Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

3. Prano ndihmë nga të tjerët

3. Prano ndihmë nga të tjerët

Si mund ta kuptosh Biblën?

3. Prano ndihmë nga të tjerët

Kur eksploruesi Eduard Xhon Er udhëtoi përmes Ultësirës së shkretë të Nallarborit, aborigjenët i mësuan Erit si të mblidhte ujë nga dunat e rërës dhe nga pemët e eukaliptit. Ngaqë pranoi ndihmë prej atyre që e njihnin vendin, kjo më vonë ia shpëtoi jetën Erit.

SIÇ tregon ky shembull, për të përfunduar me sukses një detyrë të vështirë, shpesh nevojitet ndihmë nga dikush më me përvojë. Kjo është e vërtetë edhe kur fillon të lexosh Biblën.

Jezui nuk priste që dishepujt e tij ta kuptonin Biblën pa ndihmën e të tjerëve. Në një rast, ai «ua hapi plotësisht mendjet, që të kapnin domethënien e Shkrimeve». (Luka 24:45) Jezui e dinte se lexuesit e Biblës kishin nevojë për ndihmë që të kuptonin mësimet e saj.

Ndihmë nga kush?

Jezui caktoi dishepujt e tij të vërtetë që të jepnin këtë ndihmë. Para se të ngjitej në qiell, Jezui urdhëroi: «Shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet . . . dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Vepra kryesore e të krishterëve është mësimdhënia, e cila përfshin të shpjegosh se si mund të zbatohen parimet biblike në jetën e përditshme. Të krishterët e vërtetë i ndihmojnë të tjerët të kuptojnë Biblën.

Jo shumë kohë pasi Jezui u dha këtë caktim dishepujve, ndodhi një ngjarje interesante. Bibla flet për një zyrtar mbretëror nga Etiopia, i cili po lexonte një pjesë nga profecia e Isaisë. Ai ndeshi një fragment që e hutoi. Sipas asaj që thotë Bibla, këto ishin vargjet e vështira: «E çuan si delja në thertore, dhe si qengji që s’nxjerr zë para qethësit, ai nuk e hapi gojën. Kur e poshtëruan, atij iu mohua gjykimi i drejtë. Hollësitë e prejardhjes së tij, vallë kush do t’i tregojë? Sepse jeta e tij do të shfaroset nga toka.»—Veprat 8:32, 33; Isaia 53:7, 8.

Zyrtari e pyeti Filipin, një të krishterë me përvojë që i njihte mirë Shkrimet: «Për kë e thotë profeti këtë? Për vete apo për dikë tjetër?» (Veprat 8:34) Etiopasi i sinqertë kishte shkuar tashmë në Jerusalem për të adhuruar Perëndinë dhe ndoshta ishte lutur për drejtim. Me sa duket, ai po lexonte me etje dhe me dëshirën për të mësuar. Prapëseprapë, nuk mundte të kuptonte këtë fragment. Me përulësi, ai i kërkoi ndihmë Filipit. Shpjegimi i Filipit e gëzoi kaq shumë atë njeri, saqë u nxit të bëhej i krishterë.—Veprat 8:35-39.

Dëshmitarët e Jehovait vazhdojnë veprën që bënin Filipi dhe të krishterë të tjerë të hershëm. Në më tepër se 235 vende, Dëshmitarët vullnetarisht i ndihmojnë të tjerët të kuptojnë atë që mëson vërtet Bibla. E bëjnë këtë nëpërmjet një studimi të Shkrimeve sipas temave specifike. Sipas kësaj metode studimi, shqyrtohet hap pas hapi se çfarë thotë Bibla për tema të caktuara. *—Shih kutinë  «Përgjigje të kënaqshme për pyetje biblike».

«Të gjitha pyetjet e mia morën përgjigje»

Stiveni, Valvanera dhe Xhoana që përmendëm në artikullin e parë, filluan të studionin Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Stiveni thotë: «U habita që thjesht duke krahasuar disa parime ose tregime biblike, shpesh zbuloja se përgjigjen e kisha pasur gjithmonë para syve. Para se të studioja Biblën me Dëshmitarët, askush nuk më kishte treguar se si ta bëja këtë. U lehtësova shumë kur mora vesh se diskutimet për Biblën nuk përfundojnë në debate pa fund plot me opinione kontradiktore.»

Valvanera mendon po njësoj. «Gjithçka ishte kaq koherente dhe e logjikshme,—thotë ajo.—Gjërat ishin të vërteta, jo sepse thoshte ‘Kisha’, por sepse kishte një shpjegim të arsyeshëm për gjithçka.» Xhoana thotë: «Fakti që të gjitha pyetjet e mia morën përgjigje nga Bibla, më mbushi me nderim të thellë për Autorin e saj, pasi me largpamësi kishte hedhur me shkrim përgjigje me vend për çdo pyetje që mund të kemi.»

A njeh ndonjë Dëshmitar të Jehovait? Pse të mos i kërkosh të të tregojë se si zhvillohet ky program për studimin e Biblës? Nëse nuk njeh personalisht ndonjë Dëshmitar të Jehovait, të lutemi shkruaj në një nga adresat e renditura në faqen 4 të kësaj reviste. Me frymën e shenjtë të Perëndisë, me mendje të hapur dhe me ndihmën e një mësuesi të kualifikuar të Biblës, Fjala e Perëndisë nuk ka pse të jetë një libër i vështirë për t’u kuptuar. Ti mund ta kuptosh Biblën.

[Shënimi]

^ par. 10 Një libër që ka ndihmuar shumë veta për një studim të Shkrimeve sipas kësaj metode, është libri Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

 Përgjigje të kënaqshme për pyetje biblike

Disa nga temat që shqyrtojnë Dëshmitarët e Jehovait në programin e tyre të studimit të Biblës janë:

• Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?

• Ku janë të vdekurit?

• A po jetojmë në «ditët e fundit»?

• Pse i lejon Perëndia vuajtjet?

• Si ta bëj të lumtur jetën time familjare?

[Figurat në faqen 7]

Për të kuptuar Biblën . . . lutu për frymën e Perëndisë, lexo me mendje të hapur, prano ndihmë nga të tjerët