Mësoji fëmijët
Rahaba ia vuri veshin lajmit
PËRFYTYRO sikur jemi 3.500 vjet më parë. Jemi në qytetin e Jerikosë, në vendin e Kanaanit. Këtu jeton një vajzë me emrin Rahaba. Ajo ka lindur pasi Moisiu i udhëhoqi izraelitët kur dolën nga skllavëria në Egjipt dhe kur kaluan përmes Detit të Kuq duke shkelur në tokë të thatë. Ndonëse nuk ka as radio, as televizorë e as Internet, Rahaba e ka marrë vesh këtë mrekulli, edhe pse ka ndodhur shumë larg vendit të saj. A e di si e mësoi? . . . *
Pa dyshim që udhëtarët ua kanë treguar njerëzve historinë e këtyre mrekullive. Ndërsa rritet, Rahaba nuk e harron çfarë bëri Jehovai për popullin e tij. Më vonë ajo dëgjon edhe gjëra të tjera të mrekullueshme për izraelitët. Pas 40 vjetësh në shkretëtirë, ata kanë hyrë në Kanaan dhe Perëndia i ka ndihmuar të mposhtin këdo që u ka dalë kundër. Tani Rahaba merr vesh se izraelitët e kanë ngritur kampin përballë Jerikosë, matanë lumit Jordan.
Një mbrëmje, dy të panjohur vijnë te Rahaba. E dinë se ajo punon në një vend ku njerëzit shkojnë për të ndenjur. Kështu ajo i fton brenda. Natën, mbreti i Jerikosë mëson se spiunët izraelitë kanë ardhur në Jeriko dhe kanë shkuar në shtëpinë ku punon Rahaba. Mbreti dërgon te Rahaba njerëz që i thonë t’i nxjerrë jashtë burrat që kanë ardhur tek ajo. A e di çfarë ka marrë vesh Rahaba dhe çfarë ka bërë? . . .
Po ja, para se të arrinin njerëzit e mbretit, Rahaba kishte mësuar se vizitorët janë spiunë izraelitë. Prandaj i fshehu në çati dhe tani u thotë të dërguarve të mbretit: «Po, burrat erdhën tek unë. . . . Ata dolën në kohën kur mbyllet porta, ndaj të ngrysur.» Rahaba i nxit: «Ndiqini.»
Si mendon, përse Rahaba i mbrojti spiunët? . . . Ajo e shpjegon arsyen kur u thotë: «Unë e di se Jehovai ka për t’jua dhënë vendin. . . . Sepse kemi dëgjuar se si Jehovai thau ujërat e Detit të Kuq para jush kur dolët nga Egjipti.» Gjithashtu, ajo ka dëgjuar për fitore të tjera që Perëndia u
ka dhënë izraelitëve mbi armiqtë e tyre.Natyrisht që Jehovai u kënaq që Rahaba i mbrojti spiunët, siç tregon Bibla te Hebrenjve 11:31. Ai u kënaq edhe kur Rahaba iu lut spiunëve: ‘Unë u tregova e mirë me ju, prandaj, ju lutem, më premtoni se, kur të pushtohet Jerikoja, do ta shpëtoni babanë, nënën, vëllezërit dhe motrat e mia.’ Spiunët i premtuan se do t’i shpëtonin nëse Rahaba do të ndiqte udhëzimet e tyre? A e di për çfarë e udhëzuan ata? . . .
‘Merre këtë kordon të kuq e lidhe në dritare,—i thonë spiunët,—dhe mblidh në shtëpi të gjithë të afërmit. Po të veprosh kështu, do të shpëtojnë të gjithë në shtëpi.’ Rahaba bën tamam siç i thonë spiunët. A e di çfarë ndodh më pas? . . .
Izraelitët mbërrijnë jashtë mureve të Jerikosë. Për gjashtë ditë marshojnë në heshtje një herë në ditë rreth qytetit. Ditën e shtatë marshojnë shtatë herë rreth e qark dhe pastaj bërtasin me të madhe. Muret shemben, përveç pjesës ku ishte dritarja me kordonin e kuq. Rahaba dhe familja e saj shpëtojnë.—Josiu 2:1-24; 6:1-5, 14, 15, 20-25.
Çfarë mësojmë nga ajo që bëri Rahaba? . . . E pra, Rahaba jo vetëm që i dëgjoi lajmet për gjërat që kishte bërë Perëndia për të mbrojtur popullin e tij, por edhe i ndihmoi kur pati rastin. Po, Rahaba vendosi t’i shërbente Jehovait me popullin e tij. A do të veprosh edhe ti kështu? Lutemi që po.
^ par. 3 Nëse po lexon me fëmijët, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh e t’ua drejtosh atyre pyetjen.