthehej e t’i bënte bisht caktimit. Kishte provuar ta bënte një herë këtë. Kur Jehovai e caktoi në fillim të shkonte e t’i çonte mesazhin e gjykimit kësaj qendre të fuqishme asiriane, Jonai menjëherë hipi në një anije që shkonte në drejtim të kundërt. Atëherë, Jehovai dërgoi një furtunë të fuqishme dhe Jonai e kuptoi menjëherë që rebelimi i tij do t’u merrte jetën të gjithë atyre në anije. Që t’u shpëtonte jetën marinarëve të guximshëm, ai u kërkoi ta hidhnin në det. Pa shumë dëshirë, ata e hodhën në det dhe Jonai mendoi se kaq e pati. Megjithatë, Jehovai dërgoi një peshk të stërmadh që ta gëlltiste e ta nxirrte shëndoshë e mirë në breg, nja tri ditë më vonë. I mahnitur prej kësaj, Jonai ishte më i gatshëm për t’u bindur. *Jonai, kapitujt 1, 2.

Kur Jehovai e urdhëroi për të dytën herë që të shkonte në Ninevi, profeti iu bind dhe nisi udhëtimin e largët drejt lindjes. (Jonai 3:1-3) Por, a kishte lejuar që disiplina e Jehovait ta ndryshonte tërësisht? Për shembull, Jehovai i kishte treguar mëshirë duke e shpëtuar nga mbytja, duke mos e ndëshkuar për rebelimin dhe duke i dhënë një mundësi tjetër për të përmbushur caktimin. Pas gjithë kësaj, a kishte mësuar Jonai të ishte i mëshirshëm me të tjerët? Shpesh, njerëzit e papërsosur e kanë të vështirë të mësojnë të tregojnë mëshirë. Le të shohim ç’mund të mësojmë nga përpjekjet e Jonait.

Një mesazh gjykimi dhe një reagim befasues

Jonai e shihte Ninevinë ndryshe nga ç’e shihte Jehovai. Në Bibël lexojmë: ‘Ninevia ishte një qytet tejet i madh përpara Perëndisë.’ (Jonai 3:3, shënimi) Në librin e Jonait, Jehovai e quan tri herë ‘Ninevinë qytet të madh’. (Jonai 1:2; 3:2; 4:11) Pse ishte i madh ose i rëndësishëm për Jehovain ky qytet?

Ninevia ishte një qytet i lashtë, një ndër të parët që themeloi Nimrodi pas Përmbytjes. Ishte e paanë, një zonë metropolitane që me sa duket përfshinte disa qytete të tjera, dhe duheshin tri ditë në këmbë për të shkuar nga njëri skaj në tjetrin. (Zanafilla 10:11; Jonai 3:3) Siç duket, Ninevia ishte mbresëlënëse, me tempuj të mëdhenj, mure madhështore dhe godina të tjera. Por asnjë nga këta faktorë nuk e bënte qytetin të rëndësishëm në sytë e Perëndisë Jehova. Ajo që kishte rëndësi për Të, ishin njerëzit. Ninevia kishte një popullsi jashtëzakonisht të madhe për atë kohë. Pavarësisht nga gjithë të këqijat që bënin, Jehovai prapëseprapë shqetësohej për ta. Ai e vlerëson jetën njerëzore dhe potencialin që ka çdo individ për t’u penduar e për të mësuar të bëjë atë që është e drejtë.

Kur më në fund hyri në Ninevi dhe pa popullsinë e madhe prej më shumë se 120.000 banorësh, Jonai mund të jetë frikësuar edhe më shumë. * Ai eci për një ditë të tërë, duke u futur gjithnjë e më në zemër të qytetit që gëlonte, ndoshta duke kërkuar një qendër të përshtatshme për të filluar përhapjen e lajmit. Si do të fliste me këta njerëz? Mos kishte mësuar gjuhën asiriane? Apo e kishte marrë këtë aftësi nga Jehovai me anë të një mrekullie? Nuk e dimë. Ndoshta Jonai e bëri shpalljen në gjuhën tij, në hebraisht, dhe përdori një përkthyes për t’ua përcjellë mesazhin ninevitëve. Sido që të ketë qenë, mesazhi ishte i thjeshtë dhe njerëzit mund ta merrnin inat Jonain: «Edhe dyzet ditë dhe Ninevia do të përmbyset.» (Jonai 3:4) Ai e shpalli pa ngurruar dhe disa herë këtë mesazh. Kështu ai tregoi guxim dhe besim të jashtëzakonshëm, cilësi për të cilat të krishterët sot kanë nevojë më shumë se kurrë.

