Pasuri që vijnë nga Perëndia
Pasuri që vijnë nga Perëndia
A DO të të bekojë me pasuri Perëndia nëse ke besim tek ai? Ndoshta, por ka të ngjarë që jo me atë lloj pasurie që pret ti. Të marrim si shembull Marinë, nënën e Jezuit. Asaj iu shfaq engjëlli Gabriel dhe i tha se ‘kishte gjetur shumë hir’ në sytë e Perëndisë dhe se do të lindte Birin e Tij. (Luka 1:28, 30-32) Megjithatë, ajo nuk ishte e pasur. Kur Maria ofroi një flijim pas lindjes së Jezuit, paraqiti «një çift turtujsh ose dy zogj pëllumbash». Kjo ishte oferta që të varfrit i bënin zakonisht Jehovait.—Luka 2:24; Levitiku 12:8.
Fakti që Maria ishte e varfër, a do të thoshte se nuk kishte bekimin e Perëndisë? Përkundrazi, kur ajo shkoi të vizitonte Elizabetën, kushërirën e saj, «Elizabeta u mbush me frymë të shenjtë. Ajo lëshoi një britmë të fortë dhe tha: ‘E bekuar je [o Mari] mes grave dhe i bekuar është fryti i barkut tënd!’» (Luka 1:41, 42) Maria kishte privilegjin të bëhej nëna e Birit të dashur të Perëndisë këtu në tokë.
Vetë Jezui nuk ishte i pasur. Jo vetëm kishte lindur dhe ishte rritur në një mjedis të varfër, por ishte i varfër gjatë gjithë jetës në tokë. Ai i tha njëherë një njeriu që donte të bëhej dishepull: «Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit kanë fole, kurse Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kokën.» (Luka 9:57, 58) Sidoqoftë, ajo që bëri Jezu Krishti kur erdhi në tokë, u dha mundësi dishepujve të zotëronin pasuri të mëdha. Apostulli Pavël shkroi: «[Ai] u bë i varfër për hirin tuaj, që ju të bëheshit të pasur nëpërmjet varfërisë së tij.» (2 Korintasve 8:9) Ç’lloj pasurish u dha Jezui dishepujve? Ç’të themi për sot?
Ç’lloj pasurish?
Pasuritë materiale shpesh janë një pengesë për besimin, pasi një i pasur mund të ketë besim te paratë e tij, e jo te Perëndia. Jezui tha: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë para të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!» (Marku 10:23) Prandaj, pasuritë që u dha Jezui dishepujve, nuk ishin pasuri materiale.
Në fakt, shumica e të krishterëve në shekullin e parë ishin të varfër. Kur një burrë që kishte lindur i çalë i kërkoi Pjetrit para, ky iu përgjigj: «Argjend e ar nuk kam, por atë që kam, po ta jap: në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, ec!»—Veprat 3:6.
Edhe fjalët e dishepullit Jakov tregojnë se në kongregacionin e krishterë shumica ishin të varfër. Ai shkroi: «Dëgjoni, vëllezërit e mi të dashur! A nuk i zgjodhi Perëndia ata që janë të varfër për sa i përket botës, që të jenë të pasur në besim dhe trashëgimtarë të mbretërisë, të cilën ua premtoi atyre që e duan?» (Jakovi 2:5) Për më tepër, edhe apostulli Pavël tha se nuk u thirrën shumë «të mençur nga pikëpamja njerëzore», «të fuqishëm» ose «nga derë fisnike», që të bëheshin pjesë e kongregacionit të krishterë.—1 Korintasve 1:26.
Nëse pasuritë që u dha Jezui dishepujve nuk ishin materiale, atëherë ç’lloj pasurish u dha? Në një letër që i dërgoi kongregacionit në Smirnë, Jezui tha: «E njoh shtrëngimin dhe varfërinë tënde, por ti je i pasur.» (Zbulesa 2:8, 9) Të krishterët në Smirnë, ndonëse të varfër, kishin pasuri shumë më të vlefshme se argjendi ose ari. Ishin të pasur falë besimit dhe integritetit ndaj Perëndisë. Besimi në vetvete është i çmuar sepse «nuk zotërohet nga të gjithë». (2 Selanikasve 3:2) Ata që nuk kanë besim, faktikisht janë të varfër në sytë e Perëndisë.—Zbulesa 3:17, 18.
Pasuri që vijnë nga besimi
Në cilat mënyra besimi është me vlerë? Ata që kanë besim te Perëndia nxjerrin dobi nga ‘bollëku i mirëdashjes, vetëpërmbajtjes dhe shpirtgjerësisë së tij’. (Romakëve 2:4) Gjithashtu, gëzojnë «faljen e shkeljeve» të tyre për shkak të besimit te flijimi shpërblyes i Jezuit. (Efesianëve 1:7) Për më tepër, kanë mençurinë që u jep «fjala e Krishtit» atyre që kanë besim. (Kolosianëve 3:16) Kur i luten Perëndisë me besim, «paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim» ua ruan zemrën dhe mendjen, duke u sjellë kënaqësi dhe lumturi.—Filipianëve 4:7.
