Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Xhevahiret e liqenit më të madh të Amerikës Qendrore

Xhevahiret e liqenit më të madh të Amerikës Qendrore

Xhevahiret e liqenit më të madh të Amerikës Qendrore

MEGJITHËSE Nikaragua është vend i vogël, aty gjendet liqeni më i madh i Amerikës Qendrore—liqeni Nikaragua. Për çudi, liqeni Nikaragua është ndoshta i vetmi liqen me ujë të ëmbël ku gjen specie të oqeanit, si peshkaqenë, peshq-shpatë dhe megalops atlantica, një lloj peshku oqeani. Shkencëtarët besojnë se ky liqen ka qenë dikur një gji i lidhur me Paqësorin, por shpërthimet vullkanike e kanë mbyllur duke e shkëputur nga oqeani. Ndërsa uji humbiste kripësinë, peshqit u përshtatën me mjedisin e ri.

Liqeni është rreth 160 kilometra i gjatë, 70 kilometra në gjerësinë më të madhe dhe 30 metra mbi nivelin e detit. Ka mbi 400 ishuj në liqenin Nikaragua dhe gati 300 prej tyre janë të grupuar përreth gadishullit Asese, afër qytetit të Granadës në skajin verior të liqenit. Ata quhen Ishujt e Vegjël të Granadës.

Ishulli më i madh në këtë liqen është ishulli Ometepe, që ndodhet në qendër të tij. Ometepe është rreth 25 kilometra i gjatë, 13 kilometra i gjerë dhe përbëhet nga dy vullkane që i lidh një rrip toke. Vullkani më i lartë, Konsepsjoni, që ka formë koni me një simetri magjepsëse, ngrihet 1.610 metra mbi nivelin e liqenit. Ai është aktiv dhe spikat në pjesën veriore të ishullit. Vullkani tjetër, Madera, 1.394 metra i lartë, është i fjetur. I veshur me bimësi të dendur, ky vullkan mban në kraterin e tij një lagunë të mbuluar nga mjegulla.

Liqeni Nikaragua është një nga gjërat që tërheq shumë turistë në këtë zonë. Ata vijnë për të parë bukuritë e tij tropikale dhe mbetjet arkeologjike të qytetërimeve të lashta. Por ka edhe diçka tjetër ndër xhevahiret e liqenit Nikaragua për të cilat ia vlen të flasim.

Një komunitet mbi ujë

Ishujt e Vegjël të Granadës janë të pasur me bimë tropikale dhe kafshë të egra. Lulet ekzotike zbukurojnë pyjet e harlisura që mbulojnë pjesën më të madhe të këtyre ishujve vullkanikë. Përgjatë bregut, disa shpendë të bukur uji, si çafkat blu, çafkat e mëdha, fajkonjtë peshkatarë, zogjtë ahinga rufa dhe karabullakët bëjnë punët e tyre të përditshme. Në skajet e xhunglës, zogjtë e mëdhenj ngjyrë kafe të quajtur Psarocolius montezuma kanë ndërtuar fole që varen në pemët e mëdha dhe që lëkunden të pasigurta nga puhiza e liqenit.

Disa prej ishujve të vegjël janë të banuar. Aty sheh shtëpitë e peshkatarëve vendës dhe shtëpizat e pushimit të të pasurve. Në ishuj ka edhe shkolla, një varrezë, restorante e bare. Arkipelagu i ngjan një fshati, një komuniteti që jeton mbi ujë.

Çdo mëngjes, një varkë bardhë e blu çan ujin nga njëri ishull në tjetrin për të marrë fëmijët e për t’i çuar në shkollë. Një dyqan lundrues mbi një kanoe shkon nga ishulli në ishull për të shitur fruta e perime. Burrat që bëjnë gati rrjetat e peshkimit dhe gratë që lajnë rrobat në liqen janë një pamje e përditshme.

Edhe Dëshmitarët e Jehovait kanë mjaft për të bërë në këta ishuj. Ata udhëtojnë me varkë për të vizituar vendësit që t’u flasin për lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Veçoritë e pazakonta gjeografike të kësaj zone në fillim përbënin një sfidë: ku t’i mbanin mbledhjet për të studiuar Fjalën e Perëndisë, Biblën? Për të zbatuar atë që thotë Bibla ‘për të mos braktisur mbledhjet’, Dëshmitarëve u lindi një ide gjeniale: Salla e parë e Mbretërisë mbi ujë.—Hebrenjve 10:25.

Një Sallë Mbretërie mbi ujë

Një çift Dëshmitarësh të Jehovait që predikojnë në kohë të plotë, u transferuan në Ishujt e Vegjël të Granadës në nëntor 2005. Pak muaj më vonë, kur ftuan vendësit në Përkujtimin vjetor të vdekjes së Krishtit, për ta ishte një surprizë e bukur kur erdhën 76 veta. Nga kjo, ata kuptuan se ishte e nevojshme të fillonin t’i mbanin rregullisht mbledhjet e krishtere aty. Ishte e vështirë të gjeje një vend të përshtatshëm për këto mbledhje, kështu që këta dy pionierë menduan të ndërtonin një Sallë Mbretërie që mund të qëndronte mbi ujë dhe mund të tërhiqej për ta çuar në vende të përshtatshme për njerëzit.

