Si të kemi një familje të lumtur?
Përgatitini adoleshentët për moshën e rritur
«Sa kënaqesha kur flisja me djemtë e mi! Më dëgjonin me kujdes dhe vepronin menjëherë. Por, tani që janë adoleshentë, debatojmë për çdo gjë. Madje atyre nuk u pëlqejnë aktivitetet që lidhen me adhurimin tonë. ‘A duhet të flasim patjetër për Biblën?’—më thonë. Para se djemtë të bëheshin adoleshentë, kurrë nuk e imagjinoja që do të ndodhte kjo në familjen time, edhe pse shihja të ndodhte te të tjerat.»—Rexhi. *
A PO rritni një adoleshent? Nëse po, jeni dëshmitarë të një prej fazave më interesante të rritjes së fëmijës suaj. Por, ajo mund të jetë edhe një nga fazat më nervozuese. A ju duken të njohura skenat vijuese?
-
Kur djali juaj ishte më i vogël, ishte si një varkë e lidhur në liman, domethënë te ju. Tani që është adoleshent, po e tërheq litarin ku është lidhur e mezi pret të lundrojë, dhe keni përshtypjen se nuk jeni të ftuar të ngjiteni në varkë.
-
Kur vajza juaj ishte fëmijë, ju thoshte gjithçka. Tani që është adoleshente, ka formuar «një grup» me shoqet, dhe ju ndiheni sikur nuk jeni ftuar të bëni pjesë.
Nëse në shtëpinë tuaj po ndodh diçka e ngjashme, mos nxirrni me nxitim përfundimin se fëmija juaj po bëhet një rebel i pandreqshëm. Por, ç’po ndodh atëherë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, le të shqyrtojmë rolin kyç që luan adoleshenca në zhvillimin e fëmijës.
Adoleshenca—Një fazë e rëndësishme
Që kur lind e më pas, jeta e një fëmije është një periudhë ku çdo gjë bëhet për herë të parë: hidhen hapat e parë, thuhet fjala e parë, dita e parë e shkollës, për të përmendur vetëm disa. Prindërit gëzohen kur fëmija arrin pika të tilla të rëndësishme në zhvillimin e tij. Arritjet tregojnë diçka që prindërit dëshirojnë kaq shumë ta shohin: rritjen e fëmijës.
Edhe adoleshenca është një fazë e rëndësishme, megjithëse disa prindër mund të mos e presin me aq kënaqësi. Shqetësimi i tyre është i kuptueshëm. Në fund të fundit, cili baba ose cila nënë është e lumtur kur sheh që fëmija i bindur shndërrohet në një adoleshent plot luhatje humori? Megjithatë, adoleshenca është një fazë jetësore e rritjes. Në ç’kuptim?
Bibla thotë se me kalimin e kohës njeriu «do të lërë babanë dhe nënën». (Zanafilla 2:24) Një nga funksionet kryesore të adoleshencës është që ta ndihmojë djalin ose vajzën tuaj për atë ditë të trishtueshme, por edhe të lumtur. Në atë kohë, fëmija juaj duhet të jetë i aftë të thotë siç tha apostulli Pavël: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.»—1 Korintasve 13:11.
Në thelb, këtë gjë bën djali ose vajza juaj gjatë viteve të adoleshencës: lë pas tiparet e fëmijërisë dhe mëson të bëhet një i ri i përgjegjshëm që është aq i pavarur dhe i pjekur, sa
mund të largohet nga familja. Në fakt, një vepër referimi e përshkruan në mënyrë prekëse adoleshencën si «një mirupafshim e gjatë».Patjetër, tani për tani vetë ideja që djali juaj «i vogël» ose vajza juaj «e vogël» të bëhen të pavarur, mund t’ju ngjallë ndjenja mosbesimi. Ndoshta pyetni:
-
«Kur djali im nuk është aq i përgjegjshëm sa të mbajë pastër dhomën e vet, si mund të kujdeset për një shtëpi të tërë?»
-
«Nëse vajza ime nuk respekton orarin e kthimit në shtëpi, si mund të respektojë orarin e punës ku do të punojë?»
Nëse ju mundojnë këto mendime, kujtoni këtë: pavarësia nuk është një derë që fëmija thjesht e kalon; ajo është një rrugë që djali ose vajza bën, dhe duhen vite për ta mbaruar udhëtimin. Tani për tani, e keni parë vetë se «marrëzia është e lidhur me zemrën e një djali» ose vajze.—Proverbat 22:15.
Por, duke pasur drejtimin e duhur, fëmija juaj do të dalë nga adoleshenca si një i rritur që i ka «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën».—Hebrenjve 5:14.
Si t’ia dilni mbanë?
Që ta përgatitni fëmijën tuaj adoleshent për moshën e rritur, keni nevojë ta ndihmoni që të zhvillojë «fuqinë . . . për të arsyetuar», me qëllim që të jetë i aftë të marrë vetë vendime të mençura. * (Romakëve 12:1, 2) Për këtë do t’ju ndihmojnë parimet biblike vijuese.
Filipianëve 4:5: «Arsyetueshmërinë tuaj le ta njohin të gjithë.» Fëmija juaj adoleshent bën një kërkesë, ndoshta që të qëndrojë më shumë jashtë në mbrëmje. Menjëherë e hidhni poshtë këtë kërkesë. Ai qahet: «Më trajton si fëmijë!» Para se t’ia ktheni «e po ashtu po sillesh», kini parasysh këtë: adoleshentët priren të kërkojnë më shumë liri se sa mund të mbajnë, por prindërit ndoshta priren t’u japin më pak liri se sa mund t’u jepnin. Mos ndoshta mund të bëni ndonjë lëshim herë pas here? Pse të mos mendoni të paktën për pikëpamjen e adoleshentit?