Përveç gjithë këtyre dobive, ata që kanë besim te Perëndia nëpërmjet Birit të tij, Jezu Krishtit, kanë shpresën e mrekullueshme të jetës së përhershme. Në fakt, janë shumë të njohura fjalët e Jezu Krishtit: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Kjo shpresë e çmuar bëhet më e fortë kur dikush fiton njohuri të saktë për Atin dhe Birin, sepse Jezui tha gjithashtu: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.
Megjithëse bekimet e Perëndisë kanë të bëjnë kryesisht me marrëdhënien tonë me të, ka dobi edhe nga ana emocionale dhe fizike. Të marrim si shembull Dalidjon nga Brazili. Para se të merrte njohuri të saktë për qëllimin e Perëndisë, ai kishte probleme me alkoolin. Kjo po ia shkatërronte familjen. Përveç kësaj, ishte keq nga ana ekonomike. Në atë kohë, filloi të studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe ndryshoi në mënyrë të jashtëzakonshme.
Falë njohurisë që sapo kishte marrë, Dalidjo hoqi dorë nga veset. Ndryshoi kaq shumë duke jetuar në përputhje me njohurinë biblike, saqë tha: «Më parë shkoja lokal më lokal, tani shkoj shtëpi më shtëpi për të predikuar.» Ai u bë një predikues i Fjalës së Perëndisë në kohë të plotë. Ky ndryshim nuk i përmirësoi vetëm shëndetin, por edhe anën ekonomike. Dalidjo tha: «Paratë që i harxhoja për të pirë, tani i përdor për të ndihmuar të tjerë që janë në nevojë ose për të blerë gjëra që më nevojiten.» Gjithashtu, ka zënë shumë miq të vërtetë duke u shoqëruar me njerëz që, ashtu si ai, kanë pikëpamjen e Perëndisë për gjërat. Tani Dalidjo ka paqe mendore dhe është i kënaqur shumë më tepër sesa mund të imagjinonte para se të njihte Perëndinë.
Një shembull tjetër i dikujt që e pasuroi jetën duke rritur besimin te Perëndia Jehova, është Renato. Kur sheh fytyrën e tij të lumtur e të qeshur sot, është e vështirë të besosh se ka pasur çdo arsye për t’u ndier i trajtuar padrejtësisht në jetë. Sapo lindi, mamaja e braktisi. E la në një çantë poshtë një stoli, të gërvishtur e të mavijosur keq dhe me kordonin e kërthizës të paprerë. Aty pranë kaluan dy gra dhe panë që çanta poshtë stolit lëvizte. Në fillim, menduan se dikush kishte lënë ndonjë kotele. Kur panë se ishte një foshnjë e sapolindur, e çuan menjëherë në një spital afër për t’i dhënë ndihmë mjekësore.
Një nga gratë ishte Dëshmitare e Jehovait dhe i foli për foshnjën Ritës, një Dëshmitareje tjetër. Rita kishte dështuar disa herë dhe kishte vetëm një vajzë. Donte shumë të kishte një djalë, prandaj vendosi të adoptonte Renaton.
Rita i tregoi Renatos që në moshë të njomë se nuk ishte mamaja e tij e vërtetë. Por ajo u kujdes për të me dashuri e përzemërsi dhe u përpoq fort t’i mësonte parimet biblike. Ndërsa rritej, ai filloi të interesohej për Biblën. Gjithashtu, filloi t’i rritej edhe mirënjohja për mënyrën thuajse të pabesueshme se si ishte shpëtuar. Sytë i mbushen me lot çdo herë që lexon fjalët e psalmistit David: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.»—Për të shprehur mirënjohjen për gjithçka që Jehovai ka bërë për të, Renato u pagëzua në vitin 2002 dhe vitin vijues u bë një predikues i krishterë në kohë të plotë. Ai ende nuk e di se cilët janë babai dhe nëna biologjike, e ndoshta nuk do ta dijë kurrë. Megjithatë, Renato mendon se një nga dhuratat më të çmuara që ka marrë, është se ka njohur dhe ka fituar besim te Jehovai, si Ati i tij i dashur dhe i kujdesshëm.
Ndoshta dëshiron shumë të kesh një marrëdhënie të ngushtë e të dashur me Perëndinë, e cila mund të ta pasurojë vërtet jetën. Mundësia për të pasur një marrëdhënie të tillë me Perëndinë Jehova dhe Birin e tij, Jezu Krishtin, është e hapur për të gjithë—të pasur e të varfër. Ajo mund të mos sjellë pasuri materiale, ama do të japë atë paqe të brendshme dhe kënaqësi që nuk mund ta blejnë as gjithë paratë e botës. Po, janë të vërteta fjalët e Proverbave 10:22: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»
Perëndia Jehova interesohet shumë për njerëzit që i afrohen atij dhe thotë: «Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.» (Isaia 48:18) Dhe ai premton se ata që i afrohen me motivin dhe qëndrimin e duhur, do të shpërblehen me bollëk: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.»—Proverbat 22:4.
[Diçitura në faqen 6]
Besimi te Perëndia sjell paqe, kënaqësi dhe lumturi
[Figura në faqen 5]
Megjithëse e varfër nga ana materiale, familja e Jezuit këtu në tokë u bekua shumë nga Perëndia