Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ata e donin fjalën e Perëndisë

Ata e donin fjalën e Perëndisë

Ata e donin fjalën e Perëndisë

SHPESH mesazhet e rëndësishme janë përkthyer në mjaft gjuhë, që t’i kuptojnë sa më shumë njerëz që është e mundur. Bibla, Fjala e Perëndisë, përmban një mesazh të rëndësishëm. Ndonëse u shkrua shumë kohë më parë, gjithçka që gjejmë në Bibël «u shkrua për mësimin tonë» dhe na jep ngushëllim e shpresë për të ardhmen.—Romakëve 15:4.

Prandaj, është logjike që Bibla, e cila përmban mesazhin më të rëndësishëm që është shkruar ndonjëherë, të gjendet në shumë gjuhë. Gjatë gjithë historisë, njerëzit kanë bërë çmos ta përkthejnë Biblën, pavarësisht nga sëmundjet e rënda, ndalimi nga ana e qeverisë, madje edhe nga kërcënimi i dënimit me vdekje. Pse? Sepse e donin Fjalën e Perëndisë. Le të hedhim një vështrim të shkurtër në historinë mbresëlënëse të përkthimit të Biblës.

«Anglezët e mësojnë më mirë në anglisht ligjin e Krishtit»

Kur Xhon Uajklifi lindi aty nga viti 1330, shërbesat kishtare në Angli mbaheshin në latinisht. Ndërkohë njerëzit e thjeshtë flitnin anglisht në jetën e përditshme. Ata komunikonin në anglisht me njëri-tjetrin, madje i luteshin Perëndisë në anglisht.

Uajklifi, një prift katolik, e zotëronte mirë latinishten. Megjithatë mendonte se ishte e gabuar të përdorej latinishtja për t’u mësuar njerëzve Shkrimet, pasi e konsideronte një gjuhë që favorizonte klasën e privilegjuar. Ai shkroi: «Njohuria për ligjin e Perëndisë duhet të jepet në gjuhën që kuptohet më lehtë, sepse ajo që po u mësohet [njerëzve] është fjala e Perëndisë.» Prandaj, Uajklifi dhe shokët e tij krijuan një skuadër për ta përkthyer Biblën në anglisht. Për këtë u deshën afro 20 vjet.

Ideja e një përkthimi të ri nuk u prit mirë nga Kisha Katolike. Në librin Misteret e Vatikanit (gjermanisht) shpjegohet përse kisha ishte kundër: «Në këtë mënyrë, laikët kishin mundësi të krahasonin thjeshtësinë e krishterimit të hershëm me katolicizmin bashkëkohor. . . . Për herë të parë u bë mjaft e dukshme sa shumë ndryshonte mësimi i Themeluesit të krishterimit me atë të mëkëmbësit të tij të vetëshpallur [papën].»

Papa Gregori XI nxori pesë dekrete që dënonin Uajklifin. Por përkthyesi nuk u spraps. Ai u përgjigj: «Anglezët e mësojnë më mirë në anglisht ligjin e Krishtit. Moisiu e dëgjoi ligjin e Perëndisë në gjuhën e vet, e po kështu edhe apostujt e Krishtit.» Rreth vitit 1382, pak pasi vdiq Uajklifi, skuadra e Uajklifit nxori përkthimin e parë në anglisht të komplet Biblës. Pas nja dhjetë vjetësh, një nga bashkëpunëtorët e tij nxori një version të rishikuar që lexohej më lehtë.

Meqë ende nuk ishte shpikur makina e shtypit, çdo dorëshkrim duhej kopjuar me dorë. Kjo punë e lodhshme që kërkonte mjaft kujdes mund të zgjaste dhjetë muaj. Mirëpo, mendimi se Bibla do të dilte në qarkullim, e merakosi kaq shumë Kishën saqë një kryepeshkop kërcënoi me shkishërim çdokënd që do ta lexonte. Më shumë se 40 vjet pas vdekjes së Uajklifit, me urdhër të një këshilli papnor, kleri e zhvarrosi trupin e tij, ia dogji eshtrat dhe hirin e hodhi në lumin Suift. Gjithsesi, ata që donin me gjithë zemër të gjenin të vërtetën, e kërkonin Biblën e Uajklifit. Profesor Uilliam M. Blekbërni tha: «U bënë, u qarkulluan gjerësisht dhe iu trashëguan brezit të ri kopje të panumërta të Biblës së Uajklifit.»

