Ai i mban parasysh kufizimet tona
Afrojuni Perëndisë
Ai i mban parasysh kufizimet tona
«PËRPIQESHA me gjithë shpirt, por gjithnjë mendoja se s’po bëja sa duhej.» Kështu tha një grua për përpjekjet që bënte për t’i pëlqyer Perëndisë. A kënaqet Perëndia Jehova kur adhuruesit e tij bëjnë gjithçka që munden? A i merr parasysh aftësitë dhe rrethanat e tyre? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, na ndihmon shqyrtimi i asaj që thuhet në Ligjin e Moisiut lidhur me disa flijime, siç tregohet te Levitiku 5:2-11.
Sipas Ligjit, Perëndia kërkonte flijime ose blatime të ndryshme si shlyerje për mëkatet. Në rastet e përmendura në këtë fragment, individi kishte mëkatuar pa dashje ose pa u menduar. (Vargjet 2-4) Kur bëhej i vetëdijshëm se kishte mëkatuar, duhej ta rrëfente mëkatin dhe të paraqiste si blatim për fajin «një femër . . . qengj ose kec». (Vargjet 5, 6) Po sikur të ishte i varfër dhe të mos kishte qengj ose kec që ta çonte për flijim? A kërkonte Ligji të merrte hua një kafshë, e kështu të hynte në borxh? A duhej të punonte derisa të blinte një, dhe ta vononte shlyerjen për mëkatet e tij?
Duke pasqyruar mirëkuptimin plot dashuri të Jehovait, Ligji thoshte: «Por nëse nuk i ka mundësitë të sjellë një kafshë nga bagëtia e imët, do të sjellë para Jehovait për mëkatin që ka kryer, dy turtuj ose dy zogj pëllumbash si blatim për fajin.» (Vargu 7) Në rast se një izraelit ishte aq i varfër sa të mos sillte dot një kafshë nga bagëtia e imët, atëherë Jehovai pranonte me kënaqësi diçka që ishte brenda mundësive të individit: dy turtuj ose dy pëllumba.
Po sikur ai njeri të mos i kishte mundësitë as për dy zogj? «Do të sjellë një të dhjetën e një efe [rreth një kilogram] majë mielli si blatim për mëkatin që ka kryer»,—thoshte Ligji. (Vargu 11) Për skamësit Jehovai bëri një përjashtim dhe lejoi një blatim pa gjak për mëkatin. * Në Izrael, varfëria nuk privonte askënd nga bekimi i shlyerjes ose privilegji për të bërë paqe me Perëndinë.
Çfarë mësojmë për Jehovain nga ligji për blatimet e fajit? Mësojmë se ai është Perëndi i dhembshur, mirëkuptues që i mban parasysh kufizimet e adhuruesve të vet. (Psalmi 103:14) Ai dëshiron që ne t’i afrohemi dhe të ndërtojmë një marrëdhënie të mirë me të, pavarësisht nga rrethanat e vështira, siç janë: mosha e thyer, shëndeti i dobët, përgjegjësitë familjare dhe përgjegjësitë e tjera. Marrim zemër kur dimë se Perëndia Jehova kënaqet po të bëjmë gjithçka që është brenda mundësive tona.
[Shënimi]
^ par. 4 Vlera shlyese e një kafshe për flijim qëndronte te gjaku i saj, që Perëndia e shihte si të shenjtë. (Levitiku 17:11) A do të thotë kjo se blatimet në miell të të varfërve ishin pa vlerë? Jo. Sigurisht që Jehovai vlerësonte frymën e përulur dhe të pakursyer me të cilën bëheshin këto blatime. Për më tepër, mëkatet e gjithë kombit, përfshirë edhe të të varfërve, mbuloheshin nga gjaku i kafshëve që i ofroheshin Perëndisë çdo vit në Ditën e Shlyerjes.—Levitiku 16:29, 30.