Feja e mirë mëson të respektojmë Fjalën e Perëndisë
JEZUI mësoi që të respektojmë Fjalën e Perëndisë, Biblën. Kjo duket nga mënyra si u përgjigj kur u tundua nga Djalli. (Mateu 4:4-11) Për shembull, si reagoi Jezui kur Satanai e sfidoi që t’i kthente disa gurë në bukë? Jezui e hodhi poshtë tundimin duke cituar nga fjalët e frymëzuara të Moisiut, të cilat mund t’i lexosh te Ligji i përtërirë 8:3. Po kur Djalli i serviri Jezuit sundimin mbi të gjitha mbretëritë e botës në shkëmbim të një akti të vetëm adhurimi, si u përgjigj ai? Jezui e refuzoi këtë ofertë duke përmendur një parim nga Shkrimet që mund ta gjesh te Ligji i përtërirë 6:13.
Vetëm mendo! Ndonëse ishte vetë Biri i Perëndisë, Jezui u mbështet te Bibla si autoritet kur mësonte. E sigurisht nuk e shpërfilli kurrë Fjalën e Perëndisë për të përkrahur traditat e njerëzve. (Gjoni 7:16-18) Por shumë udhëheqës fetarë të kohës së Jezuit nuk e respektonin si ai Fjalën e Perëndisë. Pse jo? Ata i kishin lejuar traditat e njerëzve t’i linin në hije Shkrimet e Shenjta. Jezui u tha troç këtyre njerëzve fetarë: «Kështu e keni bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme, për shkak të traditës suaj. Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju: ‘Ky popull më nderon me buzë, e megjithatë zemra e tyre është larguar shumë nga unë. Më kot vazhdojnë të më adhurojnë, sepse mësimet e tyre janë thjesht urdhërime njerëzish.’»—Mateu 15:6-9.
Shumë nga fetë e botës, të krishtere apo jo, thonë se e respektojnë Biblën. Megjithatë,
sa fe njeh që i hedhin poshtë traditat njerëzore kur këto bien ndesh me mësimet e qarta të Fjalës së Perëndisë? Shqyrto vetëm dy shembuj.TEMA: Titujt fetarë.
ÇFARË THOTË BIBLA: Jezui i dënoi udhëheqësit fetarë të kohës së tij, pasi ata donin titujt dhe dëshironin të binin në sy. Ai tha se ata «në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’». Jezui u tha dishepujve: «Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë—atë që është në qiell.»—Mateu 23:1-10, Simon Filipaj.
PYETJA: A u pëlqen krerëve të kësaj feje t’i thërrasin me tituj dhe të kërkojnë prestigj apo i binden urdhrit të Jezuit për t’i shmangur këto gjëra?
TEMA: Përdorimi i shëmbëlltyrave në adhurim.
ÇFARË THOTË BIBLA: «Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t’i shërbesh.»—Dalja 20:4, 5, Diodati i Ri.
Apostulli Gjon u shkroi të krishterëve: «Ruani vetëhenë t’ uaj nga idhujtë.»—1 Gjonit 5:21, Kristoforidhi.
PYETJA: A i bindet kjo fe urdhrit të qartë të Biblës për të mos përdorur shëmbëlltyra dhe idhuj në adhurimin e Perëndisë?
Ti mund ta gjesh udhën e drejtë
Me gjithë morinë çorientuese të feve që ekzistojnë sot, mund ta gjesh udhën që të çon në jetë. Ka shumë shenja për të identifikuar ‘fenë e pastër dhe të panjollë përpara Perëndisë’. (Jakovi 1:27, Diodati i Ri) Shkrimet e trajtuara në këta artikuj mund të shërbejnë si tabela që të drejtojnë tek ajo fe.
Përse të mos u kërkosh Dëshmitarëve të Jehovait të të shpjegojnë përgjigjet e tyre për pyetjet e ngritura në këta artikuj? Ndërsa mendon për përgjigjet që japin ata, ndiq shembullin e mirë të njerëzve që banonin në qytetin e Beresë në shekullin e parë. Pasi dëgjuan predikimin e apostullit Pavël, ata ‘shqyrtuan me kujdes Shkrimet, për të parë nëse ato gjëra ishin ashtu’. (Veprat 17:11) Në rast se, si Bereasit, e respekton Fjalën e Perëndisë dhe e studion atë me zell do të gjesh udhën që të çon në jetë. Nëse do të ecësh në atë udhë, kjo është një zgjedhje që duhet ta bësh ti.
Cila fe i nxit njerëzit të studiojnë Shkrimet për të parë nëse gjërat që po mësojnë janë të vërteta?