Lindja e re—Çfarë arrihet nëpërmjet saj?
Lindja e re—Çfarë arrihet nëpërmjet saj?
PSE Jezui përdori shprehjen «lind . . . nga fryma» kur foli për pagëzimin me frymë të shenjtë? (Gjoni 3:5) Kur përdoret në kuptimin e figurshëm, fjala «lindje» do të thotë «fillim», si për shembull, në shprehjen «lindja e një kombi». Kështu, shprehja «lindje e re» tregon «një fillim të ri». Prandaj, termat e figurshëm «lind» dhe «lindje e re», theksojnë se do të ketë një fillim të ri në marrëdhënien mes Perëndisë dhe atyre që pagëzohen me frymë të shenjtë. Si ndodh ky ndryshim rrënjësor në marrëdhënien e këtyre individëve me Perëndinë?
Kur shpjegoi se si Perëndia përgatit njerëz për qeverinë qiellore, apostulli Pavël përdori një ilustrim nga jeta familjare. Ai u shkroi të krishterëve të kohës së tij se ‘do të birësoheshin’ dhe si rezultat Perëndia mund t’i trajtonte «si bij». (Galatasve 4:5; Hebrenjve 12:7) Për të parë se si shembulli i birësimit të ndihmon të kuptosh ndryshimin që ndodh kur dikush pagëzohet me frymë të shenjtë, shqyrto edhe një herë ilustrimin e të riut që dëshiron të regjistrohet në një shkollë për studentët që i përkasin një minoriteti të caktuar.
Një ndryshim i shkaktuar nga birësimi
Në ilustrim, i riu nuk mund të regjistrohet në shkollë, sepse nuk i përket atij minoriteti. Tani, imagjino sikur një ditë ndodh një ndryshim i madh. Atë e birëson në mënyrë të ligjshme një baba që i përket asaj popullsie. Si ndikon kjo tek ai i ri? E pra, meqë është birësuar, tani ai mund të ketë të njëjtat të drejta si të rinjtë e tjerë të atij minoriteti, përfshirë edhe të drejtën për t’u regjistruar në atë shkollë. Birësimi e ka ndryshuar krejtësisht situatën.
Kjo ilustron se çfarë u ndodh në mënyrë shumë më domethënëse atyre që lindin përsëri. Shqyrto disa ngjashmëri. I riu në ilustrim do të pranohet në shkollë, por vetëm nëse përmbush kërkesën për t’u pranuar, domethënë t’i përkasë minoritetit të caktuar. Por, ai vetë nuk mund ta përmbushë këtë kërkesë. Po kështu, disa njerëz do të sundojnë në Mbretërinë e Perëndisë ose në qeverinë qiellore, por vetëm nëse përmbushin kërkesën e pranimit, domethënë ‘të lindin përsëri’. Por, ata vetë nuk mund ta përmbushin këtë kërkesë, pasi lindja e re varet nga Perëndia.
Çfarë e ndryshoi gjendjen e të riut? Procesi ligjor i birësimit. Sigurisht, ky proces nuk
e ndryshoi natyrën e të riut. Pas birësimit, ai mbeti po i njëjti person. Megjithatë, pasi u përmbushën kërkesat ligjore për birësimin, ai mori një status të ri. Në fakt, pati një fillim të ri ose si të thuash, një lindje të re. U pranua si bir dhe kjo i dha të drejtën të ndiqte shkollën dhe të bëhej pjesë e familjes së babait të tij birësues.Po kështu, Jehovai ia ndryshoi gjendjen një grupi njerëzish të papërsosur duke ndërmarrë një procedurë ligjore për t’i birësuar si fëmijë të tij. Apostulli Pavël, i cili i përkiste këtij grupi, u shkroi bashkëbesimtarëve: «[Ju] morët një frymë birësimi, me anë të së cilës ne thërrasim: ‘Abba, o Atë!’ Fryma e Perëndisë jep dëshmi bashkë me frymën tonë, se jemi fëmijë të Perëndisë.» (Romakëve 8:15, 16) Po, nëpërmjet procesit të birësimit, këta të krishterë ishin bërë pjesë e familjes së Perëndisë ose «fëmijë të Perëndisë».—1 Gjonit 3:1; 2 Korintasve 6:18.
Natyrisht, birësimi nga Perëndia nuk ua ndryshoi natyrën të birësuarve, sepse ata mbetën të papërsosur. (1 Gjonit 1:8) Megjithatë, siç shpjegoi më tej Pavli, pasi ishin përmbushur kërkesat ligjore për birësimin, ata morën një status të ri. Njëkohësisht, fryma e Perëndisë u dha këtyre të birësuarve bindjen e fortë se do të jetonin me Krishtin në qiell. (1 Gjonit 3:2) Kjo bindje e qartë u dha një këndvështrim krejt të ri për jetën. (2 Korintasve 1:21, 22) Po, ata patën një fillim të ri ose, si të thuash, një lindje të re.
Në lidhje me të birësuarit e Perëndisë, Bibla thotë: «Ata do të jenë priftërinj të Perëndisë e të Krishtit, dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.» (Zbulesa 20:6) Bashkë me Krishtin, të birësuarit e Perëndisë do të bëhen mbretër në Mbretërinë e Perëndisë ose në qeverinë qiellore. Apostulli Pjetër u tha bashkëbesimtarëve se do të merrnin «një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet», e cila «është rezervuar në qiej» për ta. (1 Pjetrit 1:3, 4) Vërtet një trashëgimi e çmuar!
Megjithatë, edhe për çështjen e mbretërimit ngrihet një pyetje. Nëse ata që lindin përsëri do të mbretërojnë në qiell, mbi cilët do të mbretërojnë? Kjo pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues.
[Figura në faqen 10]
Çfarë tha Pavli për birësimin?