Çfarë është besimi?
Çfarë është besimi?
SI DO ta përkufizonit besimin? Disa e barazojnë me bindjen e verbër. H. L. Menkeni, eseist dhe gazetar amerikan me influencë, njëherë e quajti besimin «bindje e palogjikshme se mund të ndodhë e pamundura».
Ndryshe nga kjo, Bibla nuk e quan besimin as të verbër, as të palogjikshëm. Fjala e Perëndisë thotë: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara.»—Hebrenjve 11:1.
Meqë ka mendime të ndryshme për besimin, le të shqyrtojmë përgjigjet e pyetjeve vijuese:
• Si ndryshon përkufizimi që jep Bibla për besimin nga ajo që mendojnë shumë njerëz?
• Pse është jetësore të zhvillojmë atë lloj besimi që përshkruan Bibla?
• Si mund ta forconi besimin?
Akt pronësie dhe dëshmi të forta
Në kohën kur u shkrua libri biblik i Hebrenjve, fjala greke e përkthyer «pritja e sigurt» përdorej gjerësisht. Shpesh ajo përdorej në dokumentet tregtare dhe përçonte idenë e një garancie për zotërimin e diçkaje në të ardhmen. Prandaj, një vepër referimi sugjeron se Hebrenjve 11:1 mund të përkthehej: «Besimi është akti i pronësisë për gjërat e shpresuara.»
Nëse keni blerë ndonjëherë një artikull nga një firmë e besueshme dhe më pas keni pritur që t’jua dërgojë, atëherë keni treguar këtë lloj besimi. Fatura që kishit, ju jepte arsye për të pasur besim te firma ku e kishit blerë artikullin. Në njëfarë kuptimi, ajo faturë ishte akti juaj i pronësisë, garancia se do të merrnit atë që kishit blerë. Po ta kishit humbur faturën ose ta kishit hedhur, do të kishit humbur provën që tregonte se ishit pronari i artikullit. Në mënyrë të ngjashme, ata që kanë besim se Perëndia do t’i mbajë premtimet e tij, e kanë të garantuar se do ta marrin atë që shpresojnë. Nga ana tjetër, ata që nuk kanë besim ose e humbin atë, nuk kanë të drejtë të marrin gjërat që premton Perëndia.—Jakovi 1:5-8.
Shprehja e dytë te Hebrenjve 11:1, e përkthyer «dëshmia e dukshme», përçon idenë e paraqitjes së dëshmive për të kundërshtuar diçka që vetëm në dukje është e vërtetë. Për shembull, dielli duket sikur rrotullohet rreth tokës—ngrihet në lindje, lëviz nëpër qiell dhe ulet në perëndim. Megjithatë, dëshmitë nga astronomia dhe matematika tregojnë se toka nuk është qendra e sistemit diellor. Kur i njihni këto dëshmi dhe i pranoni si të vërteta, keni besim se është toka që rrotullohet rreth diellit, pavarësisht se çfarë shihni me sy. Besimi juaj nuk është i verbër. Përkundrazi, ai ju jep aftësinë që t’i shihni gjërat siç janë në të vërtetë, e jo thjesht siç duken.
Sa i rëndësishëm është besimi i fortë?
Ky është lloji i besimit që nxit Bibla: besim i fortë i bazuar në dëshmi të forta, edhe nëse kërkon që të ndreqim bindjet tona. Një besim i tillë është jetësor. Apostulli Pavël shkroi: «Pa besim askush nuk mund t’i pëlqejë Perëndisë. Kush i afrohet Perëndisë duhet të besojë se ai është real dhe se i shpërblen ata që vërtet duan ta gjejnë.»—Hebrenjve 11:6, New Century Version.
Për të zhvilluar një besim të fortë, ka shumë sfida që duhen kapërcyer. Por, nëse ndërmerrni katër hapat që përshkruhen në faqet vijuese, mund t’ia dilni mbanë.