Bibël për bujkun

Brenda 200 vjetësh, anglishtja e Uajklifit praktikisht doli nga përdorimi. Një predikues i ri pranë Bristolit e mërziste fakti që fare pak njerëz arrinin ta kuptonin Biblën. Një herë, ky predikues, Uilliam Tindali, dëgjoi një njeri me shkollë t’i thoshte se më mirë të ishin pa ligjin e Perëndisë, sesa pa ligjin e papës. Tindali iu përgjigj se, po ta lejonte Perëndia, s’do të ishte e largët dita kur ai do të bënte që një bujk ta njihte më mirë Biblën sesa ky njeri i arsimuar.

Uajklifi i kishte përkthyer Shkrimet nga Vulgata në latinisht dhe i kishte kopjuar me dorë. Më 1524-n, Tindali, që tashmë kishte shkuar nga Anglia në Gjermani, nisi t’i përkthente direkt nga gjuhët origjinale, hebraishtja dhe greqishtja. Pastaj, përdori një shtypshkronjë në Këln për të shtypur kopjet. Shpejt armiqtë e Tindalit morën vesh për përkthimin dhe e bindën senatin e Këlnit të urdhëronte konfiskimin e të gjitha kopjeve.

Tindali ia mbathi në Vorms, një qytet tjetër në Gjermani, dhe rifilloi punën. S’kaloi shumë dhe kopje të Shkrimeve Greke të përkthyera nga Tindali u futën fshehurazi në Angli. Brenda gjashtë muajsh ishin shitur kaq shumë kopje sa u mbajt një mbledhje urgjente e peshkopëve dhe u dha urdhri për t’i djegur Biblat.

Për të frenuar dallgën e leximit të Biblës dhe të ashtuquajturën herezi të Tindalit, peshkopi i Londrës ngarkoi Tomas Morin për ta sulmuar Tindalin me anë të penës. Mori ishte i indinjuar, sidomos ngaqë Tindali kishte përdorur fjalën «kongregacion» në vend të fjalës «kishë» dhe «i moshuar» ose «plak» në vend të fjalës «prift». Këto fjalë vinin në diskutim autoritetin e papës dhe dallimin midis klerikëve dhe laikëve. Tomas Mori dënoi edhe përkthimin e fjalës greke agápe «dashuri» në vend që të përkthehej «bamirësi». Në librin Nëse Perëndia ma kursen jetën (anglisht) thuhet: «Edhe ky ishte një nocion i rrezikshëm për Kishën, pasi nënvlerësimi në dukje i bamirësisë mund të rrezikonte dhurimet fitimprurëse, indulgjencat dhe trashëgimitë, nëpërmjet të cilave besimtarët hapnin udhën për në parajsë, sipas asaj që u ishte mësuar.»

Tomas Mori nxiti djegien e «heretikëve», dhe kjo bëri që Tindalin ta mbytnin dhe trupin t’ia digjnin në shtyllë në tetor të vitit 1536. Për sa i përket Tomas Morit, atij iu pre koka më vonë, sepse humbi miratimin e mbretit. Sidoqoftë, më 1935-n ai u shenjtërua nga Kisha Katolike dhe në vitin 2000 papa Gjon Pali II e nderoi si shenjtorin mbrojtës të politikanëve.

Tindalit nuk iu bë ndonjë nderim i tillë. Megjithatë, para se të vdiste, miku i tij Majls Koverdali i bashkoi pjesët e përkthyera nga Tindali në një Bibël të plotë. Ky ishte përkthimi i parë në anglisht nga gjuhët origjinale. Tani çdo bujk mund ta lexonte Fjalën e Perëndisë. Ç’të themi për Biblat në gjuhë të tjera?

«Dukej e pamundur»

Me gjithë kundërshtimet e familjes e të miqve, misionari britanik, Robert Morrisoni, i përpirë nga dëshira për të botuar Biblën e plotë në gjuhën kineze, nisi udhëtimin drejt Kinës në vitin 1807. Puna e tij e përkthimit nuk ishte aspak e lehtë. «Dukej e pamundur»,—deklaroi Çarls Grenti, që asokohe ishte drejtor i Kompanisë së Indisë Lindore.

Me të mbërritur, Morrisoni mori vesh se ishte e ndaluar që kinezët t’ua mësonin gjuhën e tyre të huajve, në të kundërt, dënoheshin me vdekje. Për të mbrojtur veten dhe ata që ranë dakord t’i mësonin gjuhën, Morrisoni u mbyll brenda për njëfarë kohe. Sipas një artikulli, «pas dy vjet studimesh, ai fliste gjuhën mandarine, më shumë se një dialekt dhe dinte të lexonte e të shkruante» në këtë gjuhë. Ndërkohë, perandori nxori një dekret ku botimi i librave të krishterë cilësohej si krim dhe dënohej me vdekje. Morrisoni e mori në sy rrezikun dhe, më 25 nëntor 1819, përfundoi përkthimin e gjithë Biblës në gjuhën kineze.

