Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është paraja burimi i lumturisë së vërtetë?

A është paraja burimi i lumturisë së vërtetë?

A është paraja burimi i lumturisë së vërtetë?

SONJA lindi në Spanjë. Kur ishte fëmijë, ndiqte mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait bashkë me mamanë. Por kur u rrit, u transferua në Londër, Angli, dhe më vonë filloi të punonte në fushën e financës.

Sonjës i pëlqente shumë puna e saj. Ajo fitonte shumë para dhe kishte të bënte me shuma të stërmëdha të klientëve. Për të ishte një punë fantastike dhe ajo kishte sukses. Sonja punonte rregullisht 18 orë në ditë dhe në disa net flinte vetëm dy ose tri orë. Puna ishte jeta e saj. Por papritur, gjithçka u shemb. Sonjës i ra hemorragji cerebrale—ndoshta si pasojë e jetës plot stres. Ishte vetëm 30 vjeçe.

Sonja u paralizua nga njëra anë e trupit dhe mjekët nuk ishin të sigurt nëse do të arrinte të fliste sërish. Mamaja e saj shkoi menjëherë në Angli që të kujdesej për të. Kur Sonja filloi të ecte përsëri, mamaja i tha: «Unë do të shkoj në mbledhjet e kongregacionit dhe ti duhet të vish me mua sepse nuk mund të të lë vetëm.» Sonja pranoi të shkonte me të. Cili ishte rezultati?

Sonja kujton: «Gjithçka që dëgjoja, tingëllonte e vërtetë. Ishte e mrekullueshme. Pranova me kënaqësi një studim biblik me një nga personat e shumtë që më përshëndetën herën e parë kur shkova në Sallën e Mbretërisë. Të njohurit e mi të dikurshëm nuk kishin ardhur më të më vizitonin, kurse miqtë e mi të rinj ishin të ngrohtë e mirëdashës.»

Dalëngadalë, Sonja filloi të fliste përsëri dhe gjithashtu bëri përparim të shpejtë në studimin e Biblës. Brenda një viti, u pagëzua. Shumë prej miqve të saj të rinj ishin në shërbimin e krishterë në kohë të plotë dhe ajo mund të shihte sa të lumtur ishin. «Edhe unë dua të jem kështu,—mendoi Sonja.—Dua t’i jap Perëndisë Jehova më të mirën.» Tani Sonja shërben në kohë të plotë.

Çfarë ka mësuar Sonja nga përvoja e saj? «Megjithëse fitoja shumë para, për shkak të stresit dhe pasigurisë në punë nuk isha e qetë dhe e lumtur. Kam arritur të kuptoj se gjëja më e rëndësishme në jetë është një marrëdhënie e mirë me Atin tim qiellor, Jehovain. Tani jam vërtet e lumtur.»

«Dashuria për para është rrënja e çdo lloj gjëje të dëmshme,—shkroi apostulli Pavël.—Duke rendur pas kësaj dashurie, disa kanë dalë nga rruga e besimit dhe janë shpuar tejpërtej me shumë dhembje.» (1 Timoteut 6:10) Sonja mund ta garantojë nga përvoja e saj se këto fjalë janë të vërteta.