A ndryshon mendje Perëndia?
A ndryshon mendje Perëndia?
BIBLA thotë se Perëndia «nuk ndryshon, siç ndryshon hija gjatë rrotullimit». Veç kësaj, për të na siguruar, vetë Perëndia thotë: «Unë jam Jehovai, dhe s’kam ndryshuar.» (Jakovi 1:17; Malakia 3:6) Sa ndryshon Perëndia Jehova nga ata njerëz që s’di si t’i kënaqësh dhe të cilëve s’mund t’u zësh besë, pasi ndryshojnë mendje vazhdimisht!
Mirëpo, disa lexues të Biblës pyesin nëse Perëndia ka ndryshuar mendje. Për shembull, dikur Perëndia Jehova u dha të krishterëve fuqi të kryenin mrekulli, kurse tani jo. Në lashtësi, Perëndia e lejonte poligaminë, kurse sot nuk e lejon. Në Ligjin e Moisiut, Jehovai kërkonte të mbahej sabati, ndërsa sot jo. A nuk tregojnë këto raste se Perëndia ka ndryshuar?
Në radhë të parë, të jemi të sigurt se Perëndia nuk i ndryshon kurrë normat e tij të dashurisë e të drejtësisë. Gjithashtu, ‘qëllimi i tij i përjetshëm’ për të bekuar njerëzimin me anë të Mbretërisë së tij nuk ka ndryshuar kurrë. (Efesianëve 3:11) Gjithsesi, ashtu si ju mund të ndryshoni mendim për një njeri, sjellja e të cilit ju zhgënjen vazhdimisht, edhe Jehovai ndryshon duke reaguar ndaj ndryshimit të rrethanave.
Perëndia ndryshon edhe udhëzimet që i jep popullit të tij në varësi të situatës dhe nevojave të vet popullit. Kjo nuk duhet të na habitë. Si mendoni, ç’do të bënte një ciceron i zoti po të shihte përpara ndonjë rrezik? Do t’u thoshte turistëve t’i dilnin nga një rrugë
tjetër, larg rrezikut. Prapëseprapë, kjo s’do të thotë se ai ka ndryshuar mendje dhe s’do të shkojnë për ku ishin nisur, apo jo? Prandaj, të shqyrtojmë tri rastet e përmendura më sipër, që për disa mbeten enigmë.Pse pushuan mrekullitë?
Pse Perëndia u dha fuqi të kryenin mrekulli disa të krishterëve në shekullin e parë? Ndoshta e dini se, kur Izraeli ishte kombi i zgjedhur i Perëndisë, shpesh Perëndia u tregonte nëpërmjet mrekullive se ishte përkrah tyre. Me anë të Moisiut, Perëndia ushtroi fuqinë e tij mahnitëse për ta çliruar Izraelin nga Egjipti dhe për ta drejtuar përmes shkretëtirës për në Tokën e Premtuar. Mjerisht, herë pas here izraelitët nuk treguan besim tek ai. Kur në fund Jehovai e mohoi Izraelin dhe themeloi kongregacionin e krishterë, u dha apostujve dhe disa të tjerëve fuqi për të kryer mrekulli. Për shembull, apostujt Pjetër dhe Gjon shëruan një burrë që kishte lindur i çalë, kurse apostulli Pavël ktheu në jetë një të vdekur. (Veprat 3:2-8; 20:9-11) Mrekullitë që kryen ata, ndihmuan që krishterimi të hidhte rrënjë në shumë vende. Atëherë, pse pushuan mrekullitë?
Apostulli Pavël shpjegoi me anë të një ilustrimi: «Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë dhe arsyetoja si fëmijë. Por tani që jam bërë burrë, i kam flakur tiparet e një fëmije.» (1 Korintasve 13:11) Ashtu si prindërit e trajtojnë një fëmijë të vogël ndryshe nga një të rritur, edhe mënyra si vepronte Jehovai me kongregacionin e krishterë ndryshoi kur ky nuk ishte më «fëmijë». Apostulli Pavël shpjegoi se këto dhurata të mrekullueshme, siç ishte aftësia për të folur gjuhë të huaja ose për të profetizuar, ‘do të hiqeshin’.—1 Korintasve 13:8.
