Pse Bibla është praktike për ditët tona
Pse Bibla është praktike për ditët tona
«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe mund të përdoret në mënyrë dobiprurëse . . . për t’i udhëhequr njerëzit në jetë.»—2 TIMOTEUT 3:16, The Jerusalem Bible.
GJATË shekujve, njerëz të shumë kulturave janë nxitur nga Bibla që të ndryshojnë jetën e tyre për mirë. Shkrimi i cituar më sipër shpjegon pse Bibla është e efektshme në këtë drejtim—mençuria e saj vjen nga Perëndia. Edhe pse u shkrua nga njerëzit, Bibla na përcjell mendimet e Perëndisë. Ajo shpjegon: «Njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2 Pjetrit 1:21.
Bibla është një udhëzues praktik të paktën në dy mënyra. Së pari, jep një pikëpamje realiste se cila është mënyra më e mirë e jetesës. Së dyti, ajo ka fuqinë t’i nxitë njerëzit që të bëjnë ndryshimet e nevojshme për të pasur këtë jetë më të mirë. Le të shqyrtojmë këto dy aspekte.
Gjykim të thellë për të arritur synime praktike
Në Bibël, Perëndia bëri këtë premtim: «Unë do të të jap gjykim të thellë dhe do të të mësoj udhën që duhet të ndjekësh. Do të të këshilloj duke i mbajtur sytë mbi ty.» (Psalmi 32:8) Vër re se Perëndia nuk na ofron vetëm këshilla, por edhe gjykim të thellë, që është aftësia për të dalluar të gjitha aspektet e një situate. Nëse kemi gjykim të thellë për të kuptuar se cilat synime janë vërtet dobiprurëse, kjo mund të na mbrojë që të mos e çojmë dëm jetën duke u dhënë pas gjërave të pavlera.
Për shembull, shumë njerëz kanë si synim në jetë pozitën ose pasurinë. Ka me bollëk libra autodidaktë që tregojnë si t’ua kalosh të tjerëve për të fituar prestigj ose për t’u bërë i pasur. Nga ana tjetër, Bibla thotë: ‘Rivaliteti midis njëri-tjetrit është kotësi dhe rropatje pas erës.’ «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend.» (Eklisiastiu 4:4; 5:10) A janë praktike këto këshilla për ne sot?
Për ta ilustruar se sa praktike janë këshillat e Biblës, le të shqyrtojmë rastin e Akinorit nga Japonia. Pasi përballoi një konkurrencë të egër, Akinori arriti synimin që të diplomohej në një universitet me emër dhe të gjente punë në një firmë të suksesshme. Dukej sikur gjithçka po ecte mirë. Por, suksesi i tij nuk e çoi drejt lumturisë që kishte shpresuar. Përkundrazi, stresi dhe rraskapitja ia shkatërruan shëndetin. Shokët e punës nuk ishin Proverbat 14:30.
ngushëllim për të. Nga dëshpërimi, u bë alkoolist dhe madje mendoi t’i jepte fund jetës. Në atë kohë, nisi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ajo çka mësoi, ia ndryshoi pikëpamjen për atë që është vërtet e rëndësishme në jetë. Shumë shpejt, problemet shëndetësore të shkaktuara nga stresi filluan të zhdukeshin. Në vend që të vazhdonte të nxitej nga krenaria dhe ambicia, Akinori filloi të provonte vetë atë që thotë proverbi biblik: «Zemra e qetë është jetë për trupin.»—Cili mendon se është synimi më i vlefshëm në jetë? Cila arritje do të të bënte vërtet të lumtur? Ndoshta një martesë e suksesshme? Mbase t’u siguroje fëmijëve një fillim të mbarë në jetë? Të bësh shumë miq? Të jetosh i lumtur? Të gjitha këto janë synime të vlefshme. Në fakt, Bibla na nxit t’i kemi këto synime, por jo si synimet kryesore në jetë. Me gjykim të thellë praktik, Bibla tregon cila është një kërkesë themelore për të pasur një jetë të kënaqshme: «Frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.» (Eklisiastiu 12:13) Kur shpërfillim këtë detyrim, jeta jonë bëhet e pakuptimtë, e mërzitshme dhe në fund zhgënjyese. Nga ana tjetër, Bibla na siguron: «I lumtur është kush ka besim te Jehovai.»—Proverbat 16:20.
Si i nxit Bibla njerëzit të ndryshojnë
«Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe ushtron fuqi»,—shkroi apostulli Pavël. Si një shpatë me dy tehe, ajo mund të depërtojë te mendimet dhe qëllimet më të thella të njeriut. (Hebrenjve 4:12) Bibla ka fuqinë të ndryshojë mënyrën si jetojnë njerëzit, sepse i ndihmon ta shohin veten siç janë në të vërtetë, jo thjesht siç mendojnë se janë. Pastaj, ata që kanë qëndrimin e duhur në zemër, kuptojnë se mund të kenë nevojë të bëjnë ndryshime. Për shembull, për ata në kongregacionin e krishterë të Korintit të lashtë, që dikur kishin qenë hajdutë, pijanecë, kurorëshkelës e me radhë, Pavli tha: «Të tillë ishit disa nga ju. Mirëpo jeni larë . . . me frymën e Perëndisë tonë.» (1 Korintasve 6:9-11) Fryma e shenjtë e Jehovait është po kaq aktive dhe e fuqishme edhe sot, e ajo mund t’i nxitë njerëzit të bëjnë ndryshimet e nevojshme.