Mesazhi i Jonait tërhoqi vëmendjen e ninevitëve. Pa dyshim, ai ishte përgatitur për një reagim armiqësor e të dhunshëm nga ana e tyre. Por në fakt, ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Njerëzit ia vunë veshin! Fjalët e tij morën dhenë. S’kaloi shumë dhe i gjithë qyteti po fliste për profecinë e gjykimit të Jonait. Në tregimin e tij thuhet: «Atëherë njerëzit e Ninevisë nisën të tregonin besim te Perëndia, shpallën një agjërim dhe u veshën me copë thesi, i madh e i vogël.» (Jonai 3:5) Të pasur e të varfër, të fortë e të dobët, të rinj e të moshuar, të gjithë shfaqën të njëjtën frymë pendimi. Shumë shpejt, lajmi i pendimit të tyre vajti edhe në vesh të mbretit.

Edhe mbreti filloi të kishte frikë nga Perëndia. Ai u çua nga froni, hoqi petkun luksoz mbretëror, u vesh njësoj si populli, e madje «u ul në hi». Me ‘zyrtarët e lartë’ ose fisnikët e tij, ai nxori një dekret që e zyrtarizonte agjërimin që populli kishte nisur vetë. Ai urdhëroi që të gjithë të vishnin copë thesi, madje edhe kafshët shtëpiake. * Mbreti pranoi me përulësi se populli i tij ishte fajtor për ligësi e dhunë. Gjithashtu, ai shpresonte që Perëndia i vërtetë të zbutej kur të shihte pendimin e tyre, prandaj u shpreh: «Mbase Perëndia i vërtetë e kthen mbrapsht . . . zemërimin e tij të zjarrtë, dhe kështu nuk vdesim.»—Jonai 3:6-9.

Disa kritikë dyshojnë që ninevitët të kenë ndryshuar qëndrim kaq shpejt. Megjithatë, disa studiues të Biblës thonë se ky reagim është në harmoni me natyrën besëtyte e të paqëndrueshme të popujve të këtyre kulturave në lashtësi. Sidoqoftë, më vonë, vetë Jezui foli për pendimin e ninevitëve. (Mateu 12:41) Ai e dinte për çfarë po fliste, pasi e kishte parë me sytë e tij nga qielli këtë ngjarje. (Gjoni 8:57, 58) Por, si reagoi Jehovai kur ninevitët u penduan?

Ndryshimi mes mëshirës së Perëndisë dhe ngurtësisë njerëzore

Jonai më vonë shkroi: «Perëndia i vërtetë i pa veprat e tyre, se si hoqën dorë nga rruga e keqe. Prandaj Perëndisë së vërtetë i erdhi keq për gjëmën që kishte thënë se do t’u bënte, dhe nuk e bëri.»—Jonai 3:10.

A do të thotë kjo që Jehovai ndërroi mendje duke arsyetuar se e kishte gjykuar gabim Ninevinë? Jo. Bibla thotë për Jehovain: «E përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi.» (Ligji i përtërirë 32:4) Zemërimi me vend i Jehovait thjesht ra. Ai pa si ndryshuan ata njerëz dhe kuptoi se ndëshkimi që kishte menduar për ta, nuk ishte më i nevojshëm. Ishte rasti që Perëndia të tregonte mëshirë.

Jehovai nuk është aspak ai Perëndi i ngurtë, i ftohtë e madje i ashpër që portretizojnë shpesh udhëheqësit fetarë. Përkundrazi, ai është i arsyeshëm, elastik dhe i mëshirshëm. Kur ai vendos të ndëshkojë të ligjtë, në fillim përdor përfaqësuesit e tij në tokë për t’i paralajmëruar, sepse ai dëshiron me gjithë zemër që të ligjtë të veprojnë si ninevitët: të pendohen dhe të ndërrojnë rrugë. (Ezekiel 33:11) Jehovai i tha profetit Jeremia: «Kurdoherë që të flas kundër një kombi e kundër një mbretërie për ta shkulur me rrënjë, për ta rrëzuar dhe për ta shkatërruar, dhe ai komb do të heqë dorë nga ligësia kundër së cilës fola, mua do të më vijë keq për gjëmën që kisha menduar t’i sillja.»—Jeremia 18:7, 8.

