2. Lexo me mendje të hapur
Si mund ta kuptosh Biblën?
2. Lexo me mendje të hapur
A të ka thënë ndonjëherë një mik fjalë jo të mira për dikë që s’e kishe takuar kurrë? Kur më vonë e takove atë person, a të penguan fjalët e mikut të dalloje talentet dhe cilësitë e tij të mira? Diçka e ngjashme mund të ndodhë në lidhje me Biblën.
APOSTULLI Pavël paralajmëroi se çfarë mund të ndodhë nëse nuk e lexojmë Biblën me mendje të hapur. Në lidhje me disa judenj të shekullit të parë, Pavli shkroi: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.»—Romakëve 10:2.
Disa prej tyre nuk donin të pranonin një të vërtetë që Shkrimet Hebraike e zbulonin
qartë: identitetin e Mesisë. Jezui nga Nazareti përputhej me çdo përshkrim që ishte bërë për Mesinë në Shkrimet Hebraike dhe përmbushi çdo profeci rreth tij. Megjithatë, një sërë paragjykimesh të ngurta i penguan shumë judenj që të kuptonin Fjalën e Perëndisë.Ç’mund të mësojmë nga kjo? Është e rëndësishme ta lexojmë Biblën me mendje të hapur. Veli i paragjykimit mund ta pengojë lexuesin të kuptojë të vërtetën nga Bibla.
Për shembull, një profesor në fushën e studimeve fetare në Karolinën e Veriut, SHBA, e përshkruan Biblën si «një libër nga njerëzit, me mendime tërësisht njerëzore që shpesh nuk përputhen me njëri-tjetrin dhe që asnjëherë nuk tregojnë drejtimin e pagabueshëm se si duhet të jetojmë». Nëse dikush do ta lexonte Biblën si «një libër nga njerëzit», atëherë, a nuk do të hidhte poshtë një drejtim ose parim që nuk i pëlqen?
Por, krejt ndryshe nga kjo, Bibla na nxit ta studiojmë me vëmendje. Për banorët e Beresë në kohën e Pavlit, Shkrimet thonë: «E pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu.» (Veprat 17:11) Ashtu si ata lexues, edhe ti ndoshta duhet të heqësh çdo vel paragjykimi ose qëndrim kritik që mund të të mjegullojë kuptueshmërinë. Lexoje Fjalën e Perëndisë me mendje të hapur, duke qenë i etur për të zbuluar mesazhin emocionues të Autorit të saj.