Për ‘fundin’
Çfarë mësojmë nga Jezui
Për ‘fundin’
Çfarë do të marrë fund?
Dishepujt e pyetën Jezuin: «Cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Kur iu përgjigj kësaj pyetjeje, Jezui nuk tha se do të shkatërrohej toka. Më parë, ai kishte folur për ‘sistemin’ dhe e kishte përdorur këtë term për t’iu referuar tërë sistemit politik, tregtar dhe fetar, që kontrollohet nga Satanai. (Mateu 13:22, 40, 49) Prandaj, Jezui kishte në mendje këtë sistem kur tha: «Do të vijë fundi.»—Mateu 24:14.
Si e përshkroi Jezui fundin?
Fundi i këtij sistemi të padrejtë është një «lajm i mirë». Jezui tha: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.» Jezui e përshkroi në këtë mënyrë fundin e sistemit të sotëm: «Do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri. Në të vërtetë, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte.»—Mateu 24:14, 21, 22.
Cilët do të shkatërrohen?
Do të shkatërrohen vetëm ata që nuk duan Jehovain dhe Jezuin e nuk u shërbejnë atyre. Këta njerëz nuk i kushtojnë vëmendje Perëndisë. Jezui tha: «Ashtu siç ishin ditët e Noesë, ashtu do të jetë edhe prania e Birit të njeriut.» Pastaj shtoi se njerëzit që jetonin në ato ditë «nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». (Mateu 24:36-39) Jezui tha se shumë janë në udhën që të çon në shkatërrim. Megjithatë, ai na siguroi se ka ‘një rrugë të kufizuar që të çon në jetë’.—Mateu 7:13, 14.
Kur do të marrë fund ky sistem?
Kur e pyetën për shenjën e pranisë së tij ‘dhe të përfundimit të sistemit’, Jezui u përgjigj: «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete . . . Për shkak të rritjes së paligjshmërisë, dashuria e shumicës do të ftohet.» (Mateu 24:3-12) Prandaj, të gjitha lajmet e trishtueshme sot kanë një domethënie inkurajuese: së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të sjellë paqe për njerëzit e bindur. Jezui tha: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.»—Luka 21:31.
Çfarë duhet të bësh?
Jezui tha se Perëndia «dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme». (Gjoni 3:16) Që të tregosh besim te Perëndia dhe te Biri i tij, duhet t’i njohësh mirë ata. Ja pse Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
Ki kujdes se mos ankthet dhe problemet të pengojnë të mësosh se si të tregosh dashurinë tënde për Perëndinë. Jezui tha: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga . . . ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak. Sepse ajo do të vijë.» Nëse i vë veshin paralajmërimit të Jezuit, ‘do t’ia dalësh mbanë të shpëtosh nga të gjitha këto gjëra që do të ndodhin’.—Luka 21:34-36.
Për më shumë informacion, shih kapitullin 9, «A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?», që gjendet te libri Çfarë mëson vërtet Bibla? *
[Shënimi]
^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.