Aty nga viti 1836, rreth 2.000 Bibla të plota, 10.000 kopje të Shkrimeve Greke dhe 31.000 pjesë të ndara të Shkrimeve ishin shtypur në gjuhën kineze. Dashuria për Fjalën e Perëndisë kishte bërë të mundur atë që «dukej e pamundur».

Bibël në jastëk

Dy javë pas martesës, në shkurt të vitit 1812, misionari amerikan Adoniram Judson dhe e shoqja, Ana, u nisën për udhë të gjatë, dhe së fundi u vendosën në Birmani në vitin 1813. * Sakaq iu futën mësimit të gjuhës birmane, një nga gjuhët më të vështira të botës. Pas disa vjet studimesh, Judsoni shkroi: «Mësojmë një gjuhë të folur nga njerëz në skajin tjetër të tokës, mendimet e të cilëve bredhin nëpër rrugë të ndryshme nga tonat. . . . Nuk kemi asnjë fjalor apo përkthyes për të na shpjeguar sikur edhe një fjalë të vetme.»

Judsoni nuk u dorëzua para vështirësive të gjuhës. Ai e përfundoi përkthimin në gjuhën birmane të Shkrimeve të Krishtere Greke në qershor të vitit 1823. Më vonë Birmaninë e pllakosi lufta. Ngaqë dyshonin se ishte spiun, Judsonin e burgosën, ia shtrënguan këmbët me tri palë pranga të hekurta dhe e lidhën në një stekë të lartë që të mos lëvizte. «Ndër gjërat e para që donte të dinte zoti Judson sapo e lejuan të takohej e të fliste në anglisht me zonjën Judson, ishte për dorëshkrimin e përkthimit të Testamentit të Ri»,–shkroi Fransis Uejlendi në një libër që doli në vitin 1853 për jetën e Judsonit. Nga meraku se mos dorëshkrimi kalbej nga lagështia dhe myku, ashtu i groposur nën shtëpi, Ana e qepi atë në një jastëk dhe ia shpuri të shoqit në burg. Dorëshkrimi mbijetoi pavarësisht nga rrethanat e vështira.

Pas shumë muajsh në burg, Judsonin e liruan. Por gëzimi i tij qe jetëshkurtër. Po atë vit, ethe të forta e mbërthyen Anën dhe ajo vdiq brenda pak javësh. S’kaluan veç gjashtë muaj dhe e bija, Maria, që ishte vetëm dy vjeçe, u fik nga një sëmundje e pashërueshme. Ndonëse me zemër të vrerosur, Judsoni i hyri sërish punës. E gjithë Bibla përfundoi në vitin 1835.

A e doni Fjalën e Perëndisë?

Dashuria që treguan këta përkthyes për Fjalën e Perëndisë nuk është diçka e re. Në Izraelin e lashtë, psalmisti i këndoi Perëndisë Jehova: «Sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën e mbaj mendjen atje.» (Psalmi 119:97) Bibla nuk është thjesht një vepër letrare mbresëlënëse. Ajo përmban një mesazh të rëndësishëm. A tregoni se e doni Fjalën e Perëndisë duke e lexuar rregullisht? Të jini të sigurt se, po ta bëni këtë dhe po ta zbatoni atë që mësoni, do të jeni të lumtur.—Jakovi 1:25.

[Shënimi]

^ par. 22 Sot, si Birmania, ashtu edhe gjuha e saj quhen Mjanmar.

[Diçitura në faqen 8]

«Anglezët e mësojnë më mirë në anglisht ligjin e Krishtit.»​—XHON UAJKLIFI

[Figurat në faqen 9]

Uilliam Tindali dhe një faqe nga Bibla e tij

[Burimi]

Tindali: nga libri Evolucioni i Biblës në anglisht (anglisht)

[Figurat në faqen 10]

Robert Morrisoni dhe përkthimi i tij i Biblës së plotë në gjuhën kineze

[Burimet]

Nën kujdesin e Sektorit Aziatik të Bibliotekës së Kongresit Amerikan

Robert Morrisoni, gravurë nga W. Holl, nga Galeria e figurave kombëtare, (vëll. IV, anglisht), botuar rreth 1820 (litografi), Chinnery, George (1774-1852) (after)/​Private Collection/​Ken Welsh/​The Bridgeman Art Library International

[Figurat në faqen 11]

Adoniram Judsoni dhe Bibla e përkthyer prej tij në gjuhën birmane

[Burimi]

Judsoni: gravurë nga John C. Buttre/​Dictionary of American Portraits/​Dover

[Burimet e figurave në faqen 8]

Uajklifi: nga libri Historia e protestantizmit (vëll. I, anglisht); Bibla: me mirësjellje nga Biblioteka e Shoqërisë Biblike Amerikane, Nju-Jork