Si të jesh misionar i suksesshëm
Diplomimi i klasës së 126-të të Galaadit
Si të jesh misionar i suksesshëm
NJË grumbull njerëzish të entuziazmuar u mblodhën në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, për një rast të veçantë. E shtuna e 14 marsit 2009, ishte dita e diplomimit të klasës së 126-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Të diplomuarit do të dërgoheshin në 22 vende, për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.—Mateu 24:14.
Studentët sapo kishin përfunduar një kurs pesëmujor intensiv për studimin e Biblës, i cili kishte si synim t’i ndihmonte ata që të bëheshin misionarë të krishterë të suksesshëm. Për ta si klasë, dita e diplomimit ishte mundësia e fundit që të dëgjonin këshilla të mençura se si ta arrinin këtë synim.
Shkolla e Galaadit filloi të stërviste misionarë në vitin 1943, kujtoi Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, i cili ishte drejtuesi i programit. Që atëherë, të diplomuarit kanë pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në veprën mbarëbotërore të predikimit.
Megjithëse skribët dhe farisenjtë i shihnin me përçmim apostujt e Jezuit si «të pashkolluar e të thjeshtë», tha oratori, atyre kundërshtarëve iu desh të pranonin se guximi i apostujve vinte ngaqë kishin qenë me Jezuin. (Veprat 4:13) Stërvitja që morën studentët, do t’i ndihmojë të jenë të guximshëm.
«Mos gjykoni nga pamja e jashtme» ishte tema që zhvilloi Robert Siranko, ndihmës pranë Komitetit të Shkrimit të Trupit Udhëheqës. Ai theksoi se së shpejti studentët do të takojnë njerëz me kultura dhe me zakone shumë të ndryshme. Por, nëse përvetësojnë qëndrimin e Jehovait, studentët nuk do ta kenë problem të jetojnë mes këtyre njerëzve dhe t’u predikojnë atyre. Te Veprat 10:34, fjalët e përdorura në gjuhën origjinale përcjellin idenë se Perëndia nuk gjykon nga pamja e jashtme. «Perëndia nuk është i anshëm». (Veprat 10:35) «Duke përvetësuar qëndrimin e Perëndisë dhe duke e parë këdo si një njeri që mund të jetë i pranuar nga Perëndia, me siguri do të keni sukses në caktimin tuaj si misionarë të tij»,—tha vëlla Siranko.
«Keni atë çka ju duhet»
«Disa e konsiderojnë devenë të shëmtuar,—e nisi fjalimin e tij Samuel Hërdi, anëtar i Trupit Udhëheqës,—megjithatë, ka gjithçka që i duhet për jetën në shkretëtirë.» Po kështu, misionarët e rinj kanë atë çka u duhet për të pasur sukses në territoret ku janë caktuar. Pesë gjëra do t’i ndihmojnë ata.
1. Dashuria për Jehovain. (Mateu 22:37, 38) Studentët tashmë kanë treguar vendosmërinë e tyre për t’i shërbyer Jehovait.
2. Njohuria e grumbulluar dhe kuptueshmëria për Fjalën e Perëndisë. Një deve grumbullon lëndë ushqyese në dhjamin e gungës. Megjithatë, ajo nuk rri pa ngrënë, duke u mbështetur vetëm te kjo rezervë që i shërben për rastet urgjente. Në mënyrë të ngjashme, misionarët nuk duhet të mbështeten vetëm tek informacionet që kanë mësuar gjatë Shkollës së Galaadit, por duhet të vazhdojnë të ushqejnë besimin nëpërmjet Biblës.
3. Dashuria për njerëzit. (Mateu 22:39) Studentët kanë dhembshuri për njerëzit.
4. Një frymë gatishmërie. (Psalmi 110:3) Kur një misionari i shterojnë energjitë, Jehovai i jep fuqi me bollëk.—Isaia 40:29.
5. Forca rinore. Ashtu si deveja mban njeriun përmes shkretëtirës, një misionari mund t’i duhet «të mbajë» një bashkadhurues që po kalon vështirësi në jetën si i krishterë. Kjo kërkon shumë energji, por misionarët kanë forcën rinore.
Aspekte të tjera të programit
Bajamet ishin ndër prodhimet e zgjedhura që Jakobi i dërgoi si dhuratë një sundimtari egjiptian, theksoi Majkëll Bërneti, instruktor i Galaadit. (Zanafilla 43:11) Bajamet përmbajnë shumë lëndë ushqyese. Studentët kanë ngrënë shumë bajame të figurshme gjatë kursit. Ndër mësimet që duhet të marrin me vete misionarët janë: të kënaqen me gjërat që siguron Jehovai dhe të mësojnë ta duan mjedisin e tyre të ri.
Mark Numari, një tjetër instruktor i Galaadit, shpjegoi se Fjala e Perëndisë është si «një torbë plot mençuri». (Jobi 28:18) Duhet ta hapim këtë torbë dhe ta përdorim atë çka brenda. Nëse shërbimi misionar nuk del siç e pritnin studentët, ata mund të mendojnë për apostullin Pavël. Dishepujt e Jezuit e dërguan atë në qytetin e lindjes për nëntë vjet. Në vend që të mendonte se si «një enë e zgjedhur» që ishte, duhej të shërbente diku tjetër, Pavli punoi fort kudo që ndodhej. (Veprat 9:15, 28-30) Të respektosh zgjedhjet e Jehovait mund të jetë një sfidë. Një tjetër që veproi kështu, ishte Jonatani. Duke e pranuar se Davidi ishte mbreti i zgjedhur i Jehovait, Jonatani e mbështeti me kënaqësi.
