Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Për të ardhmen e njerëzimit

Për të ardhmen e njerëzimit

Çfarë mësojmë nga Jezui

Për të ardhmen e njerëzimit

A e premtoi Jezui jetën në qiell?

Po, e premtoi. Vetë Jezui u ringjall dhe u ngjit në qiell që të ishte me të Atin. Por, para se të vdiste dhe të ringjallej, ai u tha 11 apostujve besnikë: «Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa. . . . Unë po shkoj t’ju përgatit një vend.» (Gjoni 14:2) Megjithatë, ata që do ta merrnin këtë privilegj do të ishin pak. Jezui e shprehu qartë këtë kur u tha dishepujve të tij: «Mos ki frikë, o kope e vogël, sepse Atit tuaj i ka pëlqyer t’ju japë mbretërinë.»—Luka 12:32.

Çfarë do të bëjë në qiell ‘kopeja e vogël’?

Ati dëshiron që ky grup i vogël të jetë pjesë e një qeverie në qiell bashkë me Jezuin. Si e dimë? Pasi u ringjall, Jezui i zbuloi apostullit Gjon se disa njerëz besnikë ‘do të mbretëronin mbi tokën’. (Zbulesa 1:1; 5:9, 10) Ky është një lajm i mirë. Një nga nevojat më të mëdha që ka njerëzimi është qeverisja e mirë. Çfarë do të realizojë qeveria me Jezuin në krye? Jezui tha: «Në përtëritjen e krijimit, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni edhe vetë në dymbëdhjetë frone.» (Mateu 19:28) Qeveria e drejtuar nga Jezui dhe dishepujt e tij do të çojë në ‘përtëritje’ ose do të rivendosë ato kushte të përsosura që gëzonte në tokë çifti i parë, para se të mëkatonte.

Çfarë shprese i dha Jezui pjesës tjetër të njerëzimit?

Njeriu u krijua për jetën në tokë, ndryshe nga Jezui, i cili u krijua për jetën në qiell. (Psalmi 115:16) Prandaj, Jezui tha: «Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart.» (Gjoni 8:23) Jezui foli për një të ardhme të mrekullueshme për njerëzimin në tokë. Një herë ai tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë, sepse do të trashëgojnë tokën!» (Mateu 5:5) Ai e kishte fjalën për një psalm të frymëzuar që thotë: «Zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund. Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:11, 29.

Pra, ata të ‘kopesë së vogël’, që shkojnë në qiell, nuk janë të vetmit që marrin jetën e përhershme. Jezui foli edhe për shpresën që është vënë para gjithë njerëzve të tjerë. Ai tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»—Gjoni 3:16.

Si do ta çlirojë Perëndia njerëzimin nga vuajtjet?

Jezui foli për çlirimin nga dy burime shtypjeje, kur tha: «Tani ka një gjykim për këtë botë. Tani sundimtari i kësaj bote do të dëbohet.» (Gjoni 12:31) Së pari, njerëzit e paperëndishëm që shkaktojnë vuajtje, do të gjykohen dhe do të shkatërrohen. Së dyti, Satanai do të dëbohet dhe nuk do ta mashtrojë më njerëzimin.

Ç’do të bëhet me ata njerëz që kanë jetuar gjatë historisë dhe kanë vdekur pa pasur mundësi të mësonin për Perëndinë dhe Krishtin e të tregonin besim tek ata? Jezui i tha një keqbërësi që po vdiste përkrah tij: «Ti do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Ai njeri, bashkë me miliona të tjerë, do të ketë mundësi të mësojë për Perëndinë kur Jezui ta ngrejë nga të vdekurit në parajsën në tokë. Atëherë ai do të ketë rastin të jetë mes zemërbutëve dhe të drejtëve që do të marrin jetën e përhershme në tokë.—Veprat 24:15.

Për më shumë informacion, shih kapitujt 3 dhe 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? *

[Shënimi]

^ par. 13 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 23]

«Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​—Psalmi 37:29