Mos vallë profecia e Jonait nuk ishte e vërtetë? Jo. Ajo e përmbushi qëllimin e saj paralajmërues. Ai paralajmërim ishte për shkak të rrugës së keqe të ninevitëve, të cilët më pas ndryshuan. Por nëse ninevitët do të ktheheshin prapë në rrugë të keqe, mbi ta do të binte gjykimi i Perëndisë. Dhe pikërisht kështu ndodhi më vonë.—Sofonia 2:13-15.

Po si reagoi Jonai kur shkatërrimi që ai priste, nuk ndodhi? Në Bibël lexojmë: «Mirëpo kjo nuk i pëlqeu aspak Jonait, i cili u nxeh.» (Jonai 4:1) Madje Jonai bëri një lutje që duket si qortim ndaj të Plotfuqishmit. Jonai tha se ai nuk duhej të kishte ikur nga shtëpia, nga vendi i tij. Ai pretendoi se e kishte ditur gjatë gjithë kohës që Jehovai nuk do ta kishte sjellë gjëmën mbi Ninevinë, madje duke e përdorur këtë arsyetim si justifikim për faktin që në fillim ia kishte mbathur për në Tarshish. Pastaj kërkoi të vdiste, duke thënë që për të do të ishte më mirë të vdiste se të jetonte.—Jonai 4:2, 3.

Ku e kishte hallin Jonai? Nuk mund të dimë gjithçka që i kalonte nëpër mendje, por ajo që dimë është se Jonai e kishte shpallur gjykimin kundër Ninevisë para gjithë atyre njerëzve. Ata e kishin besuar. Por tani gjykimi nuk do të vinte. Mos vallë kishte frikë se mos e tallnin ose e merrnin për profet të rremë? Sido që të ishte puna, ai nuk u gëzua që ata u penduan dhe që Jehovai tregoi mëshirë për ta. Përkundrazi, me sa duket, ai ishte zhytur në një vorbull zemërimi, keqardhjeje për veten dhe krenarie të lënduar. Por, ishte e qartë se prapëseprapë Perëndia i mëshirshëm i Jonait shihte anët e mira te ky njeri i brengosur. Në vend që ta ndëshkonte Jonain për mungesën e respektit, Jehovai, me butësi, i bëri vetëm një pyetje që ta bënte të mendonte: «A mendon se ke vërtet të drejtë të nxehesh kështu?» (Jonai 4:4) A u përgjigj Jonai? Bibla nuk e thotë.

Si i dha Jehovai një mësim Jonait

Profeti i dëshpëruar iku nga Ninevia dhe nuk mori rrugën për në shtëpi, por shkoi në drejtim të lindjes, në disa male të asaj krahine. Aty ndërtoi një kasolle të vogël ku u ul për të pritur e për të parë Ninevinë. Ndoshta shpresonte ende të shihte shkatërrimin e saj. Si do ta mësonte Jehovai këtë kokëfortë të ishte i mëshirshëm?

Gjatë natës, Jehovai bëri që aty të mbinte një bimë kungullujësi. Kur Jonai u zgjua, pa një bimë të harlisur, me gjethet e saj të mëdha që i bënin më shumë hije se kasollja e tij e brishtë. Atij iu çel fytyra. «Jonai u gëzua së tepërmi» për bimën e kungullujësit, ndoshta sepse e shihte mbirjen e saj të mrekullueshme si shenjë bekimi dhe miratimi nga Perëndia. Por, Jehovai donte të bënte më shumë për Jonain, sesa thjesht ta mbronte nga dielli dhe nga zemërimi i vet kapriçoz. Ai donte të prekte zemrën e Jonait. Kështu, Perëndia bëri që një krimb ta brente bimën, e cila u tha. Pastaj dërgoi «një erë zhuritëse nga lindja» derisa Jonai filloi ‘të zalisej’ nga vapa. Ai u dëshpërua përsëri dhe i kërkoi Perëndisë të vdiste.—Jonai 4:6-8.