Në pjesën «Shërbëtorët e Perëndisë flasin me guxim», studentët demonstruan përvojat që kishin pasur në veprën e predikimit gjatë kursit. Shumë prej tyre filluan studime biblike. Në pjesën vijuese me temë «Të përgatitur nga organizata e Jehovait», u intervistuan tre misionarë që shërbejnë prej vitesh. Secili prej tyre shpjegoi se si ishte stërvitur për të bashkëpunuar me organizatën e Perëndisë.
«Ji një misionar i lumtur»
Më pas, Gerrit Lëshi, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës, paraqiti pjesën kryesore të programit me temë «Ji një misionar i lumtur». Shumë aktivitete që konsiderohen «argëtuese», nuk sjellin lumturi të vërtetë, tha ai. (Proverbat 14:13; Eklisiastiu 2:10, 11) Kjo lumturi vjen kur bëjmë vullnetin e Perëndisë, megjithëse nuk është gjithnjë e lehtë. Kursi i Galaadit kërkonte shumë përpjekje, por solli kënaqësi të madhe.
Ka disa gjëra që kontribuojnë në lumturinë e të krishterëve të vërtetë. Ata adhurojnë Perëndinë e lumtur. (Psalmi 33:12; 1 Timoteut 1:11) Jetojnë në një parajsë frymore dhe Bibla premton se së shpejti toka do të bëhet një parajsë e mirëfilltë. Kanë gjetur qëllimin e jetës—t’i shërbejnë Jehovait dhe ta lëvdojnë atë. Për më tepër, Jehovai dhe Jezui i duan ata.
«Do të jeni misionarë të lumtur, nëse mësoni të jeni të kënaqur»,—shtoi oratori. Një përbërës tjetër i lumturisë është të doni dhe t’ju duan të tjerët. Prandaj, mbulojini gabimet e të tjerëve, në vend që t’i vini në dukje ato. Bëjuni mirë të tjerëve, ndihmoni të dobëtit, tregoni përvojat e bukura. (Psalmi 41:1, 2; Veprat 20:35) Duke mos e kursyer veten në veprën e predikimit, do të jeni të lumtur.—Luka 11:28.
Vëlla Lëshi përfundoi: «Vazhdoni përpara si misionarë të lumtur, duke u argëtuar me masë, por duke pasur si synim kryesor të lëvdoni Perëndinë e lumtur, Jehovain, dhe të bëni të lumtur shumë të tjerë.»
Pasi përcolli përshëndetje nga shumë vende, Entoni Morisi u dha studentëve diplomat. Më pas, një përfaqësues i klasës së 126-të lexoi një letër drejtuar Trupit Udhëheqës. Në të studentët shprehnin mirënjohjen që kishin ndjekur Shkollën e Galaadit.
Në fund, drejtuesi theksoi se ‘nyjat dhe dejet’ që mbajnë të bashkuar trupin, ngjajnë me mjetet dhe masat që «skllavi i besueshëm dhe i matur» përdor për t’i siguruar popullit të Jehovait ushqim dhe drejtim. (Kolosianëve 2:18, 19; Mateu 24:45) Nëse të diplomuarit e Galaadit bashkëpunojnë plotësisht me përfaqësuesit e emëruar të Perëndisë, do të arrijnë ta kryejnë plotësisht shërbimin e tyre.—2 Timoteut 4:5.
[Kutia në faqen 30]
STATISTIKAT E KLASËS
Numri i vendeve të përfaqësuara: 6
Numri i vendeve ku u caktuan: 22
Numri i studentëve: 56
Numri i çifteve: 28
Mosha mesatare: 32,8
Mesatarja e viteve në të vërtetën: 17,9
Mesatarja e viteve në shërbimin e plotkohor: 13,5
VENDET KU U CAKTUAN
Të diplomuarit u caktuan në Afrikën e Jugut, Benin, Bolivi, Bullgari, Burkina-Faso, Ganë, Guatemalë, Honduras, Kamerun, Kenia, Kosta-Rikë, Liberi, Madagaskar, Mozambik, Nikaragua, Panama, Paraguai, Peru, Rumani, Sierra-Leone, Togo dhe Ugandë.
[Figura në faqen 31]
Diplomimi i klasës së 126-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit
Rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.
(1) Kirchhoff, K.; Nichols, C.; Guzmán, Y.; Coil, H.; Becker, O.; De Simone, A. (2) Manzanares, A.; Bouvier, E.; Peddle, J.; Mason, H.; Braz, J. (3) Lee, J.; Forte, A.; Boucher, T.; Marsh, A.; Leighton, S.; Glover, M. (4) Kambach, H.; Jones, T.; Ferreira, A.; Morales, J.; Chicas, S.; Davis, B.; Dormanen, E. (5) Dormanen, B.; Nichols, J.; Pacho, T.; Titmas, L.; Bouvier, E.; Kirchhoff, A. (6) Leighton, G.; Pacho, A.; Van Campen, B.; Manzanares, A.; Rivard, A.; Lee, Y.; Titmas, L. (7) Boucher, M.; Coil, K.; Marsh, C.; Guzmán, J.; Jones, W.; Kambach, J. (8) Glover, A.; Ferreira, G.; Mason, E.; Forte, D.; Davis, N.; Chicas, O.; Rivard, Y. (9) Braz, D.; Van Campen, D.; Morales, A.; De Simone, M.; Becker, M.; Peddle, D.