Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ç’do të hamë?»

«Ç’do të hamë?»

«Ç’do të hamë?»

USHQIMI dhe pijet—një temë për të cilën flitej shpesh gjatë kohës që Jezui shërbeu në tokë. Mrekullia e tij e parë ishte kthimi i ujit në verë dhe në dy raste ai ushqeu një mori njerëzish vetëm me disa bukë e peshq. (Mateu 16:7-10; Gjoni 2:3-11) Jezui njihej si një njeri që jo vetëm ulej për të ngrënë me të varfrit, por edhe që merrte pjesë në gostitë e të pasurve. Në fakt, armiqtë e Jezuit e akuzuan atë si grykës e pijanec. (Mateu 11:18, 19) Sigurisht, Jezui nuk ishte i tillë. Megjithatë, ai e dinte se ushqimi dhe pijet ishin me rëndësi jetësore për njerëzit dhe me mjeshtëri i përdorte këto tema për të ilustruar çështje që lidheshin me Perëndinë.—Luka 22:14-20; Gjoni 6:35-40.

Çfarë ushqimesh dhe pijesh përdoreshin zakonisht në ditët e Jezuit? Si përgatitej ushqimi? Dhe sa përpjekje duheshin për ta përgatitur? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do t’ju ndihmojnë të kuptoni më mirë disa nga ngjarjet dhe shprehjet e përmendura tek ungjijtë.

Na jep «bukën për këtë ditë»

Ndërsa mësonte dishepujt se si të luteshin, Jezui tregoi se ishte e përshtatshme t’i kërkonin Perëndisë që t’u siguronte gjërat e nevojshme—«bukën për këtë ditë». (Mateu 6:11) Buka përdorej kaq shumë, saqë edhe në hebraisht, edhe në greqisht shprehja «të hash një vakt» fjalë për fjalë do të thoshte «të hash bukë». Drithërat që përdoreshin për bukën, si gruri dhe elbi, si edhe të tjera, si tërshëra, spelta dhe meli, ishin përbërësit e një pjese të madhe të ushqimeve që hanin judenjtë e shekullit të parë. Sipas studiuesve, një njeri konsumonte rreth 200 kg drithëra në vit, dhe kjo përbënte gjysmën e kalorive që i nevojitej.

Buka mund të blihej në pazar. Por shumica e familjeve e bënin vetë—dhe kjo kërkonte shumë punë. Libri Bukë, verë, mure dhe rrotulla (anglisht) shpjegon: «Ngaqë mielli nuk rron për shumë kohë, gruas së shtëpisë i duhej ta bluante çdo ditë.» Sa kohë i duhej për këtë? Autori thotë: «Për një orë, duke bluar me mundim me mullirin e dorës, nuk mund të nxirret më shumë se 0.8 kg miell nga 1 kg grurë. Meqenëse një person konsumonte rreth 0.5 kg grurë në ditë, për një familje me pesë ose gjashtë veta, të zonjës së shtëpisë i duhej të bluante për tri orë.»

Tani, mendoni për Marinë, nënën e Jezuit. Përveç punëve të tjera të shtëpisë, asaj i duhej të përgatiste aq bukë, sa të mjaftonte për burrin, pesë djemtë dhe të paktën dy vajzat. (Mateu 13:55, 56) Pa dyshim, ashtu si gjithë gratë judeje, Maria punonte fort për përgatitjen e ‘bukës për këtë ditë’.

«Ejani të hani mëngjesin»

Pasi u ringjall, Jezui iu shfaq disa dishepujve një mëngjes herët. Dishepujt kishin peshkuar gjithë natën, po s’kishin kapur gjë. «Ejani të hani mëngjesin»,—u tha Jezui miqve të tij të lodhur. Pastaj u dha bukë dhe peshq të freskët. (Gjoni 21:9-13) Megjithëse ky është i vetmi rast që në ungjij përmendet mëngjesi si vakt, zakonisht njerëzit hanin për mëngjes bukë, rrush të thatë ose ullinj dhe fruta të thata, si arra etj.

Po për drekë, çfarë hanin? Çfarë hanin njerëzit e thjeshtë? Libri Jeta e Izraelit në kohët biblike (anglisht) thotë: «Dreka ishte e lehtë dhe përbëhej nga bukë, drithë, ullinj dhe fiq.» Këto gjëra mund të kenë pasur me vete dishepujt kur e gjetën Jezuin duke folur me një grua samaritane te pusi afër Siharit. Ishte «afërsisht ora e gjashtë», ose mesditë, dhe dishepujt «kishin ikur në qytet për të blerë ushqime».—Gjoni 4:5-8.

