A e dini?
A e dini?
Çfarë ndodhi në të vërtetë me arkën e besëlidhjes?
Për izraelitët, vetë prania e Perëndisë simbolizohej nga arka e besëlidhjes. (Dalja 25:22) Ajo ishte një arkë e shenjtë prej druri e veshur me ar, brenda së cilës Moisiu futi dy pllakat prej guri që përmbanin Ligjin. Kur izraelitët banonin në shkretëtirë, Arka mbahej në ndarjen e Më të Shenjtës në tendën e takimit. (Dalja 26:33) Pastaj, Arka u vendos në ndarjen e Më të Shenjtës në tempullin e Solomonit.—1 Mbretërve 6:19.
Arka përmendet për herë të fundit te 2 Kronikave 35:3, kur mbreti Josia e ktheu në tempull në vitin 642 p.e.s. Ajo mund të ishte zhvendosur nga paraardhësi apostat i Josisë, Manaseu, i cili vuri një shëmbëlltyrë në tempull. Ose ndoshta mund të ishte zhvendosur për të qenë e sigurt kur Josia meremetoi tempullin. (2 Kronikave 33:1, 2, 7; 34:1, 8-11) Se çfarë ndodhi më pas me Arkën ka mbetur mister, pasi ajo nuk renditet ndër objektet që u morën nga tempulli kur babilonasit pushtuan Jerusalemin në vitin 607 p.e.s.—2 Mbretërve 25:13-17.
Shkrimet nuk thonë se Arka u kthye në Më të Shenjtën e tempullit të ndërtuar nga Zorobabeli, dhe me sa duket ajo nuk u zëvendësua me ndonjë arkë tjetër.—Ezdra 1:7-11.
Cilët ishin burrat me emrin Jakov që përmenden në Bibël?
Gjithsej ishin katër dhe mund të ngatërrohen kollaj. * Njëri ishte babai i apostullit Judë (jo Iskarioti), dhe për të nuk dihet asgjë më shumë.—Luka 6:16; Veprat 1:13.
Tjetri ishte biri i Zebedeut. Ky Jakov ishte vëlla i Gjonit, të dy apostuj të Jezuit. (Mateu 10:2) Nëna e tij me sa duket ishte Saloma, motra e nënës së Jezuit. (Krahaso Mateun 27:55, 56 me Markun 15:40, 41 dhe Gjonin 19:25.) Nëse ishte kështu, Jakovi dhe Jezui i bie që ishin kushërinj të parë. Ai ishte peshkatar dhe bashkë me të vëllanë ishin ortakë pune me Pjetrin dhe Andrean.—Marku 1:16-19; Luka 5:7-10.
Pastaj kemi edhe Jakovin që ishte biri i Alfeut e gjithashtu apostull i Jezuit. (Marku 3:16-18) Te Marku 15:40 ai quhet ‘Jakovi i Vogël’. Mund të jetë quajtur ‘i Vogël’ ose ngaqë ishte më i vogël me trup, ose ishte më i vogël në moshë sesa Jakovi tjetër, biri i Zebedeut.
I fundit vjen biri i Jozefit e i Marisë dhe gjysmëvëllai i Jezuit. (Marku 6:3; Galatasve 1:19) Gjatë shërbimit të Jezuit, Jakovi nuk ishte një nga dishepujt e tij. (Mateu 12:46-50; Gjoni 7:5) Por, para festës së Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., Jakovi u lut me nënën, vëllezërit e tij dhe me apostujt në një dhomë të sipërme në Jerusalem. (Veprat 1:13, 14) Jakovi u bë më vonë një pjesëtar i rëndësishëm i kongregacionit të Jerusalemit dhe shkroi librin biblik që mban emrin e tij.—Veprat 12:17; Jakovi 1:1.
[Shënimi]
^ par. 7 Jakov është ekuivalenti në shqip për emrin Jakob. Shprehja ‘Abrahami, Isaku dhe Jakobi’ del shumë herë në Bibël dhe Mateu 1:16 thotë se Jakobit «i lindi Jozefi, burri i Marisë».