Pse u lejua poligamia?
Jezui tregoi normën që vuri Perëndia për martesën kur i tha çiftit të parë: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.» (Mateu 19:5) Martesa duhej të ishte një lidhje e përhershme midis dy njerëzve. Mirëpo, kur Perëndia i organizoi izraelitët që të ishin një komb dhe u dha Ligjin, poligamia tashmë ishte bërë një praktikë e përhapur. Prandaj, ndonëse nuk e krijoi dhe as nuk e inkurajoi poligaminë, Perëndia dha ligje për ta rregulluar këtë çështje. Kur u formua kongregacioni i krishterë, Fjala e Perëndisë e ndaloi qartë poligaminë.—1 Timoteut 3:2.
Perëndia Jehova i lejon disa gjëra deri kur mendon se ka ardhur tamam koha që t’i ndreqë. (Romakëve 9:22-24) Jezui tregoi se Jehovai i kishte lejuar përkohësisht disa zakone të papërshtatshme lidhur me martesën, si një lëshim për shkak të zemërgurësisë së Izraelit.—Mateu 19:8; Proverbat 4:18.
Pse sabati u mbajt përkohësisht?
Perëndia vendosi që çdo javë të mbahej sabati pasi i çliroi izraelitët nga Egjipti. Më vonë këtë normë e përfshiu në Ligjin e tyre kombëtar. (Dalja 16:22-30; 20:8-10) Apostulli Pavël shpjegoi se Jezui e dha veten si flijim, dhe kështu «shfuqizoi . . . Ligjin e urdhërimeve të përbërë nga dekrete» dhe «fshiu dokumentin e shkruar me dorë». (Efesianëve 2:15; Kolosianëve 2:14) Ajo që u shfuqizua dhe u fshi përfshinte edhe ligjin e sabatit, pasi Bibla thotë më tej: «Askush të mos ju gjykojë në të ngrënë e në të pirë, për ndonjë festë, për mbajtjen e hënës së re a të sabatit.» (Kolosianëve 2:16) Pse fillimisht Perëndia e dha Ligjin, ku përfshihej edhe sabati?
Apostulli Pavël shkroi: «Ligji është bërë edukatori ynë që çon te Krishti.» Pastaj shtoi: «Tani që besimi ka mbërritur, nuk jemi më nën një edukator.» (Galatasve 3:24, 25) Perëndia nuk ndryshoi mendje, por e përdori sabatin si mjet të përkohshëm për t’u mësuar njerëzve se duhej të rezervonin kohë rregullisht për të medituar për çështjet e adhurimit të Perëndisë. Ndonëse ligji i sabatit ishte i përkohshëm, e drejtonte vëmendjen tek ajo ditë kur njerëzimi do të pushojë përfundimisht nga vuajtjet fizike dhe shpirtërore.—Hebrenjve 4:10; Zbulesa 21:1-4.
Perëndi i besueshëm dhe i dashur
Shembujt biblikë që trajtuam më sipër, tregojnë se Perëndia Jehova dha drejtime e udhëzime të ndryshme në kohë të ndryshme. Kjo nuk do të thotë se ai ndryshonte mendje, por që reagonte sipas nevojave të popullit të tij në rrethana të ndryshme, dhe këtë e bënte për të mirën e tyre. E njëjta gjë është edhe sot.
Meqë Jehovai nuk i ndryshon normat, gjithnjë e dimë çfarë duhet të bëjmë për t’i pëlqyer atij. Për më tepër, të jemi të sigurt se do të realizohet gjithçka që Perëndia ka premtuar. Jehovai thotë: «Do të bëj çdo gjë që më pëlqen. . . . Unë e kam vendosur, dhe unë do ta realizoj.»—Isaia 46:10, 11.
[Diçitura në faqen 21]
Perëndia nuk i ndryshon kurrë normat e tij të dashurisë e të drejtësisë
[Diçitura në faqen 22]
Pavli shpjegoi se, me kalimin e kohës, dhuratat e mrekullueshme ‘do të hiqeshin’
[Diçitura në faqen 23]
Martesa duhej të ishte një lidhje e përhershme midis dy njerëzve