Ky çift me shpirt iniciative, që nuk kishin projektuar ose ndërtuar kurrë diçka që pluskon mbi ujë, filluan ndërtimin. Ata dhe gjashtë të tjerë punuan një muaj për këtë projekt. Ky vend mbledhjesh duhej të ishte një mjet lundrimi i thjeshtë. Skeleti i tij do të përbëhej nga tuba çeliku të salduar që do të mbanin të bashkuara dymbëdhjetë fuçi 150 litërshe të cilat do të mbusheshin me ajër të kompresuar për të qëndruar mbi ujë. Dyshemeja do të ishte prej kompensate dhe si çati do të përdornin mushama. Punëtorët luteshin çdo natë për projektin sepse nuk ishin të sigurt nëse do të qëndronte mbi ujë. Po faktikisht qëndroi.

Salla e re e Mbretërisë u përdor për herë të parë për Mbledhjen Publike në 10 qershor 2006. Të nesërmen, e tërhoqën dhe e nxorën nga ana tjetër e arkipelagut, që të mbahej e njëjta mbledhje për njerëzit atje. Mesatarja e të pranishmëve në të dyja mbledhjet ishte 48, edhe pse disave iu desh të ecnin më shumë se gjysmë ore përmes xhunglës. Të gjithë ishin të kënaqur që tashmë kishin vendin e tyre të adhurimit.

Mbledhjet në këtë Sallë Mbretërie sigurisht marrin nuancat e vendit. Ndërsa oratori mban fjalimin e tij, të pranishmit mund të dëgjojnë në sfond ujin që përplaset lehtë pas shkëmbinjve ose zhurmën që bëjnë herë pas here majmunët nga larg. Salla shumë shpejt u bë një pamje e zakonshme për banorët e ishujve. Ata përshëndetnin me dorë kur e shihnin të zhvendosej nga njëri vend në tjetrin. Çdo javë, më shumë se 20 veta vijnë në këtë Sallë Mbretërie për të gëzuar shoqërinë e krishterë dhe për të mësuar nga Bibla. Kjo sallë është kthyer në një xhevahir të vërtetë!

Në ishullin Ometepe

Rreth 50 kilometra në jug të Granadës, shtrihet ishulli Ometepe. Bukuritë natyrore të ishullit dhe toka e tij pjellore e kanë bërë atë prej kohësh një vend banimi të dëshirueshëm. Në të vërtetë, pikërisht këtu janë gjetur provat më të hershme të bujqësisë në Nikaragua. Sot, Ometepe mbështet jetën e 42.000 banorëve, të cilët merren me peshkim dhe me kultivimin e misrit, bananes, kafesë dhe të drithërave të tjerë. Edhe këtu gjen kafshë mbresëlënëse. Sheh grupe me papagaj që klithin, laraska të mëdha me pupla bardhë e blu që fluturojnë midis pemëve dhe majmunë kapuçin me fytyrë të bardhë, një kafshë e pëlqyer nga shumë njerëz.

Banorët e Ometepes nxjerrin dobi edhe nga lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë që u çojnë lajmëtarët. Nga 8 veta që u pagëzuan në vitin 1966, numri i Dëshmitarëve ka arritur në 183 dhe janë formuar katër kongregacione të frytshme. Çdo kongregacion ka Sallën e vet në një vend të përshtatshëm. Sot, ka një Dëshmitar për çdo 230 banorë të ishullit.

Dëshmitarët e Jehovait në Ometepe janë përballur me mjaft vështirësi gjatë viteve. Për shembull, në vitin 1980 kundërshtarët dogjën Sallën e Mbretërisë në qytetin e Meridës. Pastaj, u ndërtua një Sallë tjetër më 1984. U përdor deri në vitin 2003, derisa u ngrit një Sallë tjetër e bukur që i gëzoi jashtë mase 60 pjesëtarët e kongregacionit vendës.

Në qytetin Mojogalpë, u projektua një Sallë Mbretërie me më shumë vende që, kur të ishte e nevojshme, të mbaheshin aty mbledhje më të mëdha. Në pjesën e pasme të sallës, çatia ka një zgjatim poshtë të cilit është ndërtuar një podium. Përballë podiumit, nën hijen e një tende, janë vendosur karrige të cilat arrijnë gati deri në fund të pronës. Dëshmitarët vendës dhe miqtë e tyre nga vendet përreth liqenit, mblidhen këtu për asamble më të mëdha. Në këto mbledhje, liqeni Nikaragua është një vend i përshtatshëm për pagëzimin e dishepujve të rinj të Jezu Krishtit.—Mateu 28:19.

Xhevahiret—A do të ruhen?

Liqeni Nikaragua është dukur gjithmonë i paprekshëm, ndoshta për shkak të madhësisë së tij. Por sot ka nevojë për t’u ruajtur. Ai kërcënohet nga ndotja e mbeturinave bujqësore e industriale dhe nga ato të shpyllëzimit të tokave.

Nëse banorët dhe qeveria vendëse do të bëjnë më shumë përpjekje për të zgjidhur këto probleme, kjo mbetet akoma për t’u parë. Sidoqoftë, Krijuesi do të marrë masa që të gjitha xhevahiret e tokës, përfshirë edhe liqenet vezulluese, ishujt e bukur dhe kafshët mahnitëse, të ruhen si trashëgimi për njerëzimin e bindur. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën,—thotë Bibla,—dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»—Psalmi 37:29.

[Figura në faqen 26]

Sallë Mbretërie mbi ujë për mbledhjet e krishtere