Në mbrëmje, familjet mblidheshin për të ngrënë darkën, vakti kryesor i ditës. Duke folur për këtë vakt, libri Varfëria dhe bamirësia në Palestinën romake, tri shekujt e parë të e.s. (anglisht), thotë: «Shumica e njerëzve hanin bukë ose qull me elb, me drithëra të ndryshme dhe bishtaja ose më rrallë me grurë. Zakonisht u shtonin kripë dhe vaj ulliri ose ullinj, me raste u hidhnin një salcë të fortë, mjaltë ose lëng të ëmbël frutash.» Pjesë e menusë mund të kenë qenë edhe qumështi, djathi, perimet dhe frutat e freskëta ose të thata. Në atë kohë kishte rreth 30 lloje perimesh, si për shembull qepë, hudhra, rrepa, karota e lakra, dhe në atë zonë rriteshin më tepër se 25 lloje frutash, si (1) fiq, (2) hurma Arabie dhe (3) shegë.

A mund t’i përfytyroni disa prej këtyre gjërave në tavolinë kur Jezui hëngri darkë me Lazarin dhe motrat e tij, Martën dhe Marinë? Tani imagjinoni aromën që ishte përhapur në të gjithë dhomën ndërsa Maria i lyente këmbët Jezuit me «nard të pastër»—aroma e gatimit përzihej me aromën e vajit aromatik të kushtueshëm.—Gjoni 12:1-3.

«Kur të shtrosh gosti»

Në një rast tjetër, ndërsa hante «në shtëpinë e njërit nga krerët e farisenjve», Jezui u dha një mësim të dobishëm atyre që ishin aty. Ai tha: «Kur të shtrosh gosti, fto të varfrit, sakatët, të çalët dhe të verbrit. Atëherë do të jesh i lumtur, sepse ata s’kanë me se të ta shpërblejnë. Kështu do të shpërblehesh në ringjalljen e të drejtëve.» (Luka 14:1-14) Nëse fariseu ia vuri veshin kësaj këshille të Jezuit, çfarë ushqimi mund t’u ketë nxjerrë mysafirëve në një gosti të tillë?

Një i pasur mund të kishte nxjerrë bukë të veçantë, të pjekur në forma të ndryshme dhe të lezetuar me verë, mjaltë, qumësht dhe erëza. Ka mundësi që në tavolinë të kishte edhe gjalpë e djathë të staxhionuar. Përveç këtyre, nxirrnin pa dyshim edhe ullinj të freskët, ullinj të konservuar ose vaj ulliri. Sipas librit Ushqimi në antikitet (anglisht), «çdo person konsumonte njëzet kilogramë vaj ulliri në vit si ushqim dhe një sasi tjetër për kozmetikën dhe për ndriçimin».

Nëse fariseu jetonte afër detit, ai dhe miqtë e tij ndoshta do të hanin peshk të freskët. Kurse ata që jetonin në brendësi të territorit, zakonisht hanin peshk që e ruanin duke e marinuar ose duke e kripur. I zoti i shtëpisë ndoshta ofronte edhe mish—por kjo ndodhte rrallë nëse mysafiri ishte i varfër. Më i zakonshëm ishte ndonjë lloj gatimi me vezë. (Luka 11:12) Këtyre gatimeve u jepej më shumë shije me erëza, si mendra, kopra, bari i gjumit dhe sinapi. (Mateu 13:31; 23:23; Luka 11:42) Pastaj, në fund të vaktit mysafirët mund të kishin si ëmbëlsirë grurë të pjekur, të përgatitur me bajame, mjaltë dhe erëza.

Kurse nëpër gosti ka mundësi që nuk mungonte rrushi—i freskët, i tharë ose i bërë verë. Në Palestinë janë zbuluar mijëra shtypëse rrushi, dhe kjo tregon se sa shumë e pëlqenin verën. Në një vend në Gibeon, arkeologët zbuluan 63 qilarë të hapur në shkëmb, të cilët mund të mbanin rreth 100.000 litra verë.

«Mos jini kurrë në ankth»

Kur lexoni ungjijtë, vini re sa shpesh i përmend Jezui ushqimet ose pijet në ilustrimet e tij. Ose, shikoni mënyrën si jep ndonjë mësim të rëndësishëm kur është gjatë një vakti. Sigurisht, Jezuit dhe dishepujve u pëlqente të hanin e të pinin, sidomos kur ishin me miqtë e afërt, por nuk e kishin si synim kryesor në jetë.

Jezui i ndihmoi dishepujt e tij të mbanin një pikëpamje të ekuilibruar për ushqimin dhe pijen kur tha: «Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë do të veshim?’ Sepse të gjitha këto i kërkojnë me etje kombet, por Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» (Mateu 6:31, 32) Dishepujt ia vunë veshin këtij mësimi dhe Perëndia u kujdes për nevojat e tyre. (2 Korintasve 9:8) Po, është e vërtetë se ushqimet e sotme mund të ndryshojnë nga ato të shekullit të parë. Megjithatë, mund të jeni të sigurt se Perëndia do të kujdeset për ju nëse vini interesat e tij në radhë të parë në jetën tuaj.—Mateu 6:33, 34.