A e kanë gjetur arkën e Noesë?
A e kanë gjetur arkën e Noesë?
HERË pas here duket se kërkimi i arkës së Noesë bën shumë bujë dhe kjo është më se e kuptueshme. Ai mjet lundrues gjigant që u shpëtoi jetën Noesë dhe familjes së tij nga Përmbytja në vitet 2370-2369 p.e.s., sigurisht do të përbënte një zbulim arkeologjik të jashtëzakonshëm. Me gjithë përpjekjet e shumta, kërkimet për arkën e Noesë vazhdojnë ende. Por, pavarësisht nga gjithë spekulimet dhe deklaratat e bujshme, çfarë dihet në të vërtetë?
Bibla tregon se arka e Noesë «u ndal në një nga malet e Araratit». (Zanafilla 8:4) Në rajonin e Araratit, në lindje të Turqisë, afër kufirit me Armeninë dhe Iranin, gjendet maja e famshme që tani njihet me emrin mali i Araratit.
Nga ekspeditat e panumërta të ndërmarra në këtë rajon, janë bërë pohime interesante, por s’ka pasur prova përfundimtare. Fotografitë interesante të bëra nga lart, gjetja e copave të drurit të veshura me zift dhe zëra që pohojnë se e kanë parë arkën, kanë bërë që njerëzit të kërkojnë për prova më konkrete. Por, kërkimi nuk ka qenë i lehtë. Një nga vendndodhjet e mundshme të arkës që përmendet shpesh, gjendet në majë të shpateve të malit Ararat i cili arrin një lartësi prej rreth 4.600 metrash. Përveç kësaj, për shkak të tensioneve politike në atë zonë, ekspeditave të huaja nuk u jepet gjithmonë leje ligjore për t’iu ngjitur malit.
Prapëseprapë, shumë përkrahës të zjarrtë mezi presin të shohin ekspedita të tjera në atë vend. Ata besojnë se në majën me dëborë të malit Ararat kanë mbetur akoma të paprekura pjesë të arkës, të fshehura nën borë e akull pjesën më të madhe të vitit. Ata thonë se vetëm në vitet me verë të ngrohtë, do të kishte shpresë për ta parë arkën dhe për të shkuar tek ajo.
Këto shpresa janë ndezur nga një sërë pohimesh. Jozefi, një historian jude i shekullit të parë të erës sonë, u referohet disa historianëve të mëparshëm të cilët thoshin se arka mund të shihej akoma lart në vargmalin Ararat. Madje, thuhej se njerëzit merrnin si kujtim copëza nga trarët e saj të veshur me zift. Ndër njerëzit që citoi Jozefi, ishte edhe Berususi, një kronist babilonas i shekullit të tretë para erës sonë.
Shekullin e kaluar, një nga deklaratat më interesante erdhi nga një armen, Xhorxh Hagopjani. Ai tha se, kur ishte i vogël, kishte shkuar me ungjin e tij të vizitonte arkën në fillim të viteve 1900, dhe në fakt kishte hipur në arkë. Hagopjani vdiq në vitin 1972, por dëshmia e tij ende ngjall entuziazëm dhe habi te shumë njerëz.
A përbën një bazë të vërtetë për besim?
A ka vërtet një bazë për të besuar se eksploruesit kanë gjetur arkën ose mund ta gjejnë në të ardhmen? Ndoshta, por duket se ka një bazë edhe më të fortë për të qenë mosbesues për zbulimin e saj. Së pari, të mos harrojmë se
Bibla nuk e thotë me saktësi ku qëndroi arka kur u tërhoqën ujërat pas Përmbytjes. Aty thjesht përmendet «një nga malet e Araratit».Është më se normale që eksploruesit dhe spekuluesit të veçojnë majën më të lartë të rajonit. Megjithatë, Shkrimet nuk tregojnë në mënyrë specifike se Perëndia bëri që arka të qëndronte mbi majën e malit Ararat, e cila sot është një majë e akullt dhe gati 5.000 metra mbi nivelin e detit? * Të mos harrojmë se, Noeja dhe familja e tij jetuan në arkë për disa muaj pasi ajo u ndal. (Zanafilla 8:4, 5) Gjithashtu, duket e pamundur që, pasi lanë arkën, ata dhe gjithë kafshët të kenë zbritur nga ajo majë e lartë si të ishin alpinistë. Ndoshta arka u ndal në një terren më të kollajshëm nga ç’mendojnë eksploruesit e ditëve të sotme, e megjithatë duhet të ketë qenë një vend disi i ngritur sipas asaj që thuhet te Zanafilla 8:4, 5. Dhe, pavarësisht nga vendi ku ndaloi në rajonin e Araratit, a nuk do të ishte zhdukur shekuj më parë nga kalbja ose plaçkitja?
Për më tepër, ka diçka që nuk shkon në pohimet që bëjnë ndonjëherë publicistët për rëndësinë fetare të kërkimeve. Organizatori i një ekspedite pohoi se gjetja e arkës «do të forcojë besimin e milionave . . . dhe shumë do të fillojnë të besojnë». Në një konferencë shtypi më 2004, ai tha se gjetja e arkës do të ishte «ngjarja më e rëndësishme që nga ringjallja e Krishtit». Ekspedita e tij më vonë u anulua.
Por, a do t’u forcojë besimin dhe a do të fillojnë të besojnë njerëzit nga gjetja e arkës së Noesë? Bibla tregon se besimi i vërtetë nuk varet nga objekte që mund të shihen ose të preken. (2 Korintasve 5:7) Disa njerëz janë kaq mosbesues, sa këmbëngulin se vetëm provat fizike do t’i bënin të besonin disa tregime biblike. Por e vërteta është se këta njerëz nuk do të besonin as po të kishin një mal me prova të tilla. Vetë Jezui tha se disa njerëz thjesht nuk mund të binden për të vërtetat e Biblës—edhe po të shihnin dikë që ngrihet nga të vdekurit.—Luka 16:31.
Nga ana tjetër, besimi i vërtetë nuk është një besim i verbër, por bazohet në prova të forta. (Hebrenjve 11:1) A ka prova të forta që mund t’i ndihmojnë njerëzit e arsyeshëm të besojnë në tregimin biblik për Përmbytjen? Po, ka. Jezu Krishti e tha qartë: «Noeja hyri në arkë dhe erdhi përmbytja.» (Luka 17:26, 27) Kjo është prova më e mirë. Pse?
Jezui ishte në qiell para se të vinte në tokë. (Gjoni 8:58) Ai e pa ndërtimin e arkës; ai pa Përmbytjen. Tani, cila provë ju duket më bindëse: dëshmia okulare e vërtetë e Dikujt që dha prova se është njëqind për qind i besueshëm dhe se është Biri i Perëndisë apo mundësitë e pakta të eksploruesve, të cilët kanë gjetur ca copa druri të lashta në majën e ngrirë të një mali? Kur shihet nga ky këndvështrim, prova se arka e Noesë ekzistoi, është e pakundërshtueshme, edhe pa gjetje të tilla.
[Shënimi]
^ par. 10 Ai që sot quhet mali Ararat, është një vullkan i fjetur që nga viti 1840. Ai arrin një lartësi prej 5.165 metrash dhe është i mbuluar me dëborë gjatë gjithë vitit.
[Diçitura në faqen 13]
A ka prova të forta që mbështetin tregimin biblik për Përmbytjen?
[Diçitura në faqen 14]
Jezu Krishti e tha qartë: «Noeja hyri në arkë dhe erdhi përmbytja»