Mario, i cili jeton në Evropë, ishte njeri i dhunshëm që pinte dhe shiste marihuanë. Në një rast, kur një polic i konfiskoi drogën, ai u zemërua aq shumë, saqë e sulmoi policin dhe i shkatërroi makinën. Përveç kësaj, Mario ishte i papunë dhe i zhytur në borxhe. Duke e kuptuar se nuk mund t’i zgjidhte vetë problemet, pranoi të bënte një studim biblik. Ndërsa përparonte me studimin, Mario filloi të kujdesej për paraqitjen e tij, nuk përdorte e nuk shiste më drogë dhe nuk ishte më i dhunshëm. Shumë që e dinin si kishte qenë më parë, habiteshin. Ata e ndalnin dhe e pyesnin: «Mario, ti je vërtet?»
Çfarë i nxit njerëz si Akinori dhe Mario që të ndryshojnë plotësisht jetën dhe të gjejnë gëzim e kënaqësi të vërtetë në të? Pa dyshim, është njohuria për Perëndinë që kanë fituar nëpërmjet studimit të Biblës. Vetëm Perëndia mund të sigurojë udhëzime praktike që na nevojiten për të pasur një jetë të lumtur tani dhe mundësinë e jetës së përhershme në të ardhmen. Si një Atë, Perëndia Jehova na flet nëpërmjet Biblës: «Dëgjo, biri im, dhe pranoji fjalët e mia. Atëherë të shumta do të bëhen vitet e jetës sate. . . . Kur të ecësh, hapi yt nuk do të kufizohet, dhe nëse vrapon, nuk do të pengohesh. Rroke disiplinën, mos e lër të ikë. Ruaje, sepse ajo është jeta jote.» (Proverbat 4:10-13) Po, kjo është këshilla më praktike që mund të ekzistojë: të kërkojmë drejtimin e Krijuesit tonë!
[Kutia dhe figura në faqen 7]
Këshilla praktike për ditët e sotme
Bibla përmban parime jetësore dhe praktike që mund të na drejtojnë në çdo aspekt të jetës së sotme. Ja disa shembuj:
• Si të kesh marrëdhënie të mira me të tjerët
«Gjithçka që dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, bëjeni edhe ju për ta.»—Mateu 7:12.
«Ai që sillet si më i vogli mes jush, është i madh.»—Luka 9:48.
«Ndiqni udhën e mikpritjes.»—Romakëve 12:13.
• Si të heqësh veset që të shkatërrojnë
«Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»—Proverbat 13:20.
«Mos rri me ata që pinë verë me tepri.»—Proverbat 23:20.
«Mos ki shoqëri me njeriun zemërak.»—Proverbat 22:24.
• Si të ndërtosh një martesë të fortë
«Secili nga ju ta dojë gruan si veten, dhe gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»—Efesianëve 5:33.
«Vishuni me dhembshuri të butë, mirëdashje, përulësi mendjeje, butësi dhe shpirtgjerësi. Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.»—Kolosianëve 3:12, 13.
• Si të ndihmosh fëmijët
«Stërvite djalin në udhën e drejtë. Edhe kur të plaket, nuk do të largohet prej saj.»—Proverbat 22:6.
«Ju, etër, mos i acaroni fëmijët tuaj, por vazhdoni t’i rritni në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait.»—Efesianëve 6:4.
• Si të shmangësh grindjet
«Përgjigjja e butë e largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje, ngjall zemërim.»—Proverbat 15:1.
«Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.»—Romakëve 12:10.
Edhe midis miqve, shpesh debatet për çështje të biznesit shmangen duke i bërë marrëveshjet me shkrim. Kështu, shërbëtori i Perëndisë, Jeremia, shkroi: «Shkrova një akt, i vura vulën dhe mora dëshmitarë teksa peshoja paratë në peshore.»—Jeremia 32:10.
• Si të zhvillosh një qëndrim pozitiv
«Vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, . . . të dashur, . . . për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar.»—Filipianëve 4:8.
Bibla na nxit të mos përqendrohemi te mendimet negative dhe nuk i miraton ata «që ankohen për shortin e tyre në jetë». Ajo thotë: «Gëzoni në shpresë.»—Juda 4, 16; Romakëve 12:12.
Zbatimi i këtyre parimeve të shkëlqyera, jo vetëm do të na japë mundësinë të kemi paqe dhe kënaqësi tani, por edhe do të na ndihmojë të plotësojmë kërkesat e Perëndisë e të marrim bekimin e tij. Bibla thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.
[Figurat në faqen 5]
Akinori kur ishte biznesmen (majtas) dhe me gruan e tij sot duke u folur të tjerëve me gëzim për të vërtetën biblike