Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lindja e re​—A është një vendim personal?

Lindja e re​—A është një vendim personal?

Lindja e re​—A është një vendim personal?

KUSH e shkakton lindjen e re? Kur u bëjnë thirrje dëgjuesve të tyre që të lindin përsëri si të krishterë, disa predikues citojnë fjalët e Jezuit: «Duhet të lindni përsëri.» (Gjoni 3:7) Predikues të tillë i përdorin këto fjalë si një urdhër, duke thënë në të vërtetë: «Lindni përsëri!» Në këtë mënyrë, predikojnë se varet nga çdo besimtar nëse do t’i bindet Jezuit dhe do të bëjë hapat e nevojshëm që të lindë përsëri. Sipas këtij arsyetimi, lindja e re është një zgjedhje personale. Por, a është kjo pikëpamje në harmoni me atë që i tha Jezui Nikodemit?

Një lexim i kujdesshëm i fjalëve të Jezuit tregon se ai nuk tha se varet nga njeriu nëse do të zgjedhë të lindë përsëri ose jo. Pse e themi këtë? Shprehja greke e përkthyer «lind përsëri», mund të përkthehet edhe «duhet të lindë nga lart». * Kështu, sipas këtij përkthimi, lindja e re vjen «nga lart», domethënë «nga qielli» ose «nga Ati». (Jakovi 1:17) Po, atë e shkakton Perëndia.—1 Gjonit 3:9.

Nëse mbajmë parasysh shprehjen «nga lart», nuk është e vështirë të kuptojmë pse një njeri nuk mund të shkaktojë lindjen e tij të re. Mendo për lindjen tënde të mirëfilltë. A varej nga ty nëse do të zgjidhje të lindje ose jo? Patjetër që nuk varej nga ty! Linde, sepse babai yt shkaktoi lindjen tënde. Po kështu, ne mund të lindim përsëri vetëm nëse Perëndia, Ati ynë qiellor, shkakton lindjen tonë të re. (Gjoni 1:13) Prandaj, apostulli Pjetër me të drejtë thotë: «Bekuar qoftë Perëndia dhe Ati i Zotërisë tonë Jezu Krisht, sepse në përputhje me mëshirën e tij të madhe, na dha një lindje të re.»—1 Pjetrit 1:3.

A është një urdhër?

Por, disa mund të pyesin: «Nëse është e vërtetë që askush nuk mund të vendosë vetë nëse do të lindë përsëri, atëherë pse Jezui dha urdhrin: ‘Duhet të lindni përsëri.’» Kjo është një pyetje me vend. Në fund të fundit, nëse fjalët e Jezuit do të ishin një urdhër, ai po na urdhëronte të bënim diçka që nuk varej nga ne. Kjo nuk duket e arsyeshme. Atëherë, si duhen kuptuar fjalët «duhet të lindni përsëri»?

Një shqyrtim më i kujdesshëm i kësaj fraze në gjuhën origjinale, tregon se ajo nuk është në mënyrën urdhërore ose në formë urdhri. Përkundrazi, është në formën e një pohimi. Me fjalë të tjera, kur Jezui tha «duhet të lindni përsëri», po pohonte një fakt, nuk po jepte një urdhër. Ai tha: «Është e nevojshme të lindni nga lart.»—Gjoni 3:7, Modern Young’s Literal Translation.

Për ta ilustruar këtë dallim midis urdhrit dhe pohimit të një fakti, mendo për një krahasim. Imagjino një qytet që ka disa shkolla. Njëra prej tyre është shkollë për studentët e një minoriteti të caktuar. Një ditë, një i ri që nuk i përket atij minoriteti, i thotë drejtorit të shkollës: «Dua të regjistrohem në shkollën tuaj.» Drejtori i thotë: «Që të regjistrohesh, duhet t’i përkasësh atij minoriteti.» Sigurisht, fjalët e drejtorit nuk janë një urdhër. Ai nuk po e urdhëron studentin: «Përkiti atij minoriteti!» Drejtori thjesht po pohon faktin, domethënë cila është kërkesa për të ndjekur atë shkollë. Po kështu, kur Jezui tha «duhet të lindni përsëri», thjesht po pohonte një fakt, domethënë cila ishte kërkesa ‘për të hyrë në mbretërinë e Perëndisë’.

Kjo e fundit, pra, Mbretëria e Perëndisë, lidhet edhe me një aspekt tjetër të lindjes së re. Ajo ka të bëjë me pyetjen: cili është qëllimi i kësaj lindjeje? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është një çelës për të kuptuar saktë se ç’do të thotë të lindësh përsëri.

[Shënimi]

^ par. 3 Mjaft versione biblike e përkthejnë Gjonin 3:3 në këtë mënyrë. Për shembull, përkthimi Simon Filipaj thotë: «Kush nuk lind përsëri prej së larti, nuk mund ta shohë Mbretërinë e Hyjit.»

[Figura në faqen 6]

Ç’ngjashmëri ka midis lindjes së re dhe lindjes së mirëfilltë?