SUGJERIM: Shkruani dy ose tri fusha ku mund t’i jepni pak më shumë liri adoleshentit. Shpjegojini se po ja jepni këtë liri si provë. Nëse vepron me përgjegjshmëri, me kalimin e kohës mund t’i jepet më shumë liri. Nëse nuk vepron ashtu, nuk do të ketë më atë liri që i është dhënë.—Mateu 25:21.
Kolosianëve 3:21: «Etër, mos kërkoni vazhdimisht të metat te fëmijët tuaj. Nëse mezi kënaqeni, ata mund të heqin dorë nga përpjekjet e tyre.»—International Children’s Bible. Disa prindër mundohen të kontrollojnë çdo gjë që bën adoleshenti. Që të sillet siç duan ata, prindërit pothuajse e kyçin në shtëpi. Ia zgjedhin ata shokët dhe i përgjojnë telefonatat. Por këto metoda mund të sjellin rezultate të kundërta. Po ta kufizoni në shtëpi, vetëm sa e nxitni që të dëshirojë të ikë; po t’i kritikoni vazhdimisht shokët, vetëm sa i bëni më tërheqës për të; po t’ia përgjoni telefonatat, mund të ndihet i detyruar të gjejë mënyra për të komunikuar fshehurazi me shokët. Sa më shumë të përpiqeni ta keni nën kontroll, aq më pak kontroll mund të keni në fund. Në të vërtetë, nëse adoleshenti juaj nuk mëson kurrë të marrë vetë vendime ndërsa është në shtëpi, si do të dijë të marrë vendime kur të largohet nga shtëpia?
SUGJERIM: Herën tjetër kur të flitni me adoleshentin tuaj për një problem, ndihmojeni të arsyetojë se si zgjedhjet e tij ndikojnë tek emri i tij. Për shembull, në vend që të kritikoni shokët e tij, thoni: «Po sikur [emri] të arrestohej sepse ka shkelur ligjin? Ç’do të mendonin të tjerët për ty?» Ndihmojeni adoleshentin të kuptojë se zgjedhjet që bën, ndikojnë te reputacioni i tij për mirë ose për keq.—Proverbat 11:17, 22; 20:11.
Efesianëve 6:4: «Mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.» Në gjuhën origjinale, rritja në «normën mendore» i referohet një procesi për të ndrequr mendjen, dhe nuk nënkupton vetëm të thuash fakte. Ajo do të thotë t’i bësh thirrje vetëdijes morale të fëmijës në mënyrë të atillë që të ndikojë te veprimet e tij. Kjo është veçanërisht jetësore kur fëmija juaj bëhet adoleshent. Një baba me emrin Andrea thotë: «Sa më shumë rritet fëmija, aq më shumë duhet ta ndreqësh mënyrën si i flet dhe aq më shumë duhet të arsyetosh me të.—2 Timoteut 3:14.
SUGJERIM: Kur të lindë një problem, përpiquni të ndërroni rolet. Pyeteni adoleshentin se ç’këshillë do t’ju jepte po të ishit fëmija i tij. Thuajini të bëjë kërkime për të parë nëse mendimi i tij qëndron apo jo. Diskutojeni përsëri çështjen brenda një jave.
Galatasve 6:7: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» Një fëmijë mund të mësohet me anë të ndëshkimit—ndoshta duke i thënë të shkojë në dhomën e tij ose duke mos e lejuar të bëjë gjërat që i pëlqejnë. Me një adoleshent do të ishte mirë të gjenit mënyra për ta ndihmuar që të mësojë nga pasojat e gabimeve të tij.—Proverbat 6:27.
SUGJERIM: Mos e nxirrni nga situata duke shlyer borxhet e tij ose duke e justifikuar para mësuesit për ndonjë notë të keqe. Lëreni të provojë pasojat dhe do të nxjerrë një mësim që nuk do ta harrojë lehtë.
Si prindër, ndoshta dëshironi që adoleshenca të jetë si një pistë fluturimi ku fëmija juaj të marrë shpejtësi shpejt e mirë dhe të nisë fluturimin drejt moshës së rritur. Por rrallë kjo nisje është kaq e qetë. Megjithatë, adoleshenca e fëmijës suaj ju jep një mundësi të mrekullueshme që ‘ta stërvitni djalin në udhën e drejtë’. (Proverbat 22:6) Parimet biblike janë një themel i fortë mbi të cilin mund të ndërtoni lumturinë familjare.
^ par. 3 Emri është ndryshuar.
^ par. 19 Edhe pse do t’i referohemi fëmijës në gjininë mashkullore, parimet që trajtohen vlejnë për të dyja gjinitë.
PYET VETEN . . .
Kur fëmija im adoleshent të ikë nga shtëpia, a do të jetë i aftë të bëjë gjërat vijuese:
-
të mbajë një rutinë të rregullt me aktivitete që lidhen me besimin?
-
të bëjë zgjedhje të drejta e të marrë vendime të mençura?
-
të komunikojë mirë me të tjerët?
-
të kujdeset për shëndetin e vet?
-
të përdorë siç duhet paratë?
-
të pastrojë e të mirëmbajë shtëpinë ose apartamentin?
-
të ketë iniciativë?