Përsëri Jehovai e pyeti nëse kishte të drejtë të nxehej edhe për tharjen e bimës së kungullujësit. Në vend që të pendohej, Jonai u justifikua duke thënë: «Po, kam të drejtë të nxehem, madje sa të vdes!» Tani ishte koha që Jehovai t’ia bënte të qartë mësimin që po i jepte.—Jonai 4:9.

Perëndia arsyetoi me Jonain duke i thënë se profetit i vinte keq për tharjen e një bime që ishte rritur brenda natës, bimë që Jonai as e kishte mbjellë e as kishte bërë gjë për ta rritur. Pastaj Perëndia vazhdoi: «Po mua, a nuk duhej të më vinte keq për Ninevinë, për qytetin e madh, në të cilin ka më shumë se njëqind e njëzet mijë njerëz, që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta, si edhe shumë kafshë shtëpiake?!»—Jonai 4:10, 11. *

A e kuptoni sa i thellë ishte mësimi që donte t’i jepte Jehovai? Jonai nuk kishte ngritur as gishtin për t’u kujdesur për atë bimë. Kurse Jehovai ishte Burimi i jetës për ninevitët dhe i kishte mbështetur, ashtu siç bën me të gjitha krijesat në tokë. Si mund t’i jepte Jonai më shumë vlerë një bime, sesa jetës së 120.000 njerëzve, bashkë me bagëtitë e tyre? Mos vallë kishte lejuar që tek ai të mbizotëronin mendimet egoiste? Në fund të fundit, atij i vinte keq për kungullujësin ngaqë kishte hallin e vet. A nuk u zemërua për Ninevinë i shtyrë nga motive po kaq egoiste—një dëshirë krenare për të shpëtuar imazhin e tij, për të provuar që kishte të drejtë?

Vërtet një mësim i thellë! Por, lind pyetja, a ia vuri veshin Jonai? Libri që mban emrin e tij mbaron me pyetjen e Jehovait, pa marrë përgjigje. Disa kritikë thonë se Jonai nuk iu përgjigj kurrë asaj pyetjeje. Por, në të vërtetë përgjigjja e tij është vetë libri që shkroi. Provat tregojnë se Jonai shkroi librin që mban emrin e tij. Përpiquni të përfytyroni profetin, i kthyer në vendin e tij, duke shkruar këtë tregim. Mund të arrijmë të shohim me sytë e mendjes një burrë më të moshuar, më të mençur dhe më të përulur, që tund kokën me pendim ndërsa hedh me shkrim gabimet, rebelimin dhe kokëfortësinë e tij për të mos treguar mëshirë. Është më se e qartë që Jonai zuri mend nga mësimi i mençur i Jehovait. Mësoi të ishte i mëshirshëm. Po ne, a do të tregohemi të mëshirshëm?

[Shënimet]

^ par. 4 Shih artikullin «Imitoni besimin e tyre—Mësoi nga gabimet e veta»Kullën e Rojës të 1 janarit 2009.

^ par. 9 Sipas llogaritjeve, në kohën e Jonait, Samaria, kryeqyteti i Izraelit, mund të ketë pasur rreth 20.000 deri në 30.000 banorë—më pak se një e katërta e popullsisë së Ninevisë. Në kulmin e lulëzimit të saj, Ninevia mund të ketë qenë qyteti më i madh në botë.

^ par. 11 Kjo hollësi mund të duket e çuditshme, por nuk ishte e padëgjuar në kohët e lashta. Historiani grek, Herodoti, shkroi se persët e lashtë e shprehën pikëllimin për vdekjen e një gjenerali të famshëm duke përfshirë edhe bagëtinë në zakonet e mbajtjes së zisë.

^ par. 24 Duke thënë se ata njerëz nuk dinin të dallonin të djathtën nga e majta, Perëndia po thoshte se ata nuk kishin fare njohuri për normat e Perëndisë.

[Diçitura në faqen 16]

Perëndia dëshiron me gjithë zemër që të ligjtë të pendohen dhe të ndërrojnë rrugë, ashtu si ninevitët

[Diçitura në faqen 17]

Perëndia përdori një bimë kungullujësi për t’i mësuar